Rreth draft-statusit të aktualizuar nga Presidentja Osmani

Rreth draft-statusit të aktualizuar nga Presidentja Osmani

Nga Dren Dushi - 05/10/2023

1. Plani B (që dështoi) i Serbisë për Veriun

Sipas të drejtës ndërkombëtare publike, që e njihte në nivel par-excellence Profesori i ndjerë Zejnullah Gruda, librin e të cilit (me po emër “E Drejta ND Publike”) duhet ta lexojmë shumë e me kujdes  sidomos këto kohë, flitet e sqarohet shumë mirë njohja, njohja de-facto, de-jure, por edhe njohja e kryengritësve. Kjo e fundit, është një çështje që duhet sqaruar diç më tepër, sidomos pas de-konspirimit të aktivitetit terrorist serb në Veri të vendit. 

Plani që unë po e quaj B, meqë Plani A ishte një Srbska Republika 2 sipas marrëveshjes së vitit 2013, të cilin e frenoi për shumë vite Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ishte që në Veri të Kosovës, të krijohej një kryengritje serbe, e armatosur, e cila vendoset në zonën ku dominon popullësia serbe. Pas arritjes së kësaj, pra krijimit të një akteri të ri ndërkombëtar, të njiheshin Kryengritësit si palë, nëse jo nga të gjithë, të paktën nga vende si Serbia, Bjellorusia e Rusia. Teksa të njiheshin “de-facto” edhe nga ndërmjetësuesit, të cilët nga ajo që kanë performuar deri tani, nuk besoj se do hezitonin. 

Në këto rrethana të reja, Kosova do kishte tri adresa për negociata; Serbinë, Kryengritësit dhe Ndërmjetësuesit. Plan jo aq i keq, sa realizimi i tij. Po qe i suksesshëm, dhe nëse do dëgjonim çdo kritikë e sygjerim se nuk duhet të kemi prezencë të konsiderueshme të sigurisë policore në veri, Kosova sot do të gjendej në një situatë shumë më të vështirë. Nuk dua të dyshoj se kritikat dhe kërkesa për mos prezencë policore në veri, kishin për qëllim këtë plan. 

Por ky plan nuk mbaron me kaq. Sipas të drejtës ndërkombëtare publike, kryengritja e armatosur e një rajoni, brenda një shteti, konsiderohet çështje e brendshme, dhe shtetet fqinje nuk ndërhyjnë. Siç shpjegon në librin e tij Profesori Gruda, ndërhyrja mund të bëhet vetëm kur shteti fqinj konsideron se po i rrezikohet siguria, të cilin konstatim mund ta përdor me ose pa të drejt Serbia. Kjo shpjegon, të paktën si presoin teorik, përse Serbia ka dislokuar kaq shumë forca në kufi me Kosovën, por kjo shpjegon edhe arsyen përse Britania e Madhe po dërgon 300 ushtarë shtesë në Kosovë, dhe se ka zëra se të njejtën gjë do e bëj edhe Gjermania. 

Mundësia që Serbia të sulmoj ushtarakisht Kosovën është e vogël, por mundësia për një tjetër sulm terrorist, dhe eskalim të situatës është më e madhe se e para, sidomos në shërbim të idesë për Kryengritke, e cila ndonëse është stopuar, nuk ka vdekur si ide. Meqë Kosova tashmë doli të ketë vepruar komplet sipas rrethanave, dhe se nuk e ka tepruar asnjë rast, qoftë me prezencë të forcave policore, qoftë me hezitimin për ta shndërruar Dakordimin e Ohrit në një “meny” ku Vuçiqi zgjedh ç’të dojë, e nuk nënshkruan asnjë obligim ndërkombëtar, ne mund fare lehtë të konsiderohemi fitues të deri-tanishëm në këtë luftë diplomatike, por edhe të terrenit, pavarësisht zërave kritik nga jashtë e nga brenda, këta të fundit të pa-falshëm. 

2. Vizioni që po ndjek Presidentja Osmani

Duke qenë se për herë të parë pas shumë muajsh, Kosova gjendet në pozitë më të mirë se Serbia, për sa i përket të drejtës, duke qenë se Kosova tashmë ka marrë vëmendjen e madhe nga shumë akterë diplomatik, dhe se Serbia është nën hetim ndërkombëtar për financim, mbështetje dhe mundësim të aktivitetit terrorist në Kosovë, plasimi i një draft-statusi për Vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës, në bashkëpunim me SHBA-të, dhe garancën e tyre për respektim të sovranitetit dhe Kushtetutës së Kosovës, mund të jetë vendosje në pozitë penalltie për Serbinë. 

Por kjo nuk do të thotë diçka keq për Serbinë, e mirë për Kosovën, por mirë për të dyja palët. Kjo sespe Kosova nuk ka lluksin të jap kompentenca ekzekutive një akteri politik qoftë me emrin Vetëmenaxhim apo Asociacion,  i cili ka tendencë të shndërroj Kishtat Ortodokse në kazerma ushtarake. Për dallim, ka lluksin të propozoj një draft-status të vetin, sipas rendit tonë demokratik e Kushtetues, në këto kohë kur çdo gjë është më e qartë, dhe çdo qartësim i jep të drejt Kosovës dhe një zgjidhje sa më evropiane. 

Presidentja Osmani e ka blerë mirë situatën, ajo është një politikane karriere, një diplomate tashmë me eksperiencë të mirë, ka mbrojtur Kosovën në shumë raste edhe juridikisht edhe politikisht. Presidentja e di mirë që tashmë është momenti që Kosova të jap mundësinë për një marrëveshje finale me Serbinë, marrëveshje e cila hap dyert e Evropës për të dyja vendet, pa cënuar sovranitetin vise-versa.  

3. Refuzimi potencial i Serbisë 

Para se të ecim tutje, qoftë me propozimin tonë për draf-statusin, i cili i hap rrugë dakordimit të Ohrit që të bëhet Marrëveshje (traktat) ndërkombëtar, ne duhet të presim hetimet ndërkombëtare jo vetëm për sulmin terrorist, por edhe për ndonjë neglizhencë potenciale që mund të ketë qenë e qëllimshme, qoftë edhe nga ana e KFOR-it, siç edhe kërkoi dëshmitari i Masakrës së Reçakut, Ambasadori William Walker.  Pas këtij hetimi, Kosova duhet ta ketë të gatshëm draf-statusin e vet për Vetëmenaxhimin e Komunave serbe të Kosovës, i cili pra duhet të jetë komplet në koordinim me SHBA-të dhe aleatët tjerë si Britania e Madhe dhe Gjermania. Për më tepër, ky draft-status, nuk duhet të jetësohet, pa garancën se njohja de-fakto e Serbisë, nuk tërhiqet, dhe nëse tërhiqet (meqë njohja de-facto mund të tërhiqet), rrëzohet tërë marrëveshja e Ohrit, përfshi Vetëmenaxhimi. 

Në këto rrethana, refuzimi potencial i Serbisë, do të ishte i ngjashëm me refuzimin e Marrëveshjes së Rambujesë, refuzim i cili nuk i doli mirë Serbisë, por i doli mirë Kosovës. Edhe këtë herë, ideja e draf-statusit në këtë kohë nga Presidentja Osmani, nuk është e rastësishme, është vizionare, mundësi e tillë nuk mund të na jepet shpesh, dhe unë e mbështes plotësisht. 

4. Urdhërat e Putinit apo BE

Kosova nuk është vend në NATO, por mbrohet nga misioni i KFOR-it. Rusia nuk mund të sulmoj Bullgarinë si antare të NATO-s, por pa dyshim ka treguar zell të ndikoj në Beograd, që Serbia t’i bëj presion të vazhdueshëm NATO-s, me prezencën e saj ushtarake në kufi me Kosovën. Nuk mund të realizohet dëshira ruse për një front të dytë në Evropë, meqë Serbia nuk ka kapacitete të sulmoj aleancën më të fuqishme ushtarake në Botë. Ajo që mund të bëj Rusia është që të ketë ndikim të madh në zingjirin e mekanizmave të sigurisë në Serbi, dhe të përdorë këtë për ndikim në politikat e Beogradit, që kjo të mos jetë shumë bashkëpunuese me perëndimin. Këtë ia ka dalur me sukses Rusia në Serbi për një kohë të gjatë. 

Ndikimi i rus në mekanizmat e sigurisë së Serbisë, dhe politikat si rrjedhojë, komplikon situatën gjeopolitike në rajon. Por perëndimi duhet të jetë më pak imponues ndaj Serbisë, meqë imponimin Serbia po e lexon keq. Imponimi perëndimor për joshje, Serbinë po e bën arrogante, madje akoma më të lidhur me Rusinë. Nuk mund të futet në BE, një shtet i cili sa herë që ka ndonjë hidhërim, vajton në Moskë. Serbia duhet të zgjedhë lirshëm, mes demokracive perëndimore, dhe Rusisë si okupatore e dështuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco