Shakaja e Thaçit me Zajednicën

Shakaja e Thaçit me Zajednicën

Nga Syri.net Kosova - 16/09/2020

Bashkë me Isa Mustafën, janë nënshkrues të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Por, për Hashim Thaçin, takimi i radhës në Bruksel ku do të diskutohet për Asociacionin apo siç njihet ndryshe-Zajednicën, është kthim prapa dhe me rrezik për Kosovën.

I izoluar në “kullën” presidenciale, i pari i Republikës ka filluar të shqetësohet “seriozisht” për fatet e vendit. Pasi i dështoi plani për ndarjen, duke e parë se meritat për kompromiset e reja është duke i marrë “i brishti” Hoti, Thaçi është hedhur në aksion.

Çuditërisht, ende nuk ka një status mbrojtës për profesor Avdullahun nga kryetari i LDK-së. Ndoshta, po e pret redaktimin nga presidenti, para se ta publikojë.

Dështimi i skenarit territorial, e ka rikthyer, siç edhe pritej, Asociacionin. Marrëveshje për të, kishte përfunduar në Gjykatë ku ishte konstatuar se nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe si e tillë duhej rishikuar. Është e qartë, se Serbia synon një mekanizëm të tillë, për të instaluar legalisht në Kosovë një nivel të tretë pushteti, që është në kundërshtim me normat kushtetuese.

Kryeministri ynë, i drejtohet Brukselit sërish i vendosur për ta jetësuar Zajednicën me shpresën se do të marrë si këmbim njohjen nga Serbia. Por, pyetja është se me çfarë çmimi?

Sulmet e Thaçit, paralajmërojnë ditë të vështira për qeverinë Hoti, ndoshta edhe rënien e shpejtë të saj. Presidenti nuk mund të rrijë në rolin e spektatorit ndërsa partia e tij sodit vizitat e Hotit nëpër qendrat e vendimmarrjes. Prandaj duhet një alibi dhe rast më të mirë për ta sulmuar kryeministrin aktual, nuk ka.

Pasi ka bërë kompromise të dhimbshme në kurriz të sovranitetit dhe integritetit territorial në Uashington dhe i është rikthyer diskutimit për zbatimin e një marrëveshjeje antikushtetuese, Hoti lehtësisht mund të “kryqëzohet” në Kuvend.

Me gjasë, edhe statusi i Isa Mustafës për t’i dalë në mbrojtje Hotit, do të vonojë ose nuk do të publikohet fare. Figurat kryesore të Lidhjes Demokratike heshtën pas sulmeve të presidentit që drejtohen direkt ndaj kreut të qeverisë, i cili udhëheq dialogun me Serbinë.

Në mesin e kësaj furtune politike, mbijetesa e Hotit, duket e pamundur. Kosova gati tre vjet, ishte e paralizuar politikisht nga protestat e opozitës kundër Zajednicës dhe Demarkacionit. Marrëveshja për kufirin kaloi pasi kundërshtari më i ashpër i saj, Ramush Haradinaj, “u qetësua” me postin e kryeministrit. Ai tani dëshiron të bëhet president dhe nëse nuk ia plotësojnë dëshirën, vendi shkon në zgjedhje. As Asociacion nuk ka, ndërsa i hapet rruga një kthese të madhe politike në Kosovë, ku dyshja Albin Kurti-Vjosa Osmani, mund të rikthehet fuqishëm në pushtet.

Në secilin variant, koalicioni aktual është i sfiduar. Nëse bëjnë pazare të reja për ta mbajtur me çdo kusht pushtetin, kredibiliteti i tyre do të rrënohet edhe më thellë. Nëse nuk merren vesh e shkojmë në zgjedhje, dihet epilogu.

Pa unitet politik përballë Serbisë, Kosova do të jetë e dëmtuar dhe kompromiset e reja, që Hoti është i gatshëm t’i bëjë, mund të kenë pasoja të paparashikueshme.

Nën peshën e një aktakuze nga Specialja, Hashim Thaçi po përpiqet të shfaqet edhe një herë si “shpëtimtar” duke e “ndalur” Hotin nga nënshkrimi i marrëveshjeve të këqija, që në fakt nuk janë asgjë tjetër përveçse riciklim i kompromiseve të rënda që vetë presidenti i ka bërë sa ishte kryeministër dhe ministër i jashtëm, bashkë me Isa Mustafën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco