Kosova pas invazionit rus në Ukrainë

Kosova pas invazionit rus në Ukrainë

Nga Dren Dushi - 08/03/2022

1. Gjëra që duhet kujtuar një pjese të opinionit publik Ish Presidenti serb S.Millosheviq, kishte bërë një lojë bllofi pak para se ta binte punën që NATO të intervenonte për herë të parë në historinë e saj. Millosheviq kishte bërë një plan për Kosovën, ai donte të bëhej i gjithëpushtetshëm në Serbi, duke kthyer mitin serb për “Kosmet-in” (Kosova dhe Metohia), duke krijuar një shtet nacionalist dhe totalitar Serb në Ballkan të bazuar në trashëgiminë mesjetare ortodokse të kohës së sistemeve tribale postbizantine.

Bllofi i Millosheviqit parashikonte se NATO nuk i hyn një pune kaq të ndërlikuar, që do ndërlikonte botën më vonë, meqë ai e njihte mirë qasjen politike të Moskës, por e njihte mjaft mirë edhe gjeopolitikën (treguan kompleksitetet e më vonshme) , përveç një gjëje.

Millosheviq kishte luajtuar kartat gjeopolitike para kohe, për më tepër, me arrogancë, duke i dhënë urdhër aparatit të tij shtetror që ndaj shqiptarëve të merren masa gjenocidale, spastrimi total etnik, meqë sipas kartave të tij, NATO ishte thjesht një organizatë pa zot shtëpie, e çorientuar dhe e bërë vetëm sa për të ndalur luftërat mes vete. Me këtë mendim dhe analizë të shërbimeve të tij intelegjente, Millosheviq sfidoi NATO-on, SHBA-të dhe perëndimin, sfidë kjo që i doli totalisht gabim.

Millosheviq ishte nisur nga një mendësi e një lideri totalitar, të egër, të pa cënueshëm, vrasës i oponencës politike, krijim i një aparati shtetror që spiunon çdo kë, kapës i mediave, biznesit, me pak fjalë, një Vlladimir Putin i vogël i fund shekullit XX.

Kostoja: Një prishje imazhi në skaje të shtetit serb, bombardimet e NATO-s, falimentim ekonomik, arrmiqësi me shqiptarët si një nga popujt më të mëdhenjë në Ballkan, dhe një ikje të integrimeve evropiane të paktën për 4 dekada. Kosova si pasojë, sot nga Presidenti Putin, përmendet në vazhdimësi, si një projekt i NATO-s, por a është Kosova thjesht dhe vetëm një projekt i NATO-s? Përgjigjia është JO.

Arsyeja përse Kosova nuk është thjesht një projekt i NATO-s lidhet me faktin se ne kemi tashmë një verdikt të Gjykatës N.D., të nisur nga Serbia (apriori pranuar), gjë që shtetësisë tonë i jep legalitet ndërkombëtar, teksa, arsyeja e dytë është shpërbërja e Jugosllavisë, tapitë e së cilës ndonëse u munduan t’i merrnin serbët, dështuan. Arsyeja e tretë është fakti se Kosova është trevë e banuar me shumicë dërmuese shqiptare, teksa, arsyeja e katërt, është fakti se shqiptarët kanë shumë pjesëmarrje demografike në Ballkanin perëndimorë, që do të thotë se; shqiptarët janë faktor stabiliteti. Në esencë, intervenimi i NATO-s ishte intervenim për shumë arsye, pra nuk kemi të bëjmë me një, dy apo tri arsye, por shumë. Po që se i rendisim, do kishim një përbërje pak a shumë të tillë; ndalja e një plani “special” (siç po thirret Presidenti Putin sot) që parashihte shpopullimin e Kosovës përmes frikësimit (masakrave, vrasjeve), pra ndalja e një plani gjenocidal, së dyti, ruajtja e një stabiliteti në Ballkan (arsye që ndërlidhet me paragrafin e më sipërm), së treti tregimi ndaj botës se NATO nuk është një organizatë siç e parashikonte Millosheviq, së katërti tregimi i botës se NATO intervenon edhe për popullësi me shumicë islame, së pesti; ideja se Kosova do fitonte një të drejtë nga GJND siç edhe e fitoi, së gjashti; Kosova nuk është projekt anti-serb por projekt gjithëpërfshirës.

2. Pasoja NATO ishte sfiduar nga Millosheviq, dhe kjo qe kthesa historike për ne shqiptarët, NATO-n nuk mund ta sfidoj askush në këtë rend aktual botëror.

Sot, Presidenti Putin, pak para se të hyj në moshën e tij të shtyer, ka nisur një bllof të ngjashëm me Millosheviqin, por në rrethana tjera shumë më komplekse, ndonëse, pasojat dhe natyra gjeopolitike nuk i ka ndryshuar shumë ligjet e veta. Për tu kthyer më vonë te këto, dua të them se askush nuk duhet të frikësohet në Kosovë se pas njëzet vitesh, Beogradi zyrtar nuk e ka kuptuar mesazhin e NATO-s, pavarësisht ngjarjeve në Ukrainë.

Përse është kjo?

3. Ukraina është dështim flagrant i Presidentit Putin

Po të mos ishte Krimea, si një territor i kontrolluar tash e shumë kohë nga Rusia, prej të cilit po bëhet furnizimi me logjistikë për ushtrinë ruse që, në favor të relievit të lehtë në jug të Ukrainës, ka arritur të korrë ca suksese, iniciativa ushtarake e “operacionit special” rus, ka dështuar keq. Dështimi taktik ushtarak rus, ndonëse enorm për nga përmasat, u bë i ditur edhe nga Gjenerali W.Clark, por të ditur po na e bëjnë çdo ditë edhe pamje e shumë paisjeve ushtarake të shkatërruara ruse, si dhe stagnimi tashmë e 13 ditë.

Sigurisht, që ka humbje edhe nga pala ukrainase, meqë harta po tregon se pala ruse po avancon, por vetëm ngadalë, dhe vetëm në jug dhe periferi të Ukrainës. Presidenti Putin e ka nisur tërë operacionin e tij “special” i motivuar nga cytjet e tij për horizonte të reja pushtetesh, që janë lënia e emrit të tij në historinë e Rusisë, si një njeri që fuqizoi, zgjeroi dhe stopoi zgjerimin e NATO-s.

Por a do t’i dalin llogaritë, të nisura nga po parimi i bllofit gjeostrategjik, siç bëjnë diktatorët, siç bënte Millosheviq? Sigurisht që Presidenti Putin, ka qenë mirë i informuar se perëndimi po e forcon ushtrinë Ukrainase, me logjistikë, me taktika dhe paisje mbrojtëse ushtarake, këtë gjë, bashkë me idenë e integrimit të Ukrainës në strukturat perëndimore, meqë ashtu po do populli ukrainas, Presidenti Putin e ka parë si sfidë për pushtetin e tij të fuqishëm në Moskë, dhe fatkeqësisht, si një njeri që ka fuqi totalitare, ka arritur të fus Rusinë në luftë me Ukrainën, rrjedhimisht edhe në konflikt ekonomik, politik dhe strategjik me pothuajse gjithë botën demokratike.

Nga një analizë e burimeve mediatike perëndimore, të thirrura në analistët e tyre të sigurisë, Putin del të ketë pritur që ushtria Ukrainase do t’i dorëzohet kur ta ketë parë konvojin e tij dhjetëra kilometrash, por duket se Putin nuk e ka llogaritur që; bota do e dënoj ashpër agresionin e tij, aq më pak që Ukraina dalka të jetë shumë e përcaktuar për sovranitetin e saj, të mbështetur tashmë nga shumë fuqi perëndimore. Konvoj po, avancim jo.

4. Pasoja e dytë - Nuklearet

I ndodhur në një situatë kur ushtria e tij ka stopuar në hyrje të Kievit, meqë hyrja mund t’i kushtoj gjysmën e konvojit, dhe në një situatë kur në bankomatet ruse janë krijuar rradhë qindra metërshe, pra në një situatë që ai po e quan “e tëra sipas planit”, Putin pranoj të hyj në bisedime, por cilat janë kartat e tij negociuese? Tashmë Rusia pretendon se në Ukrainë ka kultivim të nazizmit, dhe se NATO po i shkon në kufi për të cënuar perandorinë e tij (të cenzurës, diktatit dhe dhunës). Por kush është Putin të vendosë për një vend të huaj, se si duhet organizuar dhe cilat duhen të jenë apetitet e së ardhmes? Si fillim, mund të themi se GDP e Rusisë është shumë larg vendeve shumë më të vogla se Rusia si Franca, Italia, Britania, Gjermania madje edhe shtete akoma më të vogla të BE-së.

Pra ekonomikisht, Rusia nuk ka asnjë konditë për të pasur fuqi të qëndoj pas një aksioni të çmendur siç është ky i Ukrainës. Duke qenë se llogaritë nuk kanë dalur, pra që Ushtria ukrainase nuk ka hedhur armët e të pranoj Putinin si baba, duke qenë se NATO e bllokoi ekonomikisht dhe furnizoj deri në nivele stopuese për Rusinë Ukrainën, Putinit nuk i mbeti tjetër udhë por të autorizoj Lavrovin dhe veten e tij, që në diskursin diplomatik, për herë të parë në gjeopolitikën e shekullit XXI, të përmenden bombat e shfarosjes në masë, pra bombat atomike. Kjo sa është e mjerë, është edhe lajm i mirë, meqë tregon se Putin ka humbur që tashmë luftën e tij, bombat nukleare ai nuk ia hedhë vetes.

5. Destabilizimi i Ballkanit (opsion pas nukleareve si përmendje) Si mund ta destabilizoj Presidenti Putin Ballkanin? Po që se analizojmë Ballkanin, vetëm Serbia del të jetë vend ku Presidenti Putin akoma arrinë të ketë një lloj ndikimi (pastaj përmes Beoradit përdoren Bosnja, Kosova, Mali i Zi). Madje, edhe në Serbi, Putin pati probleme vite më parë, kur ju kapën disa agjentë sekretë që spiunon Beogradin, me ç’rast e bëri horrë Vuçiqi kur e pyeste “përse na e bën këtë Rusia?”. Por Serbia ka ca pasardhës të Millsheviqit në krye të politikës, dhe çmenduria kopjon çmendurinë, andaj, gjasat që Serbia të pres që Rusia të vij deri në Moldavi, dhe pastaj të mbetet vetëm Rumania (që se pranon Kosovën) urë mes tyre, për të afruar presionin rus në Ballkan, bashkë me investime kineze si pjesë e pavarësisë ekonomike në rast sanksionesh nga BE-ja, janë ekzistente, për më tepër që pretendimet territoriale sebre nuk janë vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Bosnjës, Malit të Zi, e mund të ndodhë të ardhmen edhe ndaj Maqedonisë.

Kosova mund të jetë e shpesh-përmendura në tërë këtë ide gjeo-strategjike ruse, por sa vizionarë do jenë serbët që ta kuptojnë se e ardhmja e tyre është BE-ja, dhe një Ballkan ku ata nuk kanë kondita të sillen si shtet skllavopronar, por thjesht si një komb i barabartë?

Nuk ka kondita që Serbia mund të ketë kapacitete për të destabilizuar Ballkanin vetëm, edhe po morri zemër nga Rusia. Arsyeja për këtë është e thjeshtë; Serbia nuk ka asnjë fqinj që t’ia pranoj një strategji të tillë në Ballkan, asnjë fare. Pra ajo kufizohet me BE-në, dhe shtete tjera aspirante për BE, për më tepër, Serbia e ka kuptuar fare mirë se strategjia e Putinit në Ukrainë ka dështuar, madje, do mbetet e dështuar edhe po e morri Putini përkohësisht Ukrainën tërësisht.

6. A mund të përfitoj Kosova? Diplomacia e Kosovës mund të ketë shënuar ca progrese këto kohë kur shteti i Kosovës përfaqësohet nga një lidership që ka mbështetje masive elektorale, por në traditën dhe esencën e saj, si shtrirje gjithë-institucionale dhe degëzuese, akoma duhet të punoj për tu distancuar nga diplomacia e tupanave dhe vajtimeve.

Siç shihet, sot bota ka probleme shumë më të mëdha se Kosova, dhe nga ne pritet të jemi thjesht vetë një faktor i urtë stabiliteti, meqë Kosova mbetet një projekt stabiliteti. Pra fokusi i mjerimit të luftës, shkeljes së të drejtave njerëzore tashmë është duke ndodhur live në Ukrainë, edhe këto minuta kur po shkruhet ky shkrim, sikundër që; edhe tupanat për hyrje në NATO akoma pa marrë liberalizimin e vizave, dhe akoma duke paguar energjinë elektrike të strukturave paralele serbe në veri, nuk përfaqësojnë diçka serioze siç edhe na e shprehu diplomatja Viola Von Cramon.

Kosova mund të përfitoj vetëm nëse shfaqet para botës si faktor stabiliteti, pra si një krijesë gjeopolitike, që i ofron Ballkanit paqe, që punon në projektin e BE-së për një Ballkan demokratik, ku hyn edhe Serbia. Kosova mund të përballet me një presion të shtuar për Asociacionin e Komunave serbe, në formë që ta bëjnë Serbinë të jetë më afër perëndimit e më larg Rusisë invaduese.

Përfitimi i vetëm i Kosovës nga gabimi i Putinit mund të jetë një marrëveshtje përfundimtare me Serbinë, me ç’rast Ballkani përfundon procesin e normalizimit, dhe përshpejton procesin integrues. Idetë se Serbia sulmon NATO-n në Kosovë, janë totalisht sharlatane, teksa idetë për ndryshim të politikave të sigurisë nga ana e BE-së dhe NATO-s janë të evidentuara, Kosova është de-facto në NATO, meqë e ka shtetin amë Shqipërinë aty, siç e ka edhe KFOR-in brenda, siç i ka edhe të gjitha projektet ushtarake, pra perëndimi e ka parafutur Kosovën në NATO, pengesa e vetme për ta përmbyllur këtë proces nuk është gatishmëria e Kosovës, por pa-pranueshmëria e pavarësisë së saj nga Serbia dhe pesë vendet e BE-së. Me përfundimin e marrëveshtjes me Serbinë, Kosova hyn edhe në NATO edhe de-jure. 

***Autori është magjister i politikës ndêrkombëtare

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco