Dita e shtatë e fushatës zgjedhore është karakterizuar nga aktivitete dhe deklarata të shumta të partive kryesore në vend, ku kandidatët për kryeministër kanë paraqitur programet e tyre dhe mesazhet drejtuar qytetarëve në disa komuna të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar aktivitetin e radhës në Lipjan, ku kandidati për kryeministër Albin Kurti ka prezantuar një sërë premtimesh për mandatin e ardhshëm, përfshirë banimin e përballueshëm, investimet në infrastrukturë dhe sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Në Lipjan, problemet që duhej zgjidhur do t’i adresojmë menjëherë. Projektet që do të mbështeten në mandatin e ri janë nisja e programit të banimit të përballueshëm, kolektori për ujëra të zeza, hapja e shkollës së Mesme së Mjekësisë”, tha Kurti.
Ai foli edhe për investime në ekonomi, ushtri dhe arsim, duke theksuar se qeveria do të vazhdojë me rritjen e kapaciteteve shtetërore. “Do t’i investojmë 1 miliard euro në katërvjeçarin e ardhshëm në prodhimtari… Po ashtu ‘Dritarja e diasporës’ do të jetë 100 milionë euro. Në katërvjeçarin e ardhshëm do t’i investojmë 1 miliard euro në ushtri”, u shpreh ai.
Kurti shtoi se do të rritet edhe mbështetja për studentët, përmes bursave dhe programeve arsimore. “Do të dyfishohet numri i bursave”, tha ai.
Nga ana tjetër, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka zhvilluar takim me qytetarët në Han të Elezit, ku ka theksuar nevojën për ndryshim dhe zhvillim ekonomik.
“Kur hyni në Kosovë nga jugu, porta e parë e hapur për ju është Hani i Elezit… nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, kudo mesazhi është i qartë: Stop krizës. Ndrysho Kosovën”, ka thënë Hamza.
Ndërkohë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidaten për presidente Vjosa Osmani, kanë qëndruar në Viti, ku kanë folur për zhvillimin lokal dhe mbështetjen për familjet dhe sektorin e bujqësisë.
“Në Viti pamë edhe një herë se fryma e bashkimit po rritet çdo ditë. Vitia di të qëndrojë drejt dhe të zgjedhë mençur”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka përmendur edhe kandidatët lokalë të partisë dhe prioritetet programore në nivel komunal.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zhvilluar aktivitet në Deçan, ku kandidati për kryeministër Ardian Gjini ka folur për përgjegjësinë politike dhe nevojën për zgjidhje konkrete për qytetarët.
“Do të bëj më të mirën që askush që e voton Aleancën të mos ndihet keq dhe të mos turpërohet”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka theksuar se vendi ka nevojë për fokus në zhvillim dhe jo për përplasje politike, duke shtuar se “sot s’kemi nevojë me bo kryengritje kundër njëri-tjetrit, kemi pas nevojë me bo kryengritje kundër Serbisë, kundër okupatorit”.
© SYRI.net