Është dënuar nga gjykata e Reggio Emilia-s, me procedurë të shkurtuar, me shtatë vjet e katër muaj burg 34-vjeçari shqiptar Orjol Lame, i akuzuar për vrasje rrugore të shumëfishtë të rënduar.
Ai shkaktoi vdekjen e katër personave, partneres së tij 22-vjeçare Shane, djalit të tyre një vjeç e gjysmë Mattias, vëllait dhe motrës së saj, Resat dhe Rejana, përkatësisht 9 dhe 11 vjeç, të cilët ndodheshin në Fiat Stilo-n që ai po drejtonte më 30 tetor 2022 në Gaida.
Burri kishte hipur në timon i dehur, nën efektin e drogës, pa patentë dhe pa siguracion, duke u përplasur me një ndërtesë të vjetër përgjatë rrugës Emilia, dhe ishte i vetmi që mbijetoi.
Vendimi i gjyqtarit për hetimet paraprake, Luca Ramponi, u shpall në mëngjes dhe ishte më i rëndë se kërkesa e prokurorit Stefano Rivabella Francia, i cili kishte kërkuar një dënim prej 6 vjetësh e 8 muajsh.
Lame u dënua gjithashtu të paguajë një shumë të përkohshme prej 600 mijë eurosh në total për dy palët civile (300 mijë euro secilit për Ardian dhe Anjeza, familjarë të viktimave, të përfaqësuar nga avokati Nicola Termanini dhe studio ligjore "3A-Valore").
Procesi gjyqësor u mbyll pas disa fazash ligjore që përfshinë ekspertiza dhe ankesa. Lame, i vetmi i pandehur, pas aksidentit ra në koma. Dy muaj më vonë u zgjua dhe u transferua në një qendër të specializuar për rehabilitim pas traumës. Sipas ekspertizës së caktuar nga gjykata, ai u vlerësua si "i paaftë për të marrë pjesë me vetëdije në proces për shkak të një dëmtimi neurologjik pas-traumatik me mungesa të theksuara njohëse dhe të sjelljes, që duhej rivlerësuar". Prokuroria kishte kërkuar masën e arrestit shtëpiak në një strukturë shëndetësore, por gjyqtari hetues e kishte refuzuar kërkesën. Pas daljes nga qendra e rehabilitimit, gjykata e apelit refuzoi ankesën e prokurorit dhe, në fakt, Lame ka qenë gjithmonë në gjendje të lirë, duke u kthyer në Shqipëri pranë familjes.
© SYRI.net