Gazetari Julian Hoxhaj, i ftuar në emisionin "Task Force", foli mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja.
Ai e cilësoi këtë akt ekstrem si një pasojë të drejtpërdrejtë të krizës së thellë në sistemin e drejtësisë dhe mungesës së ndërhyrjes shtetërore në zgjidhjen e konflikteve të pronëssisë, të cilat prej më shumë se tri dekadash janë kthyer në burim tensioni social dhe tragjedish njerëzore ku vetëm 35 vitete e fundit shënohen më shumë se 7000 viktima.
Hoxhaj theksoi se në Syri TV nuk kalon asnjë ditë pa denoncime nga qytetarët, të cilët përballen me padrejtësi të vazhdueshme në gjykata, zvarritje të proceseve dhe mohimin e të drejtës së pronës. Ai ngriti alarmin për rritjen e rasteve të vetëgjyqësisë, jo vetëm si reagim ndaj një sistemi të korruptuar dhe të paaftë, por edhe si një kërcënim real për sigurinë publike.
Sipas tij, kjo ngjarje nuk është një rast i izoluar, por një pasojë logjike e një sistemi të kalbur, ku shteti ka zgjedhur të heshtë dhe të braktisë qytetarët përballë padrejtësive.
Pjesë nga deklarata:
Ajo që dua të theksoj është se çdo ditë në Syri TV nuk ka ditë që nuk ka denoncim nga qytetarët për të shfaqur një problem me konflikte pronësie, si në këtë rast. Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë janë dy nga institucionet e drejtësisë në Shqipëri që kanë fluksin më të madh dhe stokun më të madh të dosjeve të pagjykuara.
Nëse ju kujtohet, në momentin që u bë harta gjyqësore, një nga problemet që kanë ngritur të gjithë ekspertët jashtë politikës, por edhe vetë trupat gjyqësore apo avokatët, ishte çështja e vetëgjyqësisë. Vetëgjyqësia në këtë rast është shumë e rëndë, sepse preku vetë njeriun që duhet të jepte drejtësinë. Por sot vetëgjyqësia po ndodh dhe po ndodh në raste gjithnjë e më të shpeshta midis njerëzve, duke mos marrë drejtësi, duke u zvarritur vendimet gjyqësore.
Ne thamë që autori nuk kishte lindur kur çështja kishte përfunduar në gjykatë, dhe imagjinoni sa breza dhe sa konflikte pronësie kanë sot bilancin më të rëndë të viktimave në Shqipëri, që në dijeninë time, sipas statistikave, në 35 vite i kalojnë mbi 7000 persona që kanë ndërruar jetë apo familje që janë shuar ose syrgjynosur. Bilanc lufte.
Shteti është një nga rrëmbyesit më të mëdhenj të pronave. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur në vitet e hershme të tranzicionit, në vitet ’90 – ’95, kur Shqipëria nuk kishte struktura të mirëfillta për dhënien e titujve të pronësisë, dhe toka u shpërnda me ligjin 7501 dhe nëpërmjet AMTP-ve të famshme nga komisionet lokale që u ngritën për pronësinë.
Shteti, për interesat e veta, në momentin kur i janë dashur këto prona të supozuara publike – të cilat kurrë nuk i ka treguar në publik, por përgjithësisht kanë qenë private – ose i ka shpronësuar, ose i ka rrëmbyer me forcën e shtetit. Në momentin kur kanë qenë konflikte individuale, si rasti në fjalë mes disa familjeve dhe personit në fjalë që ka pasur të drejtën e zotërimit të pronës, shteti nuk ka ndërhyrë. Ndërkohë, shteti mund të kishte ndërhyrë me kohë për ta zgjidhur.
Shpronësimi i 30 familjeve, largimi i tyre dhe strehimi në banesa sociale duke e marrë të gjithë gjenezën e çështjes shteti mund ta zgjidhte, sepse ka arkivat për të shqyrtuar dokumentacionin.
Qeveria ka ngritur dhe një portal “Denonco korrupsionin”, ku vetë qeveria merret me çështjet. Një ndër çështjet ka qenë verifikimi i konflikteve të pronësisë, ku shteti – kemi pasur raste ka marrë përgjigje pozitive pas denoncimeve të qytetarëve në këtë portal. Institucionet janë vënë në lëvizje, kanë dhënë përgjigje për pronësinë dhe çështjet kanë shkuar nëpër gjykata.
Duket që shteti e ka lejuar situatën të përshkallëzohet deri këtu një nga precedentët më të rrezikshëm për të ardhmen.
© SYRI.net