Të kërkosh normalizimin te i sulmuari!

Të kërkosh normalizimin te i sulmuari!

Nga Dren Dushi - 25/10/2023

Jemi në një rrethanë të re, të paktën këtu në Kosovë, meqë vrasja e Policit Afrim Bunjaku ndonëse nuk paraqet ndonjë çështje (siç po shihet) me rëndësi të madhe në Bruksel, për Kosovën është kthesë tepër e madhe. 

Të jesh Polic shqiptar në Kosovë, sidomos nëse shërben në veri të vendit, që nga vrasja e Policit Bunjaku, do të thotë të jesh një cak i mundshëm për eksplozivë apo plumb, pra do të thotë të jesh një lloj ushtari në vijë të frontit, por me një dallim, pa kapacitetet e ushtarit. 
KFOR-i nuk besoj të ketë dështuar, meqë ata nuk janë një forcë ushtarake që dështojnë kaq lehtë, kaq jo-profesionalisht, që nën vëzhgimin e tyre, të krijohet një forcë guerile e armatosur nga Milan Radoiçiq nën udhëheqjen e shërbimeve serbe, dhe t’ia mësyjnë Kosovës për ta prerë një copë të territorit të saj, në shërbim të Presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Jo, kjo nuk mund të jetë serioze, e besueshme, dhe ç’është e vërtea, kjo ndikon negativisht në kredibilitetin e politikës ndërmjetësuese në përgjithësi, për rastin Kosovë-Serbi. 

Në esencë, KFOR-i që nga koha kur grupet e njejta kriminale por vetëm pa uniforma dhe armë ushtarake, në protestën ku u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it, dhe njëri humbi edhe një këmbë, qenë udhëzuar nga politika, që të qëndrojnë si murr ku shfryejnë kriminelët duke hedhur gurë, duke ushtruar dhunë me shufra. Pra KFOR-i është një mjet që përdoret nga politika, e politika e tanishme ndërmjetësuese Kosovë-Serbi, është në një gjendje shumë paradoksale, për të mos thënë diç më të rëndë, është në një gjendje ku i kërkon normalizimin të sulmuarit, sanksionon një shtet meqë Kryetarët e Komunave hyjnë në objekte komunale, pas zgjedhjeve totalisht të lira dhe demokratike, të pranuara madje po nga ta. 
Por si arritëm deri këtu? 

Aktualisht, në Hungari kemi një establishment politik i cili nuk shkon në linjë të plotë me politikat e BE-së, karshi aktiviteteve të Rusië. Kishte rrezik potencial edhe në Poloni, por që zgjedhjet dhanë një rezultat i cili akoma e mban Poloninë të lidhur ngushtë me BE-në. Pra BE, nuk është në ditët e saja më të mira sa i përket unitetit të brendshëm për shumë çështje. 
Se Serbia nuk e pyet fare perëndimin, u pa në Samitin për Procesin e Berlinit në Tiranë, ku të gjitha vendet e rajonit përfaqësoheshin nga niveli më i lartë, përveç Serbisë. Serbia kishte vendosur që nivelin më të lartë ta dërgonte në Kinë, të fuqizonte raportet tregtare dhe energjetike me Kinën, dhe të konfirmonte besnikërinë te Putini, që tashmë e ka shpallur Presidentin Kinez Xi Jinping lider të botës. 

Duke qenë se për Serbinë samiti i Tiranës, ku ishin të pranishëm edhe liderë të superfuqive evropiane, nuk qe më i rëndësishëm se takimi në Kinë, tregon se edhe Serbia është në linjë me Putinin, në konstatimin e përbashkët se lider bote (që pas invazionit rus në Ukrainë) është Xi Jinping, një tmerr ky për Brukselin vardisës. 

Pa dyshim, që Presidenti i Serbisë Vuçiq është një njeri i menqur, dhe ai me këtë veprim, përveç që ka sfiduar perëndimin, i ka bërë të ditur se ai ka përherë një derë rezervë, për dallim nga pala jonë, Kryeministri Kurti, që nuk ka një derë të tillë. 

Këtu qëndron esencialisht edhe problemi në dialogun Kosovë-Serbi. Ndonëse i dështoi sulmi në veri të Kosovës, Presidenti Vuçiq ia bëri me dije perëndimit se ai është aq i fortë, sa që edhe kur gabon, nuk çan fare kokën, meqë ka ku të shkoj, në Kinë apo Rusi, madje sipas Ministrit të Brendshëm të Kosovës zotit Sveçla, Serbia po bëhet gati edhe për një tjetër sulm të ngjashëm në veri. 

Natyrisht, që politika ndërmjetësuese e Brukselit ka arritur deri në atë stad, saqë nuk kanë guxim të vendosin sanksione ndaj Serbisë, edhe pas mundësimit të sulmit terrorist në veri, i cili mund të quhet më mirë, edhe pas tentim përdorimit të taktikave të Donbasit dhe Krimesë në Kosovë. Dhe nuk është e çuditshme kjo, përse të presim e kërkojmë sanksione të BE-së ndaj Serbisë, teksa KFOR-i qe instruktuar të injoronte (se mos nuk dinin gjë KFOR-i për miliona euro armatim dhe 100 paramilitarë që operonin në kohë krize në veri?) zhvillimet taktike serbe në veri. Sigurisht, që KFOR ka të drejtë të thotë, Kosova nuk është sulmuar nga Sebia, andaj ne nuk mund të marrim asnjë veprim, meqë këto janë thjeshtë grupe terroriste me të cilat duhet marrë Policia e Kosovës, dhe kjo na kthen pas te një problem tjetër. Por a kemi edhe ne të drejtë të themi, se KFOR-i nuk duhet të merret me protesta të civilëve? 

Me vetëm disa dhjetëra forca speciale të Policisë së Kosovës, shtrohet pyetja, a mund të përballet Kosova me qindra terroristë të armatosur me mjete ushtarake, meqë Kosovës (në kohën e Hashim Thaçit) i ishte bërë presion (deri në pranim nga ky i fundit) që të hiqte dorë në përdorimin e FSK-së në veri pa miratimin e KFOR-it? Sigurisht, përsëri mund të përdoret i njejti argument, FSK përdoret në rast të sulmit nga ushtritë e jashtme, dhe jo nga grupet terroriste, një shah-mat i Milan Radoiçiqit, me taktikat ruse në Ukrainë, por edhe një rrethanë që garanton në të ardhmen disbalancë mes forcave shqiptare dhe serbe, kur Vulini të ketë vendosur për një tjetër sulm. 
Një paradoks potencial i rradhës: 

Anipse kanë filluar hetimet (dhe deklaratat se duhet të ketë hetime transparente) për ngjarjet në veri, nuk ka ndonjë sanksion/masë ndaj Serbisë, përkundrazi, mbesin në fuqi masat ndaj Kosovës, dhe nën masa, Kosova shkon përsëri, e sulmuar dhe sanksionuar, në Bruksel për të takuar sulmuesin, dhe nën ndërmjetësimin e sanksionuesve. Nuk do të besoja kurrë që politikat e BE-së, demokracive të avancuara, të vinin deri në këtë nivel të hipokrizisë, meqë besoja se nuk mund të kthehej diplomacia e shekullit 19, në shekullin 21, por siç duket, lufta i kthen të gjithë, aty ku kanë qenë përherë. 

E ajo që më së shumëti do kishte gjasë për kampion të paradoksit, do të ishte refuzimi i Vuçiqit në Bruksel, për “modelin evropian” të Asociacionit me të cilin do të njoftohemi javët në vazhdim. Kjo përfundimisht do të thoshte se Serbia, do luaj lojë të gjatë me perëndimin, sipas instruksioneve të “liderit të botës” Xi Jinping dhe “liderit të luftës” Vladimir Putin. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco