Mashtrimi tjetër i Ramës në Berat/ Prezantoi ndërtimin e një landfilli, por...

Mashtrimi tjetër i Ramës në Berat/ Prezantoi ndërtimin e një landfilli, por...

18:03, 19/03/2021

Kryeministri Edi Rama del bllof për landfillin e Beratit pasi rezulton se punimet që inauguroi në shtator të 2020-ës nuk janë për landfillin që pretendon kreu i qeverisë, por në kuadër të një projekti me financim zviceran për pastrimin e territorit pranë lumit Osum.

Një pagesë e kryer për kompaninë ‘Salillari’ në 8 mars 2021, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë zbulon se si Rama përdori projektin duke e servirur si nisje e punimeve për landfillin.

Nga SYRI TV

Në Shtator 2020, kryeministri Edi Rama shpërndau në media një kronikë të gatshme, në të cilën shfaqej duke inspektuar ato që ai e konsideroi si punimet në landfillin e ri të Qarkut të Beratit.

Në atë shfaqje, Rama deklaroi se këto punime do i jepnin zgjidhje njëherë e përgjithnjë gangrenës së mbeturinave në 5 bashkitë e këtij qarku dhe se zona do të shndërrohej në një park të gjelbër falë projekteve të qeverisë së tij.

Siç ndodh rëndom në këto kronika të parafabrikuara, shfaqet vetëm Edi Rama duke folur në ecje, ndërkohë që nuk jepet asnjë detaj për vlerën e projektit, procedurat e ndjekura dhe fituesin e tenderit.

Megjithatë, në pamjet e prezantuara në videon e Ramës në Shtator 2020, shfaqen në mënyrë tangente mjete pune të kompanisë ‘Salillari’.

 ‘Syri TV’ bëri një hulumtim mbi mënyrën se si kompania private është kontraktuar për punime në atë që kryeministri Rama e konsideroi si landfilli i Beratit.

Pas shfletimit të dhjetra dokumenteve zyrtare, në përfundim rezultoi se ato që Rama shfaqi në video nuk janë punime për landfillin e Beratit.

Hulumtimi zbuloi se, deri më tani, nuk është zhvilluar asnjë tender për ndërtimin e landfillit të Beratit dhe se ‘Salillari’ është kontraktuar në kuadër të një projekti me financim zviceran për pastrimin e territorit pranë lumit Osum, që i paraprin ndërtimit të mundshëm të landfillit të Beratit.

E gjithë propaganda e Ramës rrëzohet nga një detaj i zbuluar së fundmi.

Në 8 Mars 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kryer një pagesë rreth 7 milionë lekë të reja për kompaninë ‘Salillari’, me shënimin ‘pagesë TVSH për Sistemin e Menaxhimit të Mbetjeve, qarku Berat’.

Kjo pagesë është një detyrim i parashikuar në Marrëveshjen mes Qeverisë Shqiptare dhe Sekretariatit për Çështjet Ekonomike të Konfederatës Zvicerane, SECO.

Në qershor të vitit 2020, qeveria shqiptare dhe SECO miratuan një Marrëveshje mbi ofrimin e ndihmës teknike dhe financiare për projektin ‘Menaxhimi i mbetjeve të ngurta në qarkun e Beratit’.

Sipas kësaj marrëveshjeje, qeveria zvicerane, nëpërmjet SECO, do të financonte 2.2 milionë franga zvicerane, ndërsa 5 bashkitë e qarkut Berat, konkretisht Berat, Skrapar, Ura Vajgurore, Poliçan dhe Kuçovë do të kontribuonin bashkërisht 200 mijë franga zvicerane.

Ky projekt përbëhej nga 4 komponentë.

Komponenti i parë ishte fuqizimi i kapaciteteve institucionale të bashkive në Qarkun Berat për menaxhimin e mbetjeve. Pra, më qartësisht, trajnime.

Komponenti i dytë ishte Përgatitja e Planit Rajonal, që konsistonte në identifikimin e nevojave të 5 bashkive për menaxhimin e mbetjeve urbane.

Komponenti i tretë ishte rritja e ndërgjegjësimit të publikut nëpërmjet takimeve.

Dhe komponenti i katërt ishte projektimi dhe zbatimi i masave afatshkurtra.

Në këtë komponent të fundit parashikohej edhe rehabilitimi i pikave ekzistuese të depozitimit për mbrojtjen e mjedisit pranë lumenjve.

Marrëveshja e thekson qartë se zbatimi me sukses i masave afatshkurtra do të evidentojë kapacitetin e bashkive për menaxhimin e mbetjeve, në një projekt të dytë të mundshëm, në nivelin rajonal.

Pra, Marrëveshja e Qershorit 2020 e parashikon qartë se cikli i punimeve afat-shkurtra mund t’i hapë rrugë ndërtimit të një landfilli në Berat, por ato në vetëvete nuk janë pjesë e landfillit të pritshëm.

Për këto masat afat-shkurtra, SECO do të kryente vetë procedurat e prokurimit dhe përzgjedhjes së bashkëpunëtorëve.

Ndërsa autoritetet shqiptare, e konkretisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, kishte për detyrim që të paguante rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për kompanitë e kontraktuara nga SECO për punimet në kuadër të atyre që quheshin masat afatshkurtra.

 

Dhe, pagesa që Ministria e Infrastrukturës ka kryer për ‘Salillarin’ lidhet pikërisht me detyrimin për t’i rimbursuar kompanisë private TVSH-në, për shërbimin që ajo kishte kryer për pastrimin e një prej pikave të depozitimit të mbetjeve, në bregun e lumit Osum.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco