Periudha shtesë e regjistrimit të popullsisë përfundon këtë të premte

Periudha shtesë e regjistrimit të popullsisë përfundon këtë të premte

09:23, 24/05/2024

Këtë të premte, pritet të përfundojë regjistrimi i popullsisë edhe për komunat në Kosovë të cilat kishin kërkuar shtyrjen e afatit për një javë në mënyrë që të përmbyllin suksesshëm këtë proces.

Afati i regjistrimit të popullsisë ishte nga 5 prilli deri më 17 maj, ndërsa me kërkesë në disa komuna nga Qeveria e Kosovës është shtyrë edhe për një javë, deri më 24 maj.

Shtyrja e afatit ishte bërë pasi mund të kishte individë, ekonomi familjare që nuk ishin regjistruar, si në Dragash, Prishtinë, Prizren, Drenas, Fushë Kosovë, Skenderaj, Obiliq, Ferizaj, Shtërpcë, Kaçanik dhe Gjakovë.

Edhe në katër komunat e Veriut, në objektet e komunave zyrat kanë qenë të hapura nga ora 09:00-18:00.

Në periudhën sa është shtyrë regjistrimi, intervistat janë zhvilluar nga stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të popullsisë

Ylli Shala, menaxher i projektit në Agjencinë e Statistikave (ASK), ka theksuar se rënia e natalitetit dhe migrimi janë dy faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rënien e numrit të popullsisë, por që sipas tij, në Kosovë nuk ka shumë rënie të numrit të banorëve.

Më 13 maj, kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar 1 milion e 420 mijë e 148 qytetarë.

Në konferencë për medie, Kastrati ka thënë se numri i qytetarëve të diasporës të regjistruar online ka kaluar 400 mijë, me pjesën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por që kanë nënshtetësi të Kosovës.

Ndryshe, nga këtu regjistrimi i Diasporës do të vazhdojë të bëhet përmes Platformës online eDiapsora (https://ediaspora.rks-gov.net/) deri më 31 gusht 2024.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco