Albin, mos na zhgënje

Albin, mos na zhgënje

Nga Syri.net Kosova - 12/04/2021

 

Në vend që të diskutojmë për programin e qeverisë së tij, duhet të thellohemi në një debat mbarëkombëtar për përfshirjen e Vetëvemdosjes në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Me apo pa dashje, kryeministri kosovar e zhvendosi interesin publik përtej kufirit. Alib Kurti mund të justifikohet duke thënë se fundja, zgjerimi i partisë së tij në trojet kombëtare ndodhi para zgjedhjeve në Kosovë, ku ai fitoi gjysmën e besimit të elektoratit, mjaftueshëm për të qeverisur i vetëm.

Megjithatë, dallon sjellja si burrështetas me veprimet si një politikan opozitar jashtë qeverisë.

Që nga marrja e pushtetit, përveç homazheve dhe mbylljes së pjesshme të vendit, qeveria Kurti nuk ka marrë ndonjë vendim. Të paktën, jo për aq sa dihet në publik. Në këto ditë të para, vërehet një mungesë e madhe transparence në raport me mediat dhe publikun.

Për qytetarët janë të qarta premtimet që i ka dhënë Lëvizja Vetëvendosje dhe presin realizimin e tyre. Presin ndryshimin e shumëpritur. Mbështetësit e Kurtit thonë se duhet të presim e të kemi durim.

Kemi duruar mbi dy dekada dhe Albin Kurti u mbështet për t’i prirë këtij ndryshimi. E çfarë po na dhuron këto ditë kryeministri kosovar? Lobim dhe përzierje në zgjedhjet e Shqipërisë.

Është e paligjshme dhe e pamoralshme që kreu i qeverisë së Kosovës të mbajë anë në zgjedhjet e një shteti tjetër, kushdoqoftë ai, aq më tepër kur bëhet fjalë për Shqipërinë.

Pse u dashka të ankohemi ndaj Serbisë, që fut hundët përmes Listës serbe, kur një parti kosovare përzihet intensivisht në fushatën e Shqipërisë? Situatat mund të dallojnë, por në thelb është përfshirje në punët e shtetit tjetër.

Përse janë votuar deputetët e Vetëvendosjes dhe përse është zgjedhur qeveria Kurti? Që të angazhohen vikendeve në Shqipëri, për të mbledhur vota për kandidatët e degës së tyre atje apo për t’u angazhuar në zgjidhjen e shumë problemeve në Kosovë?

Nëse vazhdon kështu, me indiferencë ndaj kosovarëve që e votuan dhe me fuqizim të aspiratave tejkosovare, Albin Kurtit shpejt mund t’i rrëshqasë pushteti ndër këmbë.

Ai pa dyshim, është një lider i pakorruptuar, i ndershëm, për aq sa e njohim deri tani. Megjithatë, nuk mjafton të jesh një politikan i mirë në krye të qeverisë, por një lider aktiv që punon ditë e natë për vendin tënd.

Është kohë pandemie dhe njerëzit po vdesin e mbijetesa e pacientëve po vështirësohet për shkak të një sistemi shëndetësor të dobët që nuk i bën më ballë virusit.

Jemi vendi i fundit në Evropë për vaksinim dhe po i “gëzohemi” 24 mijë vaksinave të falura. Puna e parë për Kurtin dhe ekipin e tij, është të sigurojë vaksinat. Sa shëtiten nëpër celulat partiake në Shqipëri, më mirë t’i hypin aeroplanit e të sigurojnë vaksina për njerëzit në Kosovë.

Pritjet mbesin të larta për qeverinë Kurti dhe e pa e parë programin e qeverisë së tij, është e vështirë të bësh ndonjë koment më shumë. Por, kryeministri nuk e dha asnjë detaj rreth këtij programi.

Në pritje të axhendës programore, le të shpresojmë se Vetëvendosje dhe qeveria e Kosovës do të mbushen mend nga ky vikend i përzier që nxiti kaq shumë reagime kundër pështjelljes së Vetëvendosjes në zgjedhjet e Shqipërisë.

Kemi mjaft për të ndrequr në terrenin kosovar një herë e pastaj të japë kush të mundet kontribute edhe te vëllezërit atje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco