Banorët e Thumanës kanë dalë sërish në protestë, duke kërkuar qasje në autostradën e re Thumanë-Kashar. Ndërsa përpjekjet e tyre për të shprehur pakënaqësitë janë përballur me një prani të madhe të forcave policore, të cilat duket se janë të vendosura për të shuar zërat kundërshtues. Protestuesit ndihen të frustruar, pasi ata po përpiqen të mbrojnë të drejtat e tyre, ndërsa forcat e rendit përpiqen t’i ndalojnë me çdo kusht.
"Ne duam të bëjmë jetën tonë paqësisht, ashtu siç e bën çdo qytetar i rregullt. Nuk duam të konflikohemi me askënd. Rruga duhet të jetë e hapur për të gjithë, dhe ne jemi të gatshëm të paguajmë tarifën. Nuk ka arsye të humbim kohë vetëm sepse nuk na lejohet qasja në autostradë," - tha një nga protestuesit, duke shtuar se ndonëse ka plane të largohet jashtë vendit, nuk mund të mbyllë sytë ndaj padrejtësive që po ndodhin ndaj njerëzve të tij.
Pavarësisht nga prania e rënduar e policisë, e cila është përforcuar me njësi speciale, protestuesit mbeten të vendosur në kërkesën e tyre për akses në autostradën e re. Ata nuk lejojnë që prania e forcave të shumta policore të shkurajojë kërkesën e tyre për drejtësi, duke paralajmëruar se nëse situata nuk ndryshon, protestat do të vazhdojnë edhe gjatë orëve të natës.
© SYRI.net