Haradinaj: Pa një rezolutë për gjenocidin në Kosovë, drejtësia mbetet e përgjysmuar

Haradinaj: Pa një rezolutë për gjenocidin në Kosovë, drejtësia mbetet e përgjysmuar

11:33, 24/05/2024

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se rezoluta e OKB-së për Srebrenicën shënon një hap të rëndësishëm drejt njohjes së gjenocidit në Kosovë

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka theksuar se pa një rezolutë të OKB-së për krimet në Kosovë, drejtësia mbetet e përgjysmuar për mijëra viktima.

“Pa një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për krimet e gjenocidin në Kosovë, e vërteta dhe drejtësia për mijëra viktima mbeten përgjysmë. Autorët e krimit e gjenocidit, të kudondodhur, duhet ta marrin dënimin. Varrezat masive, masakrat, ekzekutimet e mijëra qytetarëve, dhunimet dhe përndjekja e një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, s’mund të kenë emër tjetër përpos gjenocid”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se përballja me të vërtetën është e domosdoshme për të siguruar drejtësi të plotë për viktimat e gjenocidit në të gjithë Ballkanin.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar sot rezolutën, që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

84 shtete votuan për, 19 ishin kundër e 68 abstenuan.

Votimi erdhi pas një debati të shkurtër në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ndërsa, në fjalën e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” dhe ka kërkuar që të mos mbështetet.

Lidhur me miratimin e rezolutës së OKB-për Srebrenicën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “bota po u jep brezave të ardhshëm një shans për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco