SYRI TV/ I akuzuar për mikrokreditë, vetëvritet Olsi Ibro

14:34, 20/07/2024

Olsi Ibro, një nga personat e akuzuar si i përfshirë në skandalin e mashtrimit të qytetarëve me mikrokreditë është vetëvrarë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në një pallat në ndërtim shumë pranë banesës ku ai jetonte. 45-vjeçari ka hipur në tarracën e pallatit dhe është hedhur duke humbur jetën në mënyrë të menjëhershme. Ibro është gjetur nga roja i objektit rreth orës 7.30 minuta.

Nga SYRI TV

Pallati në ndërtim ku u hodh 45-vjeçari Olsi Ibro është shumë pak metra larg banesës ku ai jetonte së bashku me bashkëshorten e tij Elda Ibro dhe pranë ish- stacionit të trenit.

Policia ende nuk ka përcaktuar orarin e saktë të ngjarjes dhe po punon për të zbardhur motivet që e çuan drejt këtij akti. Fillimisht janë pyetur familjarët nëse ato kanë ndonjë dyshim. 

Olsi Ibro është një nga personat e dyshuar si i përfshirë në skandalin e mikrokredive, një çështje e hetuar nga Prokuroria e Tiranës, por që tashmë i kaluar SPAK. 

Për 45-vjeçarin deri ditën e sotme nuk ka pasur asnjë masë sigurie ndërkohë që për bashkëshorten e tij, Elda Ibro gjykata ka caktuar masën “arrest shtëpie”.

Në disa masa të dhëna në maj të këtij viti gjykata e Tiranës ka dhënë “arrest në burg” për Arben Meskutin, Aldo Dakën, Albert Gegën dhe Edmond Maton dhe ‘Arrest shtëpie’ për Elda Ibron, Jorsida Dervishin, Alketa Tanushin e Kejda Seferin. 

Bashkë me masat gjykata e Tiranës dha miratimin dhe për sekuestrimin e 10 milionë eurove llogari bankare të dy shoqërive të mikrokreditit. 

Ndërsa këtë të premte Krimi Ekonomik dhe Prokuroria e Tiranës sekuestruan kompanitë Mikro Credit Albania dhe Final. 

Mikro Credit Albania është një kompani e krijuar në vitin 2016 e cila kontrollohej nga Olsi Ibro dhe bashkëshortja e tij Elda Ibro.  

Kompanitë e mikrokredive dhe drejtuesit e tyre akuzohen nga Prokuroria për “Mashtrim kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrim parash”. 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco