Kosova nën 'ethet' e krizës ekonomike, çmimet në 'hava' e rrogat në vendnumëro

Kosova nën 'ethet' e krizës ekonomike, çmimet në 'hava' e rrogat në vendnumëro

Nga Astrit Veliqi - 10/10/2021

Një krizë të rëndë ekonomike e kemi në prag, dhe kjo si duket po na sërvohet derisa jemi duke u përballur me një krizë tjetër shëndetësore sikur është pandemia globale Covid-19, e që si për çudi pasojat e saj tashmë kanë filluar të dalin në shesh.

Kosova për dallim nga vendet tjera, ka një ekonomi të brishtë, dhe si e tillë do të ndikojë mjaft negativisht në këtë mish-mash të paprecedent të rritjeve të produkteve më elementare sikur janë mielli, vaji, sheqeri, qumështi, por edhe derivatet, energjia, pemët e perimet.

Por ajo që duket ashiqare është se kjo po ndodhë pikërisht derisa kemi hyrë në stinën e ftohtë vjeshtore e po shkojmë drejt dimrit kur edhe faturat rriten sidomos ato të energjisë, por edhe të gazit e derivateve e tjera.

Por si duket nuk i ka fajet vetëm stina, megjithatë nga ajo që po na sërviret e po paralajmërohet, kriza edhe kësaj radhe po vjen nga Kina e largët, por dorë mund të ketë edhe Rusia me gazin e saj, sikurse edhe Covidi i cili e paralizoi planetin, jo vetëm nga viktimat e shumta por edhe nga pikiada e thellë ekonomike.

Prandaj edhe rritja e paprecedent e çmimeve të produkteve, si duket ndikimin e ka nga atje, ngase tashmë kjo pjesë e botës po lufton të bëhet superfuqi jo vetëm ekonomike, por edhe politike e ushtarake.

Prandaj nëse tërheqim një paralele, të çmimeve së produkteve elementare në vendin tonë, shohim se ato krahasuar me të kaluarën kanë rritje të madhe: 25 kg. miell nga 7.99 euro ka shkuar në 10.59 euro, 1 litër vaj nga 0.99 euro në 1.66 euro, 5 kg. sheqer nga 2.99 euro në 3.59 euro, sikur edhe nafta para një viti ka qenë më pak se 1 euro e sot ka shkuar deri në 1.32 euro.

Kjo rritje enorme e çmimeve për shportën e varfër të kosovarëve do të jetë mjaft e rëndë dhe madje e papërballueshme, prandaj edhe shteti duhet të mendojë strategji se si të ulen por edhe të ndryshohet kjo qasje e rritjeve të çmimeve.

Aq ma tepër se ky është një 'paradoks kosovar' ngase çmimet e produkteve po shkojnë pothuaj çdo ditë për 'hava' derisa rrogat në Kosovë kanë mbetur në vendnumëro.

Sido që të jetë, kjo krizë si duket e paralajmëruar, jo vetëm në vendin tonë ka prekur edhe vendet e zhvilluara evropiane, sikur janë Gjermania, Franca, Zvicra, Italia, etje, ngase edhe atje çmimet e produkteve janë rritur mjaft, por duke e ditur standardin e tyre, domosdo edhe përballimi atje do të jetë më  i lehtë.

E përveç kësaj rritje enorme të produkteve elementare për jetë e cila do ta rrezikoj në masë të madhe shportën familjare të familjeve kosovare, po paralajmërohet edhe një krizë tjetër sikur është ajo energjetike, e cila sidomos në Shqipëri e ka ndezur tashmë alarmin.

Derisa edhe Kosova mund të preket nga kjo krizë, sikurse edhe faturat e energjisë e keqja e madhe është së këtij dimri mund t'i presim edhe më të larta.

Çka të themi për fund, krizë pas krize, e rritje e çmimeve enorme, shteti duhet të marrë masa urgjente, në të kundërtën Kosova do të bëhet vend i pajetueshëm dhe gjithnjë e më shumë qytetarët do të shohin me sy nga Evropa dhe vendet tjera të zhvilluara.

...Zilja e alarmit tashmë ka ra, prandaj është momenti i fundit të ndërhyhet me masa urgjente!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco