Ambasada e SHBA-së nuk e komenton dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese

Ambasada e SHBA-së nuk e komenton dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese

12:07, 16/05/2024

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk ka dashur të komentojë veprimin e fundit të Qeverisë së Kosovës e cila njoftoi Këshillin e Evropës se po përgatit draft-statut për Asociacioni.

Në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, ka thënë se nuk ka më shumë komente rreth çështjes përveç atyre që i ka thënë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se nëpërmjet një letre, e ka njoftuar Këshillin e Evropës, se Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin e “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

Ky draft, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 8 maj, pati thënë se ka shqetësime se Kosova mund të mos i ketë votat për t’u pranuar në Këshillin e Evropës.

Ai tha se disa vende anëtare të Këshillit të Evropës kanë kërkuar nga Kosova ta themelojë Asociacionin dhe shtoi se kjo është një kërkesë e vazhdueshme e bashkësisë ndërkombëtare.

Po atë ditë, Kurti pati thënë se Qeveria e tij nuk do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, sepse ai është pjesë e dialogut me Serbinë që zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg, ku ka selinë Këshilli i Evropës, ndonëse kjo ndodhi sot.

“Unë isha i pranishëm në Ohër. Atje u ra dakord që të gjitha elementet e asaj marrëveshjeje të zbatoheshin menjëherë. Kjo do të thotë, për Kosovën, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe Serbisë të mos i bllokojë rrugën Kosovës në asnjë organizatë euroatlantike dhe ndërkombëtare”, u shpreh Escobar më 8 maj.

Sa i përket rrugës së Kosovës drejt Këshillit të Evrops, Escobar pati përmendur sërish kërkesën për themelimin e Asociacionit, si kusht.

“Por unë e di që ka shqetësime në mesin e disa anëtarëve që Asociacioni dhe disa nga kërkesat e tjera që janë bërë – dhe janë bërë në mënyrë të përsëritur gjatë dy viteve të fundit në lidhje me asociacionin dhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me pakicën serbe – nuk janë përmbushur. Dhe kjo ajo që nxit disa nga shqetësimet se Kosova mund të mos ketë votat në Këshillin e Evropës. Tani, është qëndrimi amerikan që Kosova duhet të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e Kombeve të Bashkuara. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. Por ndërkohë, në rrugën evropiane, mendoj se është e rëndësishme që Kosova të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me partnerët e tyre evropianë, ndërsa ne forcojmë kandidaturën e Kosovës për të gjitha strukturat euroatlantike” , pati thënë Escobari.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i ka shkuar në zyre për takim presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Ky takim i Hovenierit dhe Osmanit vjen në ditën kur Ministrja Gërvalla i ka dërguar letër zotuese për Asociacioninin, presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Strasburg.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco