Lufta e Kosovës dhe rendi i ri global

Lufta e Kosovës dhe rendi i ri global

Nga Driton Tali - 13/01/2022


Me 20 gusht 1999, në një tryezë të rrumbullakët, debatuan Francis Fukuyama, Eric Hobsbawm, Edward Luttwak, Timothy Garton Ash, Pierre Hassner dhe Robert Cooper ku diskutuan për Kosovën dhe rendin (e "ri") global të shekullit 21.
I shqipërova disa nga mendimet e tyre për të parë se sa kishin të drejtë ata para më shumë se 22 viteve.

Pjese e Parë
 

Robert Cooper: Tema jonë është rendi global në fund të shekullit të 20'të. Por le të fillojmë me konkreten dhe jo me abstrakten. Cilat janë mësimet e konfliktit të Kosovës? A duhet ta shohim Kosovën si aktin e fundit të shekullit të 20'të apo të parën e shekullit të 21'të?

Eric Hobsbawm: Do të thosha se është akti i parë i shekullit të 21'të. Është lufta e parë e zhvilluar në mungesë të një sistemi shtetëror global - për herë të parë që nga shekulli i 18'të, pjesë të mëdha të botës janë jashtë sistemit ndërkombëtar. Për më tepër, është lufta e parë e zhvilluar me armë të teknologjisë së lartë (nëse nuk i marrin parasysh disa praktika kundër Irakut). Kjo bën të mundur që të jemi më të saktë, por gjithashtu e bën më të lehtë të jesh më joserioz në përdorimin e armëve jashtëzakonisht të fuqishme. Dhe, sigurisht, lufta tregoi gjithashtu kufizimet e kësaj teknologjie. Së fundmi, është lufta e parë e zhvilluar në kushte, mund të thuash, të sovranitetit të konsumatorit. Jemi kthyer në situatën që Thomas Hobbes supozoi se ishte normale: se mbase Leviathani mund të bëjë çfarëdo, por ai nuk mund t'i detyrojë njerëzit të rrezikojnë jetën. Për disa shekuj politika bazohej në supozimin e kundërt. Ky rikthim te Hobs mund të jetë i vërtetë vetëm për Amerikën, por lufta e Kosovës u zhvillua nga politikanë që besonin se populli i tyre nuk do të kishte viktima.

Edward Luttwak: Jam dakord. Kjo është lufta e parë post-heroike. Por nuk janë vetëm amerikanët që mendojnë kështu. Britanikët mund të kishin marrë 300 viktima, francezët 150. Por askush, madje as rusët, nuk ishin të gatshëm të durojnë mijëra viktima të nevojshme për të luftuar në terren. Kjo ishte edhe një luftë informative, me përdorimin e qëllimshëm të masmedias. Nëse jeni duke përdorur forcën për të frikësuar, pse të mos e përforconi atë forcë përmes masmedias? Rasti në fjalë: numri i përgjithshëm i raketave të përdorura në Kosovë ishte më pak se 425 sa ishin të përdorura në aksionin "Desert Fox" kundër Irakut, në dhjetor të 1998'it. Ndërsa bota kishte përshtypjen se po ndodhte një bombardim masiv, serbët po ngrenin supet e tyre.

Pierre Hassner: Jam dakord që ka pasur një luftë informacioni. Por dështoi keq Jamie Shea ishte objekt tallje gjithandej në Perendim. Në fazën e parë ne ishim të vetëdijshëm se kishte shumë pak fluturime dhe se NATO kishte pak ndikim. Në fazën e dytë pati një zgjerim të luftës dhe reagimi në shumë vende të NATO's ishte negativ - ne po shkatërronim termocentralet apo urat në Danub, por ushtria serbe dukej e padëmtuar. Shumica e komentuesve, duke përfshirë edhe mua, menduam se gjërat po shkonin keq. Vetëm në dy javët e fundit, me presionin e UÇK'së dhe kërcënimit më të besueshëm të një lufte tokësore, gjërat filluan të ndryshojnë. Por ende nuk jam i sigurt pse Millosheviqi u dorëzua në atë masë sa u dorëzua. E gjithë fotografia është shumë e paqartë.

Timothy Garton Ash: Kjo ishte lufta e parë europiane e shekullit të 21'të, sepse shekulli i 20'të në Europë përfundoi në 1989 apo më së voni në 1991. Por ne jemi në rrezik të tepër (mbi) interpretimit të kësaj lufte: ajo nuk filloi si një model i ri i luftës, apo një luftë humanitare. Filloi si një ushtrim të diplomacisë shtrënguese që shkoi keq. Udhëheqësit tanë e morën Clausewitz'in shumë tekstualisht; ata vërtet mendonin se lufta do të ishte thjesht një vazhdim i politikës. Ata nuk e vlerësuan të vërtetën e vjetër se lufta ndryshon gjithçka, se ajo ka dinamikën e saj. Pika ime e dytë është se përkundër të gjitha gabimeve dhe dështimeve, lufta në Kosovë është pjesë e një rrëmujeje drejt një modeli të ri të rendit liberal në Europë. Unë jam më pak i sigurt për pjesën tjetër të botës. Lufta lindi nga një kuptim i ri i marrëdhënieve midis shteteve në një Evropë ku nocioni i sovranitetit të përbashkët ose të kufizuar është bërë i njohur përmes BE'së, OSBE'së, Këshillit të Europës etj.

Cooper: Me siguri një nga arsyet që kjo ishte një luftë e shekullit të 21'të është se ajo nuk u luftua për "interes kombëtar" siç përcaktohet normalisht?
Francis Fukuyama: Kjo është e drejtë, por unë dua të kthehem dhe të mos pajtohem disi me atë që tha Eric Hobsbawm për luftën që po bëhej në mungesë të një sistemi shtetëror global. Dallimi është se nuk kishte sistem shtetëror konkurrues. Nën një sistem të tillë, një konflikt lokal si konfrontimi anglo-francez në Fashoda, rrezikonte gjithmonë të përshkallëzohej duke tërhequr fuqitë e tjera të mëdha. Por në këtë rast aksionet strategjike ishin shumë më të vogla. Supozoni se kjo kishte ndodhur në Jugosllavi 20 vjet më parë - do të kishim qenë në prag të Luftës së Tretë Botërore. Ky konflikt ishte një formë e ndërhyrjes humanitare; arsyetimi më i gjerë strategjik që Clinton dhe Blair u përpoqën të jepnin ishte thjesht i gabuar. Kishte pak rrezik për zgjerimin e konfliktit, të paktën përtej vetë Ballkanit.

Hobsbawm: Por sigurisht që nuk është kështu. Kosova ishte një problem klasik ndërkombëtar dhe një problem klasik i diplomacisë ballkanike. Dhjetë vjet më parë, kur ShBA'ja ende kishte një politikë të jashtme të denjë për ta quajtur ashtu, e kuptoi se Kosova do të ishte një krizë e madhe, më e madhe se Bosnja. Nën Presidentin Bush, ShBA dërgoi trupa në Maqedoni për të qëndruar përreth dhe për të treguar se kjo ishte një çështje me interes të rëndësis së veçantë, sipas diplomacisë klasike të sistemit shtetëror.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco