Reagimi i OSBE-së pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja: Sulmet ndaj gjyqtarëve janë sulme ndaj shtetit të së drejtës

Reagimi i OSBE-së pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja: Sulmet ndaj gjyqtarëve janë sulme ndaj shtetit të së drejtës

17:18, 06/10/2025

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën dhe dy persona të tjerë mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri, ka reaguar edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Në një deklaratë zyrtare, OSBE shprehet thellësisht e tronditur dhe e hidhëruar nga sulmi brenda ambienteve gjyqësore, duke i shprehur ngushëllimet familjes së gjyqtarit Kalaja dhe uruar shërim të shpejtë për të plagosurit.

OSBE dënon me forcë aktin, duke e cilësuar një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike, ndërsa mirëpret arrestimin e autorit të dyshuar dhe thekson rëndësinë e ndjekjes së një procesi të plotë dhe të shpejtë ligjor për vendosjen e drejtësisë.

Reagimi i plotë: 

Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.

I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve.

Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

Ndërsa rrethanat e plota të sulmit janë ende nën hetim, ne mirëpresim arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të vendosjes së drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë.

Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco