Në vitin 2024, sipërfaqja e lejeve të dhëna për ndërtim arriti në 2.5 milionë metra katror, duke shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me 333 mijë metra katror në 2015-n, përpara se të fillonte vala e re e ndërtimeve në vend, sidomos në kryeqytet.
Nga viti 2025, INSTAT nuk publikon më të plota sipërfaqen e lejeve të dhëna për ndërtim, pasi jep vetëm informacion vetëm mbi lejet e ndërtimit bazuar në të dhënat e siguruara nga bashkitë.
INSTAT ka sqaruar se në të dhënat e raportuara nuk përfshin lejet mbi 7 kate që jepen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU. Si rrjedhojë, në vitin 2025, sipërfaqja e deklaruar e lejeve ishte vetëm 1.3 milionë metra katror, (gati përgjysmim) e dhënë kjo vetëm nga Bashkite.
Ndonëse KKTU ka dhënë vazhdimisht leje ndërtimi për kulla e resorte, nuk ka pasur transparencë se sa është sipërfaqja e dhënë për ndërtim në 2025-n dhe në 5 muajt e parë të 2026-s.
Një tregues indirekt janë të ardhurat e larta nga taksat lokale, ku 50-60% e të cilës vjen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Nga taksat lokale, për periudhën janar maj 2026 janë mbledhur rreth 24 miliardë lekë të ardhura, me dyfishim nga e njëjta periudhë e 2025-s, ose rreth 12.7 miliardë lekë më shumë.
Rritja është aq e fortë sa ka ndikuar në përmirësimin e të ardhurave totale buxhetore. Për krahasim të ardhurat buxhetore në janar-maj ishin 34.3 miliardë lekë më shumë, pra vetëm taksat lokale kanë sjellë 37% të rritjes së buxhetit.
Monitor, duke u nisur nga rritja e lartë e zërit të taksave lokale, ku ndikimin kryesor e ka dhënë ajo e ndikimit në infrastrukturë ka përllogaritur, bazuar në të dhënat e 2024 se sa mund të jetë sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi vetëm në 5 muajt e parë të vitit.
Sipas përllogaritjeve të “Monitor” (të sqaruara më poshtë), rezulton se vetëm në 5 muajt e parë të vitit janë dhënë leje ndërtimi për rreth 2 milionë metra katror ndërtime, nga 2.5 milionë metra katror që ishin dhënë për gjithë vitin 2024, duke treguar për një vijim edhe më masiv të ndërtimeve në vend, nëse do të bëhen të gjitha projektet, që tashmë rezultojnë se kanë paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë.
Në Tiranë, taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja për banim, tregti dhe shërbime është 8% e çmimit të shitjes për metër katror, bazuar në vlerën referuese të tregut. Ky nivel u vendos me paketën fiskale të Bashkisë Tiranë për vitin 2016, ku u rrit nga niveli prej 4% që ishte më parë. Edhe në Durrës e Vlorë, ku po ndërtohet masivisht, taksa është po 8% në disa zona qendror, (nivelet e tjera janë 4-6%), ndërsa në rrethet e tjera varion midis 4-8%.
Llogaritjet, leje për 2 milionë metra katror vetëm në 5 muajt e parë të vitit
Në vitin 2024, kur u arrit dhe rekordi i deritanishëm i lejeve, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, të ardhurat gjithsej nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në gjithë vendin ishin 18.5 miliardë lekë, ose 57% e totalit të taksave lokale, që në vitin 2024 ishin 32.6 miliardë lekë. Në nivel njësi, rreth 77.4% të të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në 2024-n e mblodhi vetëm Bashkia Tiranë.
Në vitin 2025, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukture u ulën me 11% në 16.4 miliardë lekë (50% e totalit të taksave lokale), duke treguar për një tendencë rënëse të sipërfaqeve të lejeve të dhëna për ndërtim, por jo 50% siç rezulton nga sipërfaqja e lejeve për ndërtim të dhëna nga INSTAT. Në nivel njësie rreth 40.2% e taksës së ndikimit në infrastukturë në 2025-n u mblodh vetëm nga Bashkia Tiranë. Ky fakt dëshmon një përqendrim të lartë territorial të këtij burimi fiskal, sipas Ministrisë së Financave.
Sipas raportit të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në vend janë rritur nga 1.4 miliardë lekë në vitin 2015, në 16.4 miliardë lekë në 2025-n, ose 1057% më shumë. Vetë financat theksojnë se kjo tregon: a) rritje të ndjeshme të aktivitetit të ndërtimit; b) rol gjithnjë e më të madh të kësaj takse si burim financiar për njësitë vendore. “Megjithatë, për shkak të natyrës ciklike të sektorit të ndërtimit, varësia e lartë nga kjo taksë paraqet rreziqe për qëndrueshmërinë afatmesme të të ardhurave”, thuhet në raport.

Bazuar në të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë në 2024-n (18.6 miliardë lekë) dhe sipërfaqen e dhënë për ndërtim (2.5 milionë metra katror), rezulton që nga taksa e infrastrukturës arkëtohet 7.4 mijë lekë për metër katror.
Me ketë të ardhur për metër katror dhe duke supozuar që rreth 60% e të ardhurave nga taksa lokale janë nga ajo e ndikimit në infrastrukturë, pra rreth 14 miliardë lekë (në fakt përqindja duhet të jetë më e lartë për shkak të rritjes së fortë të të ardhurave të ndikuar vetëm nga ky zë), sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi vetëm në 5 muajt e parë të vitit është të paktën 2 milionë metra katror.
Sigurisht që ky është një supozim, në mungesë të transparencës së institucioneve dhe i takon KKTU-së që të japë te INSTAT informacion të saktë lidhur me sipërfaqen e lejeve që ajo ka dhënë për ndërtim në 2025-n dhe në pesë muajt e parë të këtij viti.
Leje të shumta për kulla muajt e fundit
Katër mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit kanë marrë në shqyrtim disa qindra kërkesa për leje ndërtimi e zhvillimi ku përfshihen projekte turizmi, rezidencialë, infrastrukturë publike, ndërhyrje në energji dhe transport.
Një tregues indirekt që mat vrullin e lejeve të ndërtimit që po vijojnë të jepen në vend, janë arkëtimet e ndjeshme nga zëri i “Pushtetit vendor”, pjesa më e madhe e të cilës përbëhet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Të ardhurat nga pushteti vendos ishin 26.3 miliardë lekë për janar-prill 2026, me një rritje prej 118%, ose 14.2 miliardë lekë më shumë (rreth 150 mln euro).
Sekuestrimet e SPAK zbulojnë pastrime masive parash në ndërtim
Sekuestrimet e fundit të SPAK kanë nxjerrë sërish në pah përdorimin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme si kanale të dyshuara për pastrimin e parave. Në njoftimet e qershorit, SPAK bëri të ditur goditjen e rrjeteve të dyshuara për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim të produkteve të veprës penale, me sekuestro mbi pasuri të shumta.
Sipas raporteve të SPAK, mes aseteve të sekuestruara përfshihen troje, apartamente, garazhe, vila, llogari bankare, shoqëri tregtare dhe pasuri të lidhura me projekte ndërtimi në Tiranë dhe zona bregdetare.
Rasti i “Nova Construction” është ndër më domethënësit, pasi vendimi i gjykatës ka vendosur sekuestro mbi tre kulla të lidhura me këtë kompani, ndërsa ajo përmendet si një nga shoqëritë simbol të boom-it të ndërtimeve shumëkatëshe në Tiranë.
Sipas raporteve të SPAK sekuestrot, që përfshinin ndër të tjera tre kulla në kryeqytet, lidhen me dyshimet për pastrim parash në vlera të mëdha dhe investimin e të ardhurave të dyshuara kriminale në ndërtim. Shuma e sekuestros preventive arrin në mbi 128.4 milionë euro.
Në rastin më të fundit, SPAK njoftoi më 16 qershor sekuestrimin e një pakete të gjerë pasurish, ku përfshihen edhe vila, apartamente, pasuri të paluajtshme dhe shoqëri tregtare, në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Sipas SPAK, hetimi lidhet me dyshimet se të ardhura me burim kriminal janë investuar në prona dhe aktivitete biznesi, duke e kthyer sërish sektorin e pasurive të paluajtshme në një nga kanalet kryesore të pastrimit të parave.
“Nga hetimet është provuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare “cash” për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj.”, thotë SPAK në raportin e fundit.
Vlera totale e pasurive të sekuestruara dyshohet të jetë rreth 150 (njëqind e pesëdhjetë ) milionë euro, referoi SPAK./Monitor

© SYRI.net