“Serbia po frikëson serbët e Kosovës”- detaje nga biseda telefonike Kurti-Macron

“Serbia po frikëson serbët e Kosovës”- detaje nga biseda telefonike Kurti-Macron

16:33, 24/04/2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi dje një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron, të cilin e falënderoi për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit janë bërë të ditura detaje më të hollësishme lidhur me këtë telefonatë ku kryeministri Kurti me presidentin Macron ngriti edhe çështjen e mungesës së dënimit të autorëve të sulmit paramilitar dhe terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, në krye me Millan Radoiçiq “i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht dëshmive të qarta dhe pranimit të fajësisë për organizimin dhe përfshirjen në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës”.

“Sa i përket temës së procesit të dialogut në Bruksel dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti insistoi në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit. Ai po ashtu e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme që Qeveria e Serbisë po i bën qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, gjë që u reflektua dhe me numër të ulët të pjesëmarrjes në procesin e votimit të 21 prillit në katër komunat në veri të vendit”, thuhet në njoftim.

Më tej, kryeministri shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit.

Ai theksoi se Kosova meriton anëtarësimin mbi bazën e performances dhe arritjeve në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe politikat perëndimore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco