Përsëri tregimi me popa, armë dhe rusë

Përsëri tregimi me popa, armë dhe rusë

Nga Blerim Latifi - 29/09/2023

120 vjet më parë, në marsin e vitit 1903, në fushën e Morinës, në Drenicë, ishin mbledhur rreth 4000 burra. Një shqetësim i madh e kishte nxitur atë kuvend. Në Mitrovicë sapo ishte vendosur konsulli rus, i cili me të marrë detyrën nuk kishte humbur kohë dhe kishte nisur me aktvitetet e tij propagandistike dhe subversive, në funksion të Serbisë. Nën petkun e imunitetit diplomatik, të cilin ia garantonte funksioni, ai vepronte hapur gjithandej. 

Shpejt fjalët kishin marrë dhenë. Përmes tij shteti serb po i mbushte kishat ortodokse serbe me armë. Këto armë do të viheshin në dispozicion të serbëve të Kosovës dhe do të përdoreshin prej tyre në momentin kur do të merrnin urdhërin nga Beogradi. 

Burrat e mbledhur në Kuvendin e Morinës, nën udhëheqjen e Ahmet Delisë dhe  Ramë Lutanit, kishin marrë vendim të ndalonin këtë aktivitet subversiv dhe njëkohësisht të dëbonin më forcë konsullin rus nga Kosova. Lajmi arriti shpejt në Prishtinë dhe valiu osman nisi dy njerëz për të bindur Ahmet Delinë të hiqte dorë nga planet e tij. Ata ishin mullahu i Prishtinës dhe pleqnari i Drenicës, Xhemail Obria. Kuvendi i hodhi poshtë kërkesat e tyre dhe qindra burra të armatosur u nisën në drejtim të Vushtrrisë dhe Mitrovicës.Trupat osmane morën urdhër t’i ndalonin ata dhe kështu nisi gjakderdhja. Kryengritësit e drejtuar nga Ramë Lutani arritën të depërtonin deri në Vushtrri dhe të bastisin kishën ortodokse serbe të qytetit. Ajo për të cilën dyshonin, doli të ishte e vërtetë : dhjetëra pushkë ishin fshehur brenda saj. 

Ndërkaq, grupi tjetër i kryengritësve, i drejtuar nga Ahmet Delia, rrethoi Mitrovicën. Batalionet osmane u përgjigjen me artileri kundër tyre. Konsulli rus ishte ngjitur në atë që prej atëherë njihet si “Shkëmbi i kangjallozit” dhe me dylbitë e tij u ndihmonte artilierëve osmanë të godisnin më mirë pozicionet e kryengritësve. I tronditur tek e shihte këtë gjë, një djalosh nga Gjilani, i cili ishte nizam, e merr në shenjë konsullin, duke e plagosur për vdekje. Ardhja e trupave tjera osmane nga Shkupi i detyron kryengritësit të tërhiqen. Mbi 150 prej tyre do të mbesin të vrarë rrugëve të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë. 

Pas luftës së fundit, serbët në veri i kanë ngritur një shtatore konsullit rus, dhe 120 vjet pas vrasjes së tij, historia përsëritet : kisha ortodokse serbe të mbushura me armë dhe rusë që marrin pjesë në sulmet subversive të Serbisë kundër Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco