Heronjtë e botës pandemike

Heronjtë e botës pandemike

Nga Blerim Reka - 07/04/2020

Sot, Dita Ndërkombëtare e Shëndetësisë e gjen botën në gjendje ”lufte” kundër “armikut” anonim. Gjeopolitika infektive po dominon agjendat globale. Me një të pestën e popullatës botërore të izoluar dhe mbi 1,3 milionë të infektuar; shtetet e sukseshme, po rangohen jo nga paraja e ushtria, por nga shëndetësia. Shërbimet e zbulimit po hulumtojnë kapacitetet shëndetësore e jo ato ushtarake, por as lufta speciale me fake news, nuk është pa ndikim. Menaxhimi i pasojave të Corona virusit vazhdon të dominojë lajmet botërore.

Statistikat e zeza mjekësore, zëvendësuan ato të luftërave, sepse ky virus po vret për një ditë në paqe, më shumë se sa në luftërat konvencionale. Prandaj, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterrez kërkoi ndërprerjen e të gjitha luftimeve gjatë kohës së pandemisë. Në luftërat klasike, luftohej kundër armikut të njohur, sot po luftohet me armikun e panjohur. Atëherë kthimi i sulmit ishte e vetmja mbrojtje, sot është vetë-izolimi nga ky armik anonim.

Kjo pandemi, ndryshoi: qeverisjen, ekonominë, arsimin e komunikimin. Online lidhjet zëvendësuan studiot televizive, e rrjetet sociale - shtypin. Mësimi në distancë, virtualizoi bankat shkollore. Skype-qeverisja përshkoi vendim-marrjen kombëtare e ndërkombëtare.

Frika pandemike riktheu shtet-centrizmin. Shtetet mbyllën kufijtë dhe unilateralizmi hijëzoi multilateralizmin. Pandemia nuk njeh kufij shtetëror. Pa pasaportë e pa viza, virusi relativizoi sovranitetet shtetërore. Misionet e huaja mjekësore të ndihmës, “cenuan” kufijtë shtetëror edhe pse karantin-diplomacia i mbylli ata hermetikisht.

Nëse kriza globale financiare e vitit 2008 tregoi brishtësinë e ekonomive nacionale, pandemia e sotme po dëshmon pafuqinë e shteteve që vet të përballën me këtë armik global. Shtetet vetë për vete, vështirë do të mund të rimëkëmbin ekonomitë e tyre nacionale pa një plan global ekonomik. Pas shërimit nga pandemia, botën e pret shërimi i ekonomive të molisura.

Për kohë të shkurtër ndryshoi edhe të menduarit për jetën. Heronjtë e sotëm, nuk janë gjeneralët, por mjekët. Jo politikanët, por infektologët. Jo ushtarët, por infermierët.

Na mbetet ta bëjmë, vetëm atë që mundemi: të vetë-izolohemi në shtëpitë tona dhe t'i zbatojmë këshillat mjekësore. Kjo është e vetmja armë që na ngeli kundër armikut anonim. Edhe pandemia është e përkohshme.

Jeta do të vazhdojë edhe pas Corona virusit. Duhet ta mbijetojmë, që ta rrëfejmë.

Qëndroni të pastër, qëndroni në distancë, qëndroni në shtëpi!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco