"Zajednica" me ndarje të veriu, ndarje e brendshme?

Nga Seb Bytyçi - 28/04/2021

Mundësia e ndarjes së Kosovës ka nxitur debat si brenda vendit dhe jashtë, ku shumë politikanë e akademikë të ndryshëm kanë dhënë opinionet e tyre.

Shumica e opinioneve janë kundër ndarjes. Ajo çka ishte brengosëse është fakti se reagimi i vakët i BE-së dhe SHBA-së la të kuptohej se ato mund të pajtohen me një ndarje nëse kjo arrihet me marrëveshje. Por si duket reagimi i fortë i Gjermanisë si dhe disa shteteve të tjera po e shtyn perëndimin drejt një krijimi të një koncensusi kundër ndarjes.

Sidoqoftë, edhe nëse nuk ndodh ndarja, vetë hapja e kësaj teme do të ketë pasoja të rënda. Së pari, diskutimi për ndarjen do ta bëjë pranimin e Asociacion/Bashkësisë së Komunave Serbe (Zajednicës) më të lehtë. Shtytësit e saj do të thonë se kjo duhet të realizohet pasi që alternativa është ndarja e vendit. Rrjedhimisht kundërshtimi i saj do të jetë më i dobët, për shkak se shpata ndarëse e Demokleut do të jetë e pranishme aty gjithmonë.
Së dyti, ndarja faktike do të bëhet realitet i pranueshëm edhe nëse nuk kryhet ndarja “me letra”. Pra kemi ndarje të jashtme dhe ndarje të brendshme. Ka shumë gjasa që Serbisë t’i pranohet kontrolli faktik mbi veriun, edhe nëse nuk i pranohet kontrolli juridik. Një hap tutje do të ishte pranimi i kontrollit të përbashkët juridik në një kondominium sui generis (sovranitet të përbashkët), ku pozita e Kosovës do të ishte më e dobët sepse Serbia nuk e njeh sovranitetin e Kosovës. Rasti më i ngjashëm është ai i Distriktit të Brçkos, i cili është kondominium i dy entiteteve, Republika Srpskas dhe Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Historikisht kanë ekzistuar disa raste të ngjashme, siç është ai i Rijekës që ishte kondominium i Hungarisë dhe i Kroacisë brenda Perandorisë Habsburge.

Ndarje sui generis

Për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën, kontrolli i përbashkët mbi veriun do të ishte i komplikuar, dhe me gjasë shumë gjëra do të mbeteshin të paqarta. Rasti i Liqenit të Konstancës është ilustrues, ku ka mospajtim mes Zvicrrës në një anë (që mendon se kufiri është në mes të liqenit) dhe Gjermanisë e Austrisë në anën tjetër (që e shohin liqenin si kondominium tripalësh). Për shkak të këtij mospajtimi nuk ka marrëveshje ndërkombëtare që përcakton kufijtë e këtyre tri shteteve në liqen apo përreth tij.
Për nga kompleksiteti ka gjasa që veriu më shumë t’i ngjasojë Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, apo Antarktikës, që janë kondominiume de fakto mes shteteve me statuse të ndryshme dhe me shumë marrëveshje. Nëse kjo gjë ju duket fiksion dhe e pamundshme, atëhere keni parasysh se kondominiumi i parë në histori kishte mbijetuar mbi 300 vite, edhe pse dy palët bënin luftë të vazhdueshme mbi atë territor. Është fjala për Qipron që ishte kondominium i bizantit dhe kalifatit arab.

Një lloj apo tjetër i kontrollit të përbashkët mbi veriun ku Kosova ka juridiksion nominal i konvenon Serbisë. Kështu komunat e veriut do të mund të ishin edhe me lidhje direkte me Serbinë edhe si pjesë përbërëse e Asociacion/Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë. Në mënyrë të ngjashme, Millosheviqi ua lejoi njësive federale që i kontrollonte (Kosovës, Vojvodinës, Malit të Zi dhe Bosnjës) të drejtën e votës në trupat federale jugosllave, kështu duke rritur pushtetin e Serbisë në federatë.

Kontrolli ekonomik

Millosheviqi është ish shef dhe idol i presidentit serb Vuçiq, i cili e lavdëroi atë gjatë vizitës në Kosovë. Mirëpo, ajo që u injorua nga mediat ishin njoftimet e Vuçiqit për investime dhjetëra milionëshe në zonat serbe me fokus në veri dhe në Trepçë e Ujman. Kjo tregon për një forcim të kontrollit të Serbisë mbi veriun e jo për dobësim. Dhe këto investime mund të përbëjnë një fazë të re të (neo)kolonializmit në Kosovë, ku burimet natyrore të Kosovës shfrytëzohen jo vetëm për përfitim nga shtetet e jashtme por edhe për të dobësuar sovranitetin e vetë Kosovës.

DEVOLUCIONI ASIMETRIK ETNIK

Marrëveshja që ka të bëjë me Asociacion/Bashkësinë e Komunave Serbe ka krijuar mjaft keqkuptime dhe argumente pro et contra. Cilado qoftë domethënia e kësaj marrëveshjeje, një gjë është e sigurt: kemi të bëjmë më një nivel autonomie që shkon shumë përtej pakos së Ahtisaarit dhe që krijon një trup politik që mund ta dëmtojë funksionimin e shtetit.

Shumëkuptimësia

Para se të flas për marrëveshejen në veçanti do t’i them disa fjalë për procesin negociator mes Kosovës e Serbisë. Tashmë ky proces ka prodhuar një sërë marrëveshjesh. Tipari kryesor i këtyre marrëveshjeve është dykuptimësia (ambiguiteti) ose shumëkuptimësia. Domethënë në tekstin e marrëveshjeve shpiken formula që kanë qëllim t’i kënaqin të dy palët, por që krijojnë huti. Pra, shpesh përdoren dy koncepte të ndryshme me adresë dy palët e ndryshme. Rrjedhimisht, njëra palë e percepton marrëveshjen ndryshe nga tjetra, që bie të mos ketë marrëveshje fare. Një shembull i dykuptimësisë është marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit. Aty përdoren fjalët e anglishtes “border” (shqip: kufi) dhe “boundary” (shqip: vijë kufitare). Për palën kosovare vlen fjala border, kurse për palën serbe vlen fjala boundary. Për të hutuar gjërat edhe më shumë, akronimi anglisht IBM (Integrated Border/Boundary Management) krijon iluzion te secila palë se është përdorur koncepti i preferuar nga ajo. Asociacion/bashkësia e komunave serbe është një rast tjetër i krijimit të dykuptimësisë. Në lëgjirimin publik shqiptar në Kosovë (e gjetiu) përdoret termi asociacion, kurse në ligjërimin publik serb përdoret termi bashkësi (serb.: zajednica). Marrëveshja në anglisht flet për asociacion/bashkësi (association/community). Pra është krijuar ambiguiteti i qëllimshëm, tipike për negociatat Prishtinë-Beograd. Për të ndihmuar në kuptimin e situatës sa më drejtë, duhet ta përdorim emërtimin e plotë të marrëveshjes që është “asociacion/bashkësi” e jo vetëm “asociacion”, siç do të bëjë në vijim.

Devolucioni

Mënyra më e mirë për ta definuar asociacion/bashkësinë e komunave serbe është si një trup politik sui generis të krijuar me devolucion nga lart dhe me marrje të kompetencave të komunave nga poshtë. Pra kemi një nivel të mesëm qëverisës de fakto edhe pse de jure nuk llogaritet si e tillë. Këtu prapë luan rol dykuptimësia e formulimit, sepse në marrëveshjen e mëhershme mbi asociacion/bashkësinë janë përdorur fjalët mbikëqyrje dhe kontroll, për të definuar kompetencat e trupit të ri, e para adresuar shqiptarëve, kurse e dyta serbëve. Pra kemi të bëjmë me mbikëqyrje dhe kontroll të komunave me shunicë serbe.

Mbikëqyrja nuk ka konotacione ekzekutive, kurse kontrolle po.

Devolucioni nga lart është një proces që ka ndodhur në disa shtete europiane, si në Britani të Madhe, por edhe Spanjë. Është një lloj i veçantë i autonomisë, ku kompetencat i transferohen një trupi politik që është i veçantë nga shteti. Në Britani të Madhe, është bërë transferi i kompetencave tek institucionet e krijuara (legjislative e ekzekutive si dhe gjyqësore) në Skoci, Irlandë Veriore dhe Uells. Në Spanjë ka një nivel autonomie për Vendin bask dhe Kataloninë. Një rast i veçantë që i ngjan rastit të komunave serbe është ai i Ishujve Aland në Finlandë, autonomia e të cilëve është përcaktuar me ndërmjetësim ndërkombëtar nga Lidhja e Kombeve. Ishujt Aland, në Finlandë, kanë simbolet e veta, parlamentin, qeverinë, njëgjuhësinë suedeze, dhe përdorin valutën suedeze joformalisht. Përndryshe nga komunat serbe, ishujt janë të demilitarizuara me marrëveshje, dhe sovraniteti i Finlandës mbi to njihet. 

Në anën tjetër, asociacion/bashkësia do të karakterizohet edhe me centralizim, pra nga komunat te niveli i mesëm i qeverisjes i krijuar rishtasi. Meqenëse ende nuk është krijuar pamja finale e këtij trupi, mund të parashihet se për një kohë të gjatë asociacion/bashkësia do të jetë në përpjekje për të gllabëruar kompetenca nga të gjitha anët, nga lart (Prishtina zyrtare), poshtë (komunat serbe), dhe anash (nga Serbia). Pra do të ballafaqohemi me një Pacman etnopolitik që ka vetëm një detyrë: të hajë sa më shumë kompetenca politike. Duke pasë parasysh dykuptimësinë e marrëveshjeve, faktin që interpretimet e Serbisë për marrëveshjet dominojnë, dhe dobësine e Prishtinës në negociata, atëherë mund të parashihet se kjo bishë etnopolitike do të zhvillohet mjaft shumë në vitet e ardhshme. Ajo që duhet theksuar është se me këtë marrëveshje (dhe ato të ardhshmet) do të zhbëhen edhe provizionet e Ahtisaarit për decentralizim sepse kompetencat do të centralizohen te asociacion/bashkësia.

Asimetria

Autonomia asimetrike është një lloj autonomie që është adoptuar nga disa shtete për rajone të ndryshme. Kjo ekziston në rastin e devolucionit në Britani, në Spanjë, por edhe në Itali te provinca e Tiroli Jugor/Alto Adixhe, që ekziston brenda një nga rajonet italiane. Kjo lloj autonomie është përdorur edhe në kontinente përveç Evropës, si në Açeh të Indonezisë (Azi). Autonomia asimetrike është problematike sepse krijon ankesa te rajonet e tjera që nuk kanë autonomi. Për shembull, në momentin kur u bë devolucioni në Skoci, me qëllim të zgjidhjes së Çështjes Skoceze, u krijua Çështja Angleze. Tash, deputetët skocezë kanë të drejtë të votojnë në ligje që vlejnë veç për Anglinë, kurse deputetët anglezë nuk kanë të drejtë të votojnë për ligje skoceze (Çështja West Lothian). Pra së shpejti Kosova do të ballafaqohet me problemin e asimetrisë, ku politikanët serbë kanë të drejtë të votojnë për ligje që prekin gjithë Kosovën, por politikanët joserbë, nuk kanë të drejtë të votojnë për ligje që prekin komunat serbe dhe kompetencat e asociacion/bashkësisë. Pastaj, lind problem i komunave me shumicë etnike joserbe. A duhet të ketë një asociacion/bashkësi me kompetenca të njëjta për komunat shqiptare? Pyetja tjetër është, si do të reagojnë pakicat tjera etnike ndaj kësaj autonomie.

Monoetniciteti

Një tipar tjetër i rëndësishëm i autonomisë për serbët e Kosovës është monoetniciteti. Ky tipar është i ilustruar më së miri me marrëveshjen për zgjedhjen e komandatit rajonal të policisë, ku thuhet se ai duhet të jetë serb. Kjo është në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, si dhe me konventat Europiane, siç dihet nga rasti Sejdiç-Finci në Bosnje. Atje Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se provizionet kushtetuese të Bosnjës që kërkojnë pjesëtarët e Presidencës treanëtarëshe, të cilët duhet të jenë boshnjakë, serbë e kroatë, janë në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Monoetniciteti do të jetë tipar i asociacion/bashkësisë së komunave serbe, ngjashëm me njëgjuhësinë në Ishujt Aland. Edhe pse në ligjet e Kosovës, ekzistojnë provizione për të drejtat e pakicave në nivel komunal, këto provizione ose do të injorohen ose do të abrogohen me ligje të reja që do të nxirren për të legalizuar asociacion/bashkësinë.

Në përfundim, marrëveshjet për autonominë e serbëve të Kosovës, ku përfshihen marrëveshjet për Asociacion/Bashkësinë e Komunave Serbe, po krijojnë një model të devolucionit asimetrik (mono)etnik. Për një vend me nivel të zhvillimit, dhe efektivitet të shtetit, të dobët si Kosova, kjo krijon pengesa në funksionimin e shtetit. Sidomos kur dihet roli “punëprishës” i Serbisë në Kosovë, e cila do ta përdorë asociacion/bashkësinë për ta penguar përparimin e Kosovës.

Ahtisaari plus plus

Parashikimi i gjendjes finale të statusit të Kosovës dhe autonomisë së serbëve në Kosovë është i vështirë për shkak se gjithçka është punë e papërfunduar. Gjërat ndryshojnë vazhdimisht dhe me çdo marrëveshje të re mes Prishtinës e Beogradit autonomia e serbëve vazhdon të ndryshojë (forcohet). Sidoqoftë, ajo që është e sigurt është se numri i plusave pas “Ahtisaarit plus” po shtohet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco