Testament

Testament

Nga Blerim Latifi - 22/11/2021

Në vitin 1913 Vladan Gjorgjeviq, ish kryeministër i Serbisë, boton librin "Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha".

Libri u adresohej publikut intelektual dhe kancelarive europiane.

Qëllimi ishte që ato të bindeshin se shqiptarët nuk e meritonin të kishin shtetin e tyre kombëtar.

"Faktet" që sillte për këtë ishin thjesht një katalog i racizmit të pastër antishqiptar. Aty ne quheshim njerëz barbarë, pa histori, me mendësi orientale, të paftë për zhvillim, civilizim e vetëqeverisje.

Dhe, duke mos u ngopur me këto cilësime raciste, Gjorgjeviq u shkruan europianëve se "shqiptarët edhe biologjikisht janë të prapambetur, sepse shumë prej tyre janë njerëz me bisht".

Për gati 100 vjet ne e kemi paguar shtrenjtë këtë racizëm të serbëve për ne. Me gjakun tonë. Me mijëra e mijëra fëmijë të mbetur jetimë e gra të përdhunuara.Me vuajtjet dhe dhimbjet e tona të panumërta.

Prandaj, kur dëgjoj se si sot shqiptarë të Kosovës bëjnë veprime e sjellje raciste ndaj romëve, siç ndodhi dy ditë më parë në Gjakovë duke i përzënë nga lokali vetëm pse ishin romë, ndihem moralisht i thyer.

I thyer, sepse nuk e shmangi dot frikën se mos kemi përvetësuar diçka të errët nga përsektuesit tanë të djeshëm.

Dhe sa herë dëgjoj për raste të tilla, si ky i fundit në Gjakovë, më kujtohet poezia "Testament" e poetit të ndjerë rom, Kujtim Paçakut, njëri ndër poetët më të mirë të Kosovës, por që injorohet e nuk përfshihet kurrë në tekstet tona shkollore, për të vetmen arsye se është rom. Ja poezia:

Testament
Kur të vie ajo ditë
E fundit, në tepihun e jetës sime
Ju lus:
Së paku atje të qëndroj
VERTIKALISHT
Meqë gjithë jetën
S`më lanë se s`më lanë të ngrihem në këmbë!
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco