VIDEO – SYRI TV/ Polici denoncon kolegun në Elbasan: Më dhunoi pas festës, më goditën me leva e shkopinj

13:41, 23/12/2022

Situata me rendin është rënduar ditët e fundit edhe në vetë radhët e policisë. Në Elbasan, pas përfundimit të festës së punës, një efketiv policie denoncon për Syri Televizion dhunën e ushtruar nga kolegu i tij me leva e sende të forta.

Një tjetër rast i ngjashëm ndodh në Tiranë, ku një efektiv i “Shqiponjave” grushton duke lënë të plagosur në mes të rrugës kolegun që e ndaloi për parakalim të gabuar. Ndërkohë, një tjetër efektiv akuzohet në Cërrik se I ka vjedhur 30 mijë euro një qytetari.

Syri Tv

Prej disa ditësh, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndodhen në një situatë të pazakontë me rendin. Në këtë rast, jo vetëm me elementet kriminale, por edhe me punonjësit në radhët e tyre. Bëhet fjalë për sherre me pasojë plagosjen mes efektivëve, por edhe akuzën e vjedhjes. Atmosfera festive për fundvit në radhët e policisë në Elbasan është mbyllur me përgjakje rrugësh pas një sherri mes kolegësh.

Syri Televizion sjell dëshminë ekskluzive të një efektivi rendi në Elbasan me inicialet E.H. Ky i fundit, teksa ndodhet pranë Spitalit të këtij qyteti dhe i fashuar në kokë, tregon se si një grup personash, mes të cilëve thotë se ka identifikuar njërin nga kolegët e tij, shtetasin R.M. kanë ushtruar dhunë me sende të forta. Ngjarja ka ndodhur pas përfundimit të festës së kolektivit, në ambientet e jashtme të restorantit ku festohej. E.H thotë se dhunimi i tij dyshon të ketë ardhur, pasi ka patur një përplasje më herët me kolegun R.M.

Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Elbasanit thotë se është për shkak të marrëdhënieve personale mes efektivëve. Më tej sqaron se kanë qenë të paarmatosur, pa uniformën e policisë dhe jashtë orarit të punës.  Nuk kishte kaluar shumë kohë dhe një tjetër rast i paprecedent regjistrohet në Tiranë. Ky është efektivi i ‘Shqiponjave’ Ylber Dybeli, i cili dhunoi kolegun e tij me inicialet N.H, me shërbim tek Patrulla e Përgjithshme. Efektivi me uniformë e sinjalizon të ndalojë kolegun e tij Dybeli, në rrugën e “Barrikadave”, pranë shkollës “Sami Frashëri”, teksa konstatoi një manovër të gabuar nga drejtuesi i mjetit me xhama të zinj.

Por Dybeli jo vetëm që nuk i është bindur kolegut, por ka nisur ta ofendojë me fjalor denigrues dhe goditur me grushta. N.H përfundoi në spital me fraktura, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.  Rasti i fundit është ndryshe por me protagonist po një punonjës policie i identifikuar si Geraldo Nela.

Qytetari Syrja Kuqja, me banim në Belsh, e kallëzon efektivin se gjatë një kontrolli të ushtruar pranë familjes së tij, i ka vjedhur 30 mijë euro në ambientet e jashtme të banesës. Nela është i vetmi efektiv i arrestuar nga rastet në fjalë, teksa policia i sekuestroi shumën prej 30 mijë euro që dyshohet se ia ka marrë Syrja Kuqjas. Efektivi i “Shqiponjave” që rrahu kolegun në Tiranë dhe ai i rendit që bëri të njëjtin veprim në Elbasan, ndodhen në kërkim. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe prokuroritë përkatëse kanë nisur hetimet, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë mori masat e pezullimit nga detyra. Rasti më ekstrem mes kolegëve kujtojmë se u regjistrua disa muaj më parë në Tiranë, ku Ludjan Zaimi, vrau me armën e shërbimit brenda komisariatit kolegun e tij Çaush Saliasi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco