Lotët e krokodilit të pushtetit të Albin Kurtit

Lotët e krokodilit të pushtetit të Albin Kurtit

Nga Syri.net Kosova - 09/03/2022

Çmimet po rriten, sepse bota hyri në një krizë të re, pa dalë ende nga një krizë e vjetër. Pa ikur virusi, erdhi tash rusi.

Pas shtrenjtimit të energjisë, nafta ka ‘fluturuar’. Të varur prej importit në një ekonomi të tregut të lirë, autoritetet kosovare nuk mund të diktojnë çmimet.

Por, lehtësime të përkohshme mund të bëjnë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të lodhur nga pandemia.

Mund ta heqin përkohësisht akcizën, deri në një stabilizim të pritshëm nëse lufta në Ukrainë nuk vazhdon gjatë.

Kriza e re, e ka gjetur Republikën e Kosovës, sërish të papërgatitur. Le të dalë kryeministri e të tregojë sa rezerva ushqimore e nafte kemi. Kuptohet, nuk del. Nuk ka asgjë serioze në këtë drejtim. Zero!

Në kohëra krizash, tregtarët në sinkron me njëri-tjetrin abuzojnë me çmimet. Brenda një ore çmimet shkojnë në nivele rekorde, ende pa ardhur sasitë e re të mallit.

Pagat nuk kanë lëvizur, kostoja e jetësës është rënduar tmerrësisht. Soditja e qeverisë vazhdon sikur të mos ndodhte asgjë.

Peshën e rritjes së kostos, e mbajnë konsumatorët si gjithnjë. Bizneset ruajnë apo shtojnë përfitimet, qeveria e mbush edhe më shumë arkën e shtetit.

Autoriteti i Konkurrencës mbetet jofunksional dhe i pakompletuar, në mënyrë që të mbikqyrë lëvizjet abuzive në treg.

Qeveria duket e mbështetur me shpatulla për muri. Ka shumë amatorë në radhët e saj, në pozita me peshë, që edhe kur flasin ndonjëherë, nuk  e kanë idenë se çfarë thonë.

Kur u shterojnë argumentet, vajtojnë të kaluarën, qeveritë e mëparshme, kërdinë që kanë bërë, hajninë etj, etj.

Përse u votua Albin Kurti me 14 shkurt masivisht nga populli? Jo për të vajtuar. Të kaluarën e dimë dhe e kemi përjetuar secili në lëkurën e tij. Votat i morën për të qeverisur ndryshe, pa korrupsion dhe me profesionalizëm të lartë, pa nepotizëm dhe me përgjegjësi, pa improvizime dhe me përkushtim.

E  çfarë po tregojnë deri tani që hymë në vitin e dytë të qeverisjes Kurti?

Zhgënjimi po rritet jo thjesht për shkak se po kalojmë nga kriza në krizë, por sepse pushteti i Albin Kurtit në vend të adresimit të përgjegjshëm të sfidave, më tepër po justifikohet.

Nuk mjafton vetëm një ekip i ndershëm, disa burra e gra, që nuk guxojnë të bëjnë ndryshime e të vendosin. Shtetin duhet ta menaxhojnë njerëzit e zotë. Ka plot në Kosovë, personalitete të fushave të ndryshme, që janë larguar nga jeta politike dhe institucionale për shkak të qeverive të kaluara, por askush në këtë qeverisje nuk i thirri kurrë.

Në rastin më të keq, qeveria e Kurtit po vepron me njerëz të qeverive të kaluara, duke i irrituar edhe vetë përkrahësit e partisë së tij.

Amatorizmi dhe improvizimi, po e gërryejnë me shpejtësi fitoren plebishitare të Kurtit. Ai me subjektin e tij kanë marrë përgjegjësinë e madhe për të bërë një ndryshim të shumëpritur, por politika që po ndjek, veç ndryshim pozitiv nuk sjell dot.

Të vajtosh të kaluarën, e të mos ia shkrepësh fare në të tashmen, do të thotë të manipulosh opinionin në vazhdimësi.

Me këtë ritëm, kurdo që vijnë zgjedhjet e radhës, veç nëse opozita katandiset si ajo e Lulit në Shqipëri, se përndryshe, Albin Kurtin shpejt do ta shohim duke gjuajtur gurë e shishe në rrugë e sheshe. Si opozitar i kalitur.

Me hipokrizi e populizëm, nuk ka qeverisje të dobishme.

Krokodilët, pasi hanin gjahun e kapur në ujin e detit, fillonin e lotonin.

Kështu lindi shprehja “lotët e krokodilit”, që personifikon hipokrizinë e njerëzve të ligj.

E vërteta është se krokodilit nuk i vjen keq për kafshën e ngrënë, por është gjëndra e kripës ajo që ia prodhon lotët.

Gjahu i Albin Kurtit, ishte vota masive e zhgënjimit e dëshpërimit kosovar në një sistem që u ktheu zhvatjen e abuzimin në përditshmëri.

Vajtimi i tij, për fat të keq, të kujton ‘lotët e krokodilit’.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco