Pronarët e inceneratorit të Tiranës

Pronarët e inceneratorit të Tiranës

- 14/02/2024

Nga Julian Hoxha

Afera e Inceneratorit është një biznes qeveritar dhe me lidhje të dyshimta që shkojnë përtej Shqipërisë…

Deklarata e Arben Ahmetajt për pronësinë e djegësit të Tiranës, ngre pikëpyetje të reja, por njëkohësisht edhe pista të tjera hetimit. Emisioni ‘Plug’, do të hedh dritë mbi pronësinë e Inceneratorit të Tiranës, por jo vetëm, dhe si ky biznes ka marrë bekim dhe garanci qeveritare për të vijuar aktivitetin pa asnjë pengesë, pavarësisht hetimeve të kryera deri më tani nga SPAK.

Kësaj pikëpyetje, emisioni ‘Plug’ do mundohet t`i japë përgjigje, duke zbërthyer skemën e pronësisë së inceneratorëve të Tiranës.

Do të marrin përgjigje pyetjet se:

Kush janë pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës?

Cilat janë kompanitë që fshihen pas aferës?

Cilat janë lidhjet e tyre me Iranin dhe Rusët?

A fshihet Erion Veliaj direkt pas pronësisë së inceneratorit të Tiranës?

Pse SPAK ka hetuar vetëm në sipërfaqe skemën e pronësisë së inceneratorëve dhe nuk i ka shkuar asaj deri në fund, ndonëse ka pasur indicie të mjaftueshme për të zbërthyer këtë skemë?

Le ta nisim nga nënshkrimi i kontratës. Në 31 gusht të vitit 2017, lidhet midis Ministrisë së Mjedisit si autoritet kontraktor dhe kompanisë Integrated Energy BV SPV, kontrata e koncensionit me objekt ‘Ndërtimi i landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimi i vendepozitimit ekzitues, Tiranë.

Kontrata parashikonte ndërtimin dhe operimin e inceneratorit të Tiranës, i cili do të duhet të kryente djegien e mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë. 

Kompania që do të zbatonte kontratën kocensionare, ishte ‘Integrated Energy BV’.

Për shkak se më herët kemi trajtuar procedurën dhe mënyrën si kjo kompani përfitoi kontratën koncensionare, në këtë emision do të flasim vetëm për strukturën pronësore të kompanisë, duke qartësuar a është ky një biznës me garanci qeveritare. Nga dokumentacioni i administruar rezulton se në Akt themelimin e shoqërisë ‘ ‘Integrated Energy B.V, (sot me emrin e ri tregtar ‘Geogenix B.V’) janë 3 aksionerë:

‘Integrated Technology Services’ sh.pk, me adresë zyre rruga ‘Abdi Toptani’, godina ‘Torre Drin’, Tiranë, me administrator shtetasin Klodian Agim Zoto.

‘Energy Recuperator S.P.A’ me përfaqësues ligjor shtetasin Ernesto Granelli, lindur në Carpenedolo, Itali, i datëlindjes 08.12.1944.

Paul Wurth Italia SPA’, me përfaqësues ligjor shtetasen Thота Balter Hanisminan lindur në Aachen, Gjermani me datë 23.10.1961,

Këto tre kompani, pra ‘Paul Uurth Italia S.P.A’ aksioner me 45%, ‘Energy Recuperator S.P.A’ aksioner me 30% dhe ‘Integrated Technology Services’ aksioner me 25%, autorizuan shtetasin Freek Hilberdink që të themelonte kompaninë ‘Integrated Energy BV’ në Hollandë. Themelimi i kësaj shoqërie është bërë në datën 19 gusht 2016 pranë noterit hollandez në Amsterdam, Gilian Renkema.

Kompania ‘Integrated energy B.V’ me seli në Hollandë, pati si kapital themeltar shumën e 50 mijë eurove, të ndara nominalisht në aksion prej 1 euro. Aksionet janë zotëruar në mënyrë të tillë: 22500 aksione ose 45 përqind e tyre nga kompania ‘Paul Uurth Italia S.P.A., 15.000 aksione ose 30% nga ‘Energy Recuperator S.PA’; (themeluesi 2); 12.500 aksione ose 25% nga ‘Integrated Technology Services ‘sh.pk themeluesi 3.

Kjo marrëdhënie bashkëpunimi mes tre kompanive, Paul Ëurth Italia, Energy Recuperator dhe Integrated Technology Services, si themeluese të kompanisë Integrated Energy BV, ishte parashikuar të zgjaste deri në momentin që do të përfitohej kontrata koncensionare e inceneratorit të Tiranës. Arsyeja ishte e thjeshtë, duheshin përdorur për procedurën tenderuese.

Që të fitohej kontrata koncesionare, duhej që kompanitë pjesëmarrëse në garë të garantonin autoritetin kontraktor, se kishin kapitalin e nevojshëm për të kryer investimin prej 128 milionë euro të parashikuar në studimin e fizibilitetit. Për këtë arsye, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përdorën kompaninë italiane, Paul Ëurth Italia. Një ndër kriteret kryesore të vlerësimit të kontratës koncesionare është kapaciteti financiar dhe eksperienca ndërkombëtare e aksionerëve.

Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur emrin e kompanisë Paul Ëurth Italia, vetëm për të plotësuar formalisht kriteret financiare për të përballuar investimin 128 milionë euro. Vetëm katër muaj pasi u lidh marrëveshja mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë bijë të këtyre kompanive, Integrated Energy B.V. SPV, me përfaqësues Klodian Zoton, dy kompanitë themeluese u tërhoqën nga shoqëria holandeze Intevgrated Energy BV, duke ia shitur aksionet, kompanisë Integrated Technology Service të Klodian Zotos. Në kontratën e shitjes të datës 28.12.2017 midis Paul Ëurth Italia (shitës) dhe Integrated Technology Services (blerës) parashikohet se:

‘Në përputhje me marrëveshjen paraprake të bashkëpunimit të datës 29.07.2016 midis palës shitëse dhe blerëse parashikohet që në momentin e përfitimit të kontratës koncesionare nga autoritetet lokale, shitësi duhet të transferojë aksionet te blerësi, dhe se çmimi i blerjes është 22.500 euro.’

E njëjta gjë ndodhi dhe me themeluesen tjetër të Integrated Energy BV në Hollandë, kompaninë Energy Recuperator. Në kontratën e shitjes, të datës 12 janar 2018, midis Energy Recuperator, shitës dhe Integrated Technology Services, blerës parashikohet se:

‘Në datën 29.07.2016 midis palès shitëse dhe blerëse është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në të cilën është vendosur që në momentin e përfitimit të kontratës koncesionare nga autoritetet lokale shitësi duhet të transferojë aksionet te bleresi dhe se çmimi i blerjes është 15.000 euro.’

Pra ishte përcaktuar më një marrëveshje 3 javë përpara themelimit të kompanisë Integrated Energy BV që do të ishin vetëm për të mashtruar autoritetet shqiptare.

Si rrjedhojë, në datën 12.01.2018, Integrated Technology Services me aksioner të vetëm Klodian Zoto bëhet 100% aksioner i kompanisë Integrated Energy BV, me seli në Hollandë. Pra, deri këtu ndodh ndryshimi i parë i pronësisë së kompanisë Integrated Energy BV SPV, e cila fitoi kontratën koncensionare të inceneratorit të Tiranës.

Por vetëm dy muaj pasi Klodian Zoto merr në pronësi 100 përqind të aksioneve të kompanisë Integrated Energy BV SPV, ai rishet këto aksione. Në datën 20.03.2018 Integrated Technology Services i'a shet aksionet  Giuseppe Ciaffaglione. Në kontratë përcaktohet se çmimi i shitjes së aksioneve është 463.000 euro që do të paguhen me këste 6.500 euro/muaj duke filluar nga prilli 2018.

Giuseppe Ciaffaglione, është një shtetas Italian, me profesion Kaldaist, i cili kishte një kontratë konsulence me kompaninë e Inceneratorit të Fierit, e cila ishte në pronësi të Klodian Zotos, ku do të përfitonte një shumë 300 mijë eurosh, ndërsa si administrator i Integrated Energy BV SPV, do të paguhej me 5 mijë euro në muaj.

Thënë më qartë, kompania Koncensionare e Inceneratorit të Tiranës, i shitet me këste punonjësit të saj Giusepe Ciaffaglione, i cili nga kaldaist i Klodian Zotos, bëhet pronar i vetëm i kompanisë koncensionare, që do të duhet të investonte 128 milionë euro kapital të vetin aksionar.

Kjo është deklarata e Gabriele Tarraoni Longinotit, dhënë për emisionin Piranjat në Syri Tv një vit më parë, ku zbuloi gjithashtu të dhëna të rëndësishme se Giuseppe Ciaffaglione në fakt ishte një ‘presta nome’ i shoqërive që kishte krijuar Alberto Presezzi dhe të tjerë. 

Në fakt, Giusepe Ciaffaglione, nuk i pagoi kurrë paratë për blerjen e aksioneve të kompanisë mëmë të inceneratorit të Tiranës, Integrated Technology Service.

Këtë ai e dëshmon në një e-mail për drejtorin e Geogenix, Marc Lappat, e-mail që emisioni ‘Plug’ e disponon ekskluzivisht dhe e publikon për herë të parë.

Në këtë e-mail Ciaffaglione i cilëson këto aksione në vlerë qindra miliona euro si dhuratë.

Në e-mailin e datës 29 mars të vitit 2023, Giuseppe Ciaffaglione i shkruan si më posht Marc Lappat:

Po shpjegohem më mire Marc, mbase kujton dhe ti: dokumentacioni i kërkuar nga unë, janë një prioritet i imi dhe është në interesin tim të kem një kopje. Historiku i kompanisë, ti e di mirë se çfarë nënkupton, gjithsesi po ta përmbledh me shpresën se do kem përgjigje. Në mars të 2018, jam shoqëruar nga Denisa për të mbyllur blerjen dhe kalimin e aksioneve, del Granelli Ernesto, PW Energy, ITS dhe më kalohen mua 99% nga ITS. Kontrata e firmosur në Civilence në Mars 2018 përcaktonte një pages mujore në favor Z.KL. Në fakt nuk i kam paguar kurrë këto aksione dhe nuk është respektuar kontrata e shkruar nga Civilence.  Në të njëjtin moment i është kaluar Almares BV e përfaqësuar nga Marc Lappat, në mars te 2018 detyra e drejtimit administrativ të kompanisë IE BV Hollandë. Në Aktin Noterial zonja Denisa kishte prokurën dhe mbante korrespodencën me ty për dokumentacionin. Në 2022 kanë ndryshuar aksionet, të ndara me FT, ICARE, HYDROS etj. Aksionet e mia përcaktohen 19%, nuk rezulton asnjë pagesë nga ana ime për këto aksione, mendoj që më janë dhënë dhuratë.

Siç shprehet dhe në email, në 10 maj të vitit 2022 Giuseppe Ciaffaglione shet 40% të aksioneve kompanisë Franco Tosi Meccanica spa dhe 40% Icare Holding s.a.

Të dyja kompanitë i kanë blerë këto aksione në vlerën 312.000 euro secili dhe kjo shumë do të paguhet brenda datës 30 nëntor të vitit 2023, as këto pagesa nuk janë kryer kurrë.

Këto kompani do i përfitojnë këto aksione me kushtin që secila duhet të garantojë financimin e projektit të inceneratorit të Tiranës dhe minimalisht 60.000.000 euro nga financimi i borxhit të jetë kaluar në llogari të  Kompanisë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, kompanitë do i kthejnë aksionet pa kosto te shitësi (Giuseppe Ciafagglione).

Aktualisht, kompania Geogenix BV, ka si aksioner të saj, kompanite Icare Holding me 40% të aksioneve, Hydros SRL me 0.01% të aksioneve, Franco Tosi Mecanica me 40% të aksioneve dhe Giuseppe Ciaffaglione me 19.9 % të aksioneve.

Emisioni ‘Plug’, disponon  dokumente të mbledhjeve të përbashkëta midis tre aksionerëve, ku flitet për gjetjen e investimit. Por fillimisht, do të trajtojmë dy kompanitë e reja që futen si aksionere të Geogenix, pikërisht kompania italiane Franco Tosi Mecanica dhe Icare Holding sa, me seli qëndrore në Zvicër.

Kompania ‘Franco Tosi Mecanica’, është në pronësi të shtetasit Alberto Presezzi. ky i fundit rezulton se është një nga aksionerët kryesor të kompanisë ‘Geogenix’, ish Integrated Energy BV. Sipas të dhënave nga qendra kombëtare e biznesit, Presezzi është pronar përfitues me 40%.

Mirëpo, një mik dhe bashkëpunëtor i afërt i Alberto Presezzit, Gabirele Tarroni Longinoti, në deklaratën e dhënë për emisionin ‘piranjat’ një vit më parë, së fundi ka folur dhe për emisionin ‘Kronos’, ku ka treguar të dhëna të rëndësishme për Alberto Presezzin. Sipas Gabriele Tarronit, në zyrën e Presezzit kanë ardhur shpesh politikan shqiptar, ndërsa ai vetë, ka qenë i pranishëm në dy takime që Presezzi ka zhvilluar në Tiranë me kryebashkiakun Erion Veliaj.

Madje, biznesmeni Italian, që sot ndodhet në Dubai, tregon se ish-shoferi i tij Miliad Lopa, i kishte treguar se midis viteve 2017-2018, kishte udhëtuar drejt Teheranit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për disa takime të rëndësishme.

Kjo dëshmi nuk u mor kurrë nga SPAK, madje, SPAK deri më sot nuk e ka pyetur kurrë Gabriele Tarronin Longinotin për deklaratat e tij, që lidhin Erion Veliajn, Alberto Presezzin me Iranin… Tarroni është dëshmitari i munguar i SPAK…

Mirëpo, teksa SPAK ka heshtur përballë këtyre deklaratave, deri më tani është e faktuar, se Alberto Presezzi, që dëshmohet se është takuar disa herë me Erion Veliajn, ka një bashkëpunim të ngushtë me kompaninë shtetërore iraniane të energjisë, Mapna Group. Në vitin 2015, Alberto Presezzi dhe kreu i kompanisë Mapna group, Abbas Aliabadi, kanë themeluar kompaninë ‘Tuga Franco Tosi Mecanica’. Madje emisioni Plug, risjellë për herë të parë dokumente që tregojnë se si kompania e Alberto Presezzit dhe Mapna, kanë zbatuar disa projekte të përbashkëta gjatë viteve të fundit në fushën e energjisë dhe jo vetë,..

Kjo e dhënë, tregon lidhjen e inceneratorit të Tiranës me regjimin e Teheranit, pikërisht nëpërmjet kompanisë Franco Tosci Mecanica. Madje, Alberto Presezzi, ortaku i komapnisë shtetërore iraniane të energjisë, ka pasur dhe një takim në vitin 2017 me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit, në axhendën  e 30 janar 2017, të kthtyer në pikturë, ka pasur takim pasdite me Alberto Presezzin, Miliad Lopën dhe një tjetër person, të shoqëruar nga Erion Braçe.

Kjo ëshë denoncuar dhe nga lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili vitin e kaluar, denoncoi madje edhe një tjetër skandal, ardhjen e Alberto Presezzit dhe Miliad Lopës në agjencinë e pronave të sekuestruara në Tiranë, e cila administron inceneratorin e sharrës pas sekuestrimit nga SPAK.

Në atë kohë, gazetarët tentuan të pyesnin Alberto Presezzin për këtë aferë, por ai dhe Miliad Lopa hezituan të përgjigjen….

Veç kompanisë Franco Tosi Mecanica, 40% të aksioneve, i disponon edhe kompania zvicerane Icare Holding SA në pronësi të shtetasit Max Abitbol.

Pasi u bë pjesë e pronësisë së kompanisë “Geogenix” ish-kompanisë Integrated Energy BV, kompania Icare Holding SA, hapi filialin e saj në Shqipëri. Në datën 4 tetor 2022 themelohet kompania ICARE Energji ndërsa në QKB, regjistrohet në datën 7 tetor 2022.

Sipas të dhënave në ekstraktin historik nxjerr nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ICARE Energji ka emëruar si administratore shtetasen Marigona Metaj. Kompania drejtohet nga një këshill administrative i përbërë nga Max Abitbol, Joel Jacques Jean Chevallaz dhe shtetasi Blerim Hoxha.

Ky i fundit, u përmend dhe nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj në emisionin Çim Peka Live, duke ngritur jo pakë pikëpyetje mbi figurën e Blerim Hoxhës.

Po kush është Blerim Hoxha? Çfarë e lidh atë me inceneratorin? Kush janë njerëzit që ai bashkëpunon dhe kompanitë me të cilat shfaqet jo vetëm te incneratori i Tiranës?

Çfarë e lidh Blerim Hoxhën me paratë ruse dhe a do të financohet inceneratori i Tiranës nga të tilla burime? Le të flasim më gjatë për këtë personazh, që u zbulua dhe denoncua për publikun e gjerë nga ish-numri dy i qeverisë Rama, Arben Ahmetaj.

Emri i Blerim Hoxhës nuk është i panjohur në Shqipëri në fushën e biznesit gjatë qeverisë socialiste.  Blerim Hoxha është një shtetas nga Kosova. Blerim Hoxha rezulton se është ish-zotërues i komapnisë Tosk Energy, e cila për disa vjet shfrytëzoi Rafinerinë e Naftës në Ballash, një tjetër histori aferash dhe dështimi të qeverisë Rama.

Blerim Hoxha shfaqet në biznesin e hidrokarbureve në Shqipëri në vitin 2015. Ai themeloi kompaninë “Tosk Energji” në qershor të vitit 2015, kapitalin e së cilës e zotëronte vetë në 100-përqind të aksioneve. Në 26 maj të vitit 2016, Blerim Hoxha ia shet aksionet kompanisë Zvicerane CDF LONSEILS SARL me përfaqësues ligjor dhe pronar shetasin Francez CHRISTOPHE DARBORD.

Christope Darbord në vitin 2015 ishte emëruar si administrator i kompanisë ARMO sh.a.

Teksa Blerim Hoxha dhe Christope Darboard kryenin këto lëvizje, në Shqipëri kishte nisur kalvari i dhënies me qera të Rafinerisë së Naftës në Ballsh. Pikërisht në vitin 2016, rafineria merret me qera nga kompania IRTC SHA e regjistruar në Virgin Islands në administrim të familjarëve të biznesmenit Besnik Sulaj

Por pasi IRTC nuk arriti të paguante kredinë me të cilën ishte financuar ky operacion, rafineria e Ballshit iu kthye sërish bankës.

Në shkurt 2018, kjo kompani materializoi një marrëveshje me shoqëritë Bylis dhe Tosk Energji, dhe ato punuan në Ballsh deri në 17 shtator 2019. Por le të ndalemi pak këtu.

Christope Darbord dhe Blerim Hoxha duket se ishte pas të dyja kompanive, Byllis Energji dhe Tosk Energji, por ata vetë nuk kishin fonde për të rivënë në punë rafinerinë e naftës në ballash. Ndaj, më herët, kishin siguruar financime nga kompani në pronësi të një oligarku rus i futur në listën e zezë nga presidenti Barak Obama.

Në tetor të vitit 2016 kompanitë TOSK ENERGJI e Blerim Hoxhës, CDF LONSEEILS SARL dhe SKYSEA B.V e registruar në Hollandë, lidhin një kontratë pengu, ku në marrëveshje, kompania SKYSEA B.V citohet dhe si GUNVOR, ose Pengmarrësi.

Sipas marreveshjes kompania GUNVOR  në pronësi të oligarkut rus, Gennady Timchenko, do t’i jap kompanisë TOSK ENERGJI, 13.000.000 EURO borxh. Një muaj para kësaj kontrate Pengu, kishin ndodhur disa ndryshime në këshillin e administrimit të kompanisë, ku shtohej Christophe Darbord, Hoang Gia Mai (shtetas zviceran drejtor i GUNVOR), Joel Xhevallaz dhe largohen Enver Maçastena, Behar Reçica dhe Lumbardh Kukaj.

Gjithashtu, administrator i kompanisë caktohet Blerim Hoxha, i cili kishte vetëm pak kohë që kishte shitur aksionet e kompanisë për Christophe Darbord. Po në tetor të vitit 2016, nga Drejtoria e Pastrimit të parave bllokohet shuma 13 milion euro pasi kompania Gunvor ishte në listën e zezë të USA, transferta zhbllokohet pas disa ditëve. Mirëpo ky transaksion do të lejohej të kryhej pak kohë më vonë pas një marifeti me regjistrimin e kompanisë SKYSEA e regjistruar në hollandë nga një studio ligjore shqiptare.

Në gusht të vitit 2017 lidhet një marrëveshje e re huaje mes TOSK ENERGJI, CDF LONSEILS SARL dhe GUNVOR SA.  Marrëveshja do përfundonte në muajin tetor, e po në të njëjtin muaj, lidhet një tjetër marrëveshje mes palëve. Ndërsa në vitin 2019 autorizohet shtetasja Marigona Metaj, po punonjëse e kompanisë ICARE HOLDING s.a, të kryente veprimet bankare.

Por kush është ky shtetas, Christophe Darbord? Në fakt emri që lidh të gjitha kompanitë, që morën rafinerinë e naftës në ballsh që nga fillimi në vitin 2015 deri në shkatërrimin e saj, është Christophe Darbord.

I cili prej fillimit te vitit 2015 eshte administrator i kompanise ARMO sh.a. Më konkretisht, Christophe Darbord u emërua në krye të ARMO-s në datën 26 shkurt të vitit 2015. Mirëpo, emri i Christophe Darbord, del edhe si drejtor i përgjithshëm te kompania aksionere e Inceneratorit të Tiranës, ICARE.  ICARE është një kompani e regjistruar në Zvicër dhe punonjës të saj të faktuar tashmë janë Christophe Darbord, Blerim Hoxha dhe Marigona Metaj, kjo e fundit ka qenë dhe në shqipëri ku ka vizituar nga afër ambientet e inceneratorit.

Nga sa analizojmë këto kompani që janë të regjistruara sa në Zvicër e në Hollandë kanë lidhje financimi nga GUNVOR SA një kompani ruse e futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga ish-presidenti Obama. Icare sipas dokumentave që disponojmë është kompania që do të siguronte fondet 100.000.000 euro për të financuar Inceneratorin nëpërmjet një kompanie Amerikane ETHOS ASSETS MANAGEMENT e më pas këto para do të përfundonin në një tjetër kompani në pronësi të ICARE e regjistruar në Dubai, LITËIN SA.

Por si lidhen kompanitë Icare dhe Franco Tossi.

Deri tani kemi treguar në mënyrë kronologjike se këto dy kompani kanë patur herët mardhënie biznesi në Shqipëri dhe në sektor shumë strategjik e që nuk mund të ishin pa bekimin e qeverisë.

Kemi treguar sesi Kryeministri Rama është takuar me përfaqësues të kompanisë Franco Tossi, pikërisht me shtetasin Alberto Pressezi në vitin 2017.

Po ku bëhen bashkë këto dy kompani?

Në vitin 2018 , Blerim Hoxha ka postuar në rrjetin e tij social Facebook një foto nga rafineria në Ballsh. Në foton që emisioni “Plug” e publikon sot ekskluzivisht, Blerim Hoxha shfaqet me Christophe Darbord dhe një shtetas të huaj të paidentifikuar nga ne, ndërsa ajo që bie në sy është fakti se në foto janë katër flamuj, ai Shqiptar, Zviceran, Kosovar dhe flamuri Iranian.

Nëse 3 flamujt e parë kanë një llogjikë pasi lidhen me origjinën e njërzve në foto dhe vendin ku bëhët ajo fotografi, flamuri i katërt, ai Iranian, mbetet të lidhet vetëm me shtetasin e 3 të paidentifikuar nga ne.

Pra, kjo ngre një tjetër pikëpyetje se në këtë foto bashkohen pikërisht paratë ruse dhe ato iraniane, të cilat dyshohet se veç hidrokarbureve do të financionin dhe biznesin e inceneratorëve në Shqipëri. Këto të dhëna, tregojnë se këta persona ishin në Shqipëri fill pasi socialistët morën pushtetin, duke investuar apo shfrytëzuar sektorë strategjikë të ekonomisë së vendit.

Kjo foto ku valevitet flamuri Iranian po ku ne hije mbetet dhe flamuri rus, lidhjet me të cilin i shpjeguam më sipër, nuk është thjeshtë epitafi i icenaratorit të Tiranës, por dhe strategjia bazë e kryeministrit Rama, në çdo koncesion, pothuaj në çdo sektor, për të patur në dorë para të pista për të blerë mediat, për të paguar në të zezë lobistët e huaj, McGonigal dhe zgjedhjet.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco