Një 'R' që i kushtoi qytetarëve të Kosovës gati gjysmë milioni euro!

Një 'R' që i kushtoi qytetarëve të Kosovës gati gjysmë milioni euro!

Nga Enver Robelli - 07/10/2021
Se deri ku ka arritur çmenduria e keqpërdorimeve financiare në institucione gjatë qeverive të kaluara, e tregon ky lajm: në vend të KRU «Pastrimi», Radio Televizioni i Kosovës (RTK) i pagoi për rreth 5 vjet mbi 472 mijë euro kompanisë «Pastimi».
Pa shkronjën «R» paratë shkuan te një firmë krejt tjetër, pra «Pastimi». 5 vjet me radhë! Jo 5 muaj, por 5 vjet.
Si është e mundur që kjo të mos vërehet për një kohë kaq të gjatë?
A ka mekanizma kontrolli në RTK? Pse kanë dështuar këto mekanizma? Punëtori i RTK-së që i ka bërë këto transfere kriminale qenka dënuar.
Po eprorët e tij? Opinioni, parlamenti, mediat e pavarura, shoqëria civile, drejtësia duhet të kërkojnë sqarime shtesë dhe të menjëhershme: kush është themeluesi i firmës «Pastimi»?
Çka është ndërmarrë nga RTK dhe institucionet e tjera që shuma që i është paguar kompanisë «Pastimi» të bllokohet dhe të kthehet në buxhet të RTK-së? A ka pasur ndonjë ankesë nga firma «Pastrimi» për mospranim të pagesave? Nuk mjafton që RTK të arsyetohet: dëmi është shkaktuar, ne jemi të dëmtuar.
Qytetaret dhe qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se këto 472 mijë euro janë para të tyre.
Para që ia kanë paguar shtetit për të kryer ndonjë punë të hairit në të mirën e përgjithshme dhe jo për t'i bërë rrush e kumbulla. Kush sillet kaq papërgjegjshëm ndaj parave të taksapaguesve, nuk duhet të befasohet që s'ka aspak rejting publik.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco