‘Tirana e 17-ta në botë për ajrin më të ndotur’, Braimllari: Veliaj po helmon qytetarët me ndërtimet dhe trafikun

‘Tirana e 17-ta në botë për ajrin më të ndotur’, Braimllari: Veliaj po helmon qytetarët me ndërtimet dhe trafikun

09:29, 27/12/2022

Partia e Lirisë ka reaguar ashpër lidhur me situatën e ndotjes së ajrit që po përjeton kryeqyteti shqiptar.

Teksa publikon rezultatet “IQair”, një faqe e specializuar në matjen e cilësisë së ajrit në botë, nënkryetari i kësaj partie, Endrit Braimllari deklaron se Erion Veliaj është njeriu që po helmon Tiranën dhe banorët e saj, pasi siç thotë ai, shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Tiranë janë ndërtimet pa kriter dhe trafiku i rënduar.

“Tirana renditet në vendin e 17 në listën e qyteteve më të ndotura në botë.

Sipas “IQair”, një faqe e specializuar në matjen e cilësisë së ajrit në botë, ditën e djeshme ajri në kryeqytetin shqiptar kishte 159 mikrogram në metër kub të grimcave PM2.5.

Për të gjithë ata që nuk e dine, PM2.5 janë grimcat e imëta ndotëse të thithshme me një diametër më të vogël se 2.5 mikrometra që mund të hyjnë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut, që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, kryesisht në mushkëri dhe në zemër.

Thënë ndryshe përqendrimi i PM2.5 në Tiranë është aktualisht 14.3 herë më shumë se vlera e udhëzimit vjetor të cilësisë së ajrit të OBSH-së.

Shkaktarët kryesor të ndotjes së ajrit në Tiranë janë padyshim ndërtimet pa kriter dhe trafiku i rënduar.

Për të dyja përgjegjësia bie mbi Bashkinë e Tiranës, e cila vetëm në 2021 dha më shumë se 1800 leje ndërtimi, ndërsa betonieret dhe makinat e rënda vijojnë të helmojnë qytetarët me ajrin e ndotur.

Ndonëse ka gati 8 vite në krye të Bashkisë, pinoku i Tiranës gjithashtu nuk i ka dhënë asnjë zgjidhje trafikut, teksa makinat qëndrojnë çdo ditë me orë të tëra të bllokuara në rrugë.

Madje situata është rënduar akoma më shumë në 4 vitet e fundit, teksa Veliaj në vend që të zgjeronte rrugët dhe të krijonte rrugë të reja, ka bërë të kundërtën, i ka ngushtuar ato, ndërsa nuk ka dhënë asnjë zgjidhje as për transportin urban”, shprehet në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, nënkryetari i PL-së, Endrit Braimllari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco