Për rrugëhumburit

Për rrugëhumburit

Nga Çim Peka - 09/03/2022

Rrjedha e informacioneve nga mbledhja e asaj copëze të Partisë Demokratike që i ka mbetur Lulzim Bashës, tregojnë për një irritim të njerëzve pranë tij, por unë besoj edhe për një lojë të pisët, le të themi dhe të fundit teë tij.

Zgjedhjet e 6 marsit nxorrën Partine Demokratike të vulës, forcën politike të tretë. Forcë e dytë doli grupimi i Partisë Demokratike së drejtuar nga Sali Berisha. Në dukje të parë, vërehet se deputetet e Bashës janë të shokuar nga rezultati i zgjedhjeve të pjesshme. Por për ata që janë jashtë këtij grupimi, nuk ka asgjë për tu çuditur; në fakt duke qëndruar me këmbë në tokë dhe racional për kohën e shpejtë dhe kushtet politike të momentit, ky është edhe rezultati që kanë pritur dhe shpresuar mbështetësit e ‘Foltores’: të fitojnë Shkodrën, dhe ne vendet e tjera, të dilnin tëe dytët me diferencë ndaj grupimit të Bashës.

Ky rezultat u arrit.

Duke parë ecurinë e ‘Foltores’, Kuvendit të 11 dhjetorit, protestës së 8 janarit, nuk ka asgjë për tu habitur.

Për tu habitur është habia e deputetëve të Bashës për rezultatin e 6 marsit. Me ç’duket, shumica e tyre nuk kanë qenë në tokë, por në Mars. Them shumica, pasi ky grupim është i ndarë në dy kategori. Njëra janë pikërisht, këta që sinqerisht janë të habitur dhe të befasuar nga rezultati; dhe e dyta, janë ata që bëjnë sikur janë të habitur.

Dallimi midis tyre është thelbësor.

Dhe ja pse.

Grupi Parlamentar i fraksionit të Bashës janë përgjithësisht njerëz apolitikë, në sennsin që janë tërësisht injorantë politike. Nuk po përdor ndonjë fjalë tjetër. Kjo kategori i përket atyre që kanë besuar Bashën verbërisht, sado e pabesueshme të duket. E kanë besuar sepse nuk kanë asnjë lidhje me politikën dhe nuhatjen politike. Janë kjo kategori, që me injorancën politike të tyre, dhe me përrallat e Bashës, vërtetë kanë besuar se ‘Zoti ne qiell, e Yuri në tokë’, e meqë Kim ‘mbështet’ Bashën, ai do fitojë. As nuk e kanë kuptuar që e ashtuquajtura Amerikë nuk mbështet Bashën, dhe as faktin që Amerika nuk është në kutitë e votimit. Janë kjo kategori, që atë që nuk e kuptuan me 11 dhjetor, 18 dhjetor dhe 8 janar, duket që e kanë kuptuar më 6 mars: që Lulzim Basha është një qenie politike e ngordhur.

Kategoria e dytë janë ata që e kanë kuptuar që në fillim, por që për arsyet e tyre kanë vendosur ti shërbejne Bashës deri me 6 Mars. Janë pikërisht kjo kategori që sot, edhe pse i kërkojnë largimin Lulzim Bashës, pretendojnë se ‘historia e Sali Berishës me PD-në, ka mbaruar’. Kjo kategori, edhe sot, edhe me pretendimin e largimit të të dyve, Bashës dhe Berishës vazhdojnë me koshiencë ti shërbejnë Bashës. Ka dhe një kategori tjetër, që unë do i quaja ‘kreshnikçollaksa’, të cilët me idiotesinë e tyre vazhdojnë ti shërbejnë deri në fund Bashës, duke u shndërruar në kamikazë të një gjenerali të vdekur.

Që të treja këto kategori kanë një të përbashkët të madhe. Të treja këto janë viktima të një loje të pistë të Bashës në kurriz të tyre. Lulzim Basha me ligësinë e tij, dhe injorancën e tyre i ka përdorur si qen sulmi ndaj Berishës në mënyrë që kur të vije momenti i ndarjes së madhe, këta të kenë shkuar aq larg në armiqësinë me grupimin tjetër, aq sa mos të mundin të kalojnë në anën tjetër.

Ndërkohë që këta deputetë dhe zyrtarë kanë rënë preh e ligësisë së Bashës, ky i fundit ka bërë një kalkulim fondametal të gabuar: Sali Berisha nuk është as besëpreri Basha, as burri i gruas, as dhëndëri i kunatit. Sali Berisha është politikan race që është mësuar në 30 vite me mijëra thika pas shpine, i cili ka ditur të falë për hir të një objektivi më madhor se ata që e kanë tradhëtuar.

Sali Berisha ka ditur të falë tradhëti edhe më të rënda, besëprerje edhe më të mëdha për hir të një synimi madhor. E ka bërë në 2005 me ata që i dolën kundër në 1997. E la të kuptohet në interviste tek unë se e bën dhe tani. Në fakt, gjatë gjithë fushatës së tij zgjedhore, por edhe gjatë ‘Foltores’, përveç Lulzim Bashës, ai nuk ka sulmuar njëri-tjetër, për një arsye të thjeshtë: ai, më mirë se kushdo tjetër, e di që fitorja vjen vetëm nëpërmjet bashkimit. Dhe për të, ndryshe nga Basha, Fitorja e PD është më e rëndësishme se inatet personale.

Ndaj sot, kur zyrtarisht Sali Berisha është shumice absolute brenda Partisë Demokratike, dhe një person që siguri pas vetes me vetëm dy jave fushatë, ka mbi 30% të elektoratit në ditën e tij më të keqe, për hir të Partisë Demokratike është i hapur për këdo; deputet, kryetar partie në bazë, anëtar kryesie, anëtar i Këshillit Kombëtar, që deri sot ka qenë kundër tij.

Në këto kushte, kushdo që është i pasigurtë, kushdo që mendon për vazhdimin e karrierës politike pranë PD-së, kushdo që vazhdon të ndjehet afër Bashës, por i pasigurtë për të ardhmen politike e ka rrugën e hapur për tek Sali Berisha. Nuk kanë nevojë as për ndërmjetës, as për ndërlidhës, e as për sekserë: mjafton një qëndrim publik.

Sali Berisha dhe Partia e vërtetë Demokratike është e hapur për ta; është e paplotë pa ta, por bën edhe pa ata. Zgjedhja është e tyre. Në duan të shohin përpara, rrugën e kanë aty. Në duan të mbeten tek një kufomë politike, le të rrinë aty. Pavarësisht çfarë ka ndodhur shtatë muajt e fundit, udha e tyre e kthimit për tek baza dhe votuesit e tyre kalon nëpërmjet ‘Foltores’ dhe Sali Berishës. Ata le të bëjnë ç’të duan. Detyra e Foltores është të mbajë dyert e hapura për këdo. Por, në politikë, as s’të lusin, e as s’të presin.

Tek ‘Shtëpia e Lirisë’ nuk duhet të këtë vend vetëm për ata që i konsiderojnë zgjedhjet kurth dhe jo mundësi për të fituar!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco