Masakër elektorale apo sindroma e Stokholmit

Masakër elektorale apo sindroma e Stokholmit

Nga Syri.net Kosova - 29/04/2021

Qindra mijëra shqiptarë e braktisën Shqipërinë e udhëhequr nga Edi Rama, për dy mandate, ndërsa tash e ka në dorë të tretin. Punësimi, shëndetësia falas, sundimi i ligjit, etj, etj, mbetën fluska elektorale të qeverisjes socialiste. 

Vendi hyri në borxh deri në fyt dhe skandalet e shoqëruan regjimin e Ramës, që shfrytëzoi bojkotin opozitar si revoltë ndaj keqqeverisjes, për të futur në dorë gjithçka.

Droga transportohej me veturën e ministrit të brendshëm. Kaq sa për ta ilustruar narko-shtetin shqiptar të kësaj periudhe të zymtë e të pashpresë. 

Treguesit kryesorë ekonomikë, e paraqesin Shqipërinë nën sundimin e Ramës, një vend në krizë të thellë me mungesë të perspektivës dhe zhvillim të varur nga klientelizmi dhe korrupsioni shtetëror.

Në tetë vjet, nuk gjen një arritje të shquar për ta veçuar. Sukseset kryesore u takojnë qeverive të mëparshme. Hyrja në NATO, liberalizimi i vizave, rruga e Kombit…Edhe demokratët bënë gabime, por kishin me çfarë të mburreshin.

Fushata zgjedhore, e rikonfirmoi këtë pasqyrë qeverisësë të dështuar, që rëndonte mbi kurrizin e shqiptarëve. Përballë një programi ambicioz të qartë qeverisës të Bashës, Rama e gjente ‘shpëtimin’ te sulmi ndaj liderit historik të së djathtës, Sali Berishës dhe Ilir Metës, që e mbështeti vetë për president. 

Pasi e kishte shpartalluar sistemin  demokratik, duke e përmbysur reformën zgjedhore dhe instrumentalizuar shtetin më zi se Enver Hoxha dikur, kreu socialist duket se nuk ia la asgjë ‘rastësisë’ me 25 prill.

Mediat i kishte kapur me kohë, ndërsa për mbylljen e njërës shqiptarët e varfër do paguajnë faturën mbi 110 milionë dollarë. Me skemën skandaloze të patronazhistëve, vulosi, me gjasë, krimin më të madh elektoral në historinë e Evropës.

Nuk janë dashur aspak sondazhet për t’u bindur se kishte një pakënaqësi në rritje të shqiptarëve ndaj një pushteti autokratik, që me çdo kusht e çmim, e donte mandatin e tretë. 

Rezultati, sipas parashikimeve më objektive, mund të ishte eventualisht i ngushtë, por kurrsesi një fitore bindëse e një pushteti kriminal që ka dështuar në secilin zotim serioz para votuesve.

Asnjë sondazh i mëparshëm, apo exit poll-et, edhe më të anshmet e mundshme, nuk e plasonin kaq të lehtë bilancin zgjedhor në Shqipëri. 

Çfarë ndodhi në të vërtetë para 25 prillit se atë ditë, u pa se ç’ngjau? E kapërdinë shqiptarët talljen tetëvjeçare të Ramës, kaq lehtë duke ia besuar edhe një sundim të radhës?

U dashurua kështu populli viktimë me xhelatin?!

Apo kjo ishte kronikë e një masakre të paralajmëruar zgjedhore, që do të duhej të zbardhet në vijim përmes një opozitarizmi të guximshëm?

Nëse qenka problem se në sfondin e Bashës, është Berisha, pse kaq të lumtur janë shqiptarët që pas shpinës së Ramës, vërtitet gjithnjë Gramoz Ruçi?

Shqipëria, fatkeqësisht, nuk e ndoqi rrjedhën e Kosovës kësaj here. Dallimi është drastik, edhe pse e majtë atje, e majtë këtu, por Albin Kurti erdhi në pushtet me votat e ndershme të votuesve kosovarë, e Edi Rama po e mban pushtetin, me votat e blera nga shqiptarët me paratë e drogës, korrupsionit e mafias.

Në Prishtinë, mbetja në qeverisje e një partneri të Vuçiqit e Thaçit, shihet me zhgënjim të thellë. 
Për kosovarët, qeveria e Bashës që do e hiqte traun ishte më e mirëseardhur se një mandat i ri për atë që tallej sa herë vinte në Kosovë, shante mbarë e mbrapsht dhe padiste në gjykatë politikanët që dekonspironin dëshirën e tij për ndarjen e Republikës.

Kurti e uroi Ramën, por aktivistët e tij në Shqipëri po ankohen se u vodhën nga socialistët. E jo vetëm ata. 

Kur shqiptarët ta kuptojnë se si u grabit e u ble vullneti për ndryshim, mund të bëhet vonë. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco