SYRI TV/ Lulzim Basha merr kate në kullat luksoze, dokumentet faktojnë blerjen në emër të familjarëve

13:40, 06/10/2023

SYRI TV sjell sot dokumente e prova, se si familjarë të Lulzim Bashës u bënë pronarë të kateve në kullat luksoze të Tiranë fill pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2021. Këto ambiente janë regjistruar në emër të kunatit të Lulzim Bashës, Erion Isufi dhe vjehrrës së tij, dhe si investim raportohen shifra disa herë më të ulëta se çmimi real i sipërfaqes së blerë. Në dokumente vërtetohet se me firmë të familjarëve të Bashës janë marrë këto kate në kulla, e të gjitha kompanitë në emër të tyre, janë akomoduar aty prej fundit të vitit 2022

SYRI TV

Pasi akuzoi deputetët demokratë për ato që ka bërë vetë, Lulzim Basha i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë atë ose shpifësit, duke tentuar të mohojë akuzat. Fill pas kësaj deklarate, SYRI TV solli dokumentet, se si bizneset familjare të Lulzim Bashës, pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2021, u transferuan në kullën më të shtrenjtë të Tiranës, duke marrë jo pak, por 2 katet e para në kullën ku çmimet e apartamenteve janë shitur me 4 mijë euro, ndërsa ambientet e bizneseve me çmim deri në 8 mijë euro.

Pesë kompanitë në emër të kunatit dhe vjehrrës së Lulzim Bashës si: Landmark Communications, Landmark Premium Print, Moveo Albania Technology dhe Landmark Technologies, kanë si adresë katin e parë të Lion Residence.

Sot SYRI TV sjell dokumente të tjera, që e nxjerrin Lulzim Bashën gënjeshtar, dhe konfirmojnë pikërisht akomodimin e bizneseve të familjarëve të tij në kullën luksoze pikërisht në kohën kur demokratët kërkonin që Bashën ta bënin kryeministër.

Ky është dokumenti që tregon se si me firmë të kunatit të Lulzim Bashës, Erion Isufi dhe vjehrrës së tij Xhane Isufi, në datë 23 nëntor 2022, kompania Moveo Albania Technology vendos që të akomodohet në zyrat e marrë në këtë kullë, zyra të cilat ishin porositur muaj më parë, por me përfundimin e punimeve, u krye edhe zhvendosja.

Në pamje shihni edhe dokumentin e planit të investimeve të kësaj kompanie, e cila nga një pamundësi financiare për kryerjen e investimit të tillë, për shkak të xhiros disa herë më të ulët, bëhet pronare e zyrave ndër më të shtrenjta në Tiranë.

Por edhe deklarimet e bëra në bilancin e kësaj kompanie ngrenë pikëpyetje edhe më të mëdha, pasi shuma e deklaruar për blerjen e ambienteve për zyra është shumë herë më e vogël se sa realisht është çmimi për metër katror në këtë kullë.

Por jo vetëm Moveo Albania Technology, të pesta kompanitë e familjarëve të Lulzim Bashës, prej humbjes së zgjedhjeve në 2021-shin zgjerojnë pronësinë me ambiente zyrash në kullat luksoze të Tiranës.

Në këtë dokument faktohet se e njëjta praktikë është ndjekur edhe nga kompania Landmark Technologies, e po në të njëjtën datë, më 23 nëntor 2022, me firmë sërish të Erion Isufit dhe Xhane Isufit është vendosur transferimi i kësaj kompanie në zyrat luksoze në kullën e vendosur në Rrugën e Elbasanit.

Një ditë më pas, më 24 nëntor 2022, Erion Isufi firmos gjithashtu që edhe kompaninë tjetër të tij të konsulencës ta transferojë në kullën luksoze.

2 javë më pas, Erion Isufi do të firmoste si aksioner i vetëm edhe për akomodimin e kompanisë Landmark Communications, në kullën luksoze, siç provohet edhe nga dokumenti që shihni në pamje.

Nga një përllogaritje e thjeshtë e sipërfaqes së marrë në këtë kullë nga kompanitë e familjarëve të Lulzim Bashës dhe çmimit me të cilat janë shitur në treg ambientet e tjera, vlera e tyre shkon në mbi 5.2 milionë euro, kapital ky i padisponueshëm nga kompanitë e familjarëve të Lulzim Bashës, e aq më shumë i padeklaruar si vlerë totale në kompanitë që rezultojnë se i kanë marrë ato.

Por ndërsa Lulzim Basha pretendon se familjarët e tij kanë deklaruar çdo transaksion, i takon të shpjegojë nëse ka përfituar sipërfaqe banimi në këtë kullë dhe në emër të kujt janë regjistruar si dhe për faktin se si është justifikuar vlera reale e këtyre ambienteve që rezulton e deklaruar në shifra qesharake.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco