Kurti flet për zgjedhjet: Këto tre vite në qeverisje na kanë shtuar vullnetin për të arritur edhe më shumë

Kurti flet për zgjedhjet: Këto tre vite në qeverisje na kanë shtuar vullnetin për të arritur edhe më shumë

09:13, 15/04/2024
Kryeministri Albin Kurti, dje në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizje Vetëvendosje foli edhe për zgjedhjet siç thotë kjo parti që po afrojnë.
 
Ai tha se këto tri vite në qeverisje i kanë shtuar vullnetin për të arritur edhe më shumë.
 
“Sfidat që kemi përpara janë të shumta ndërkaq rreziqet që na kërcënojnë janë të mëdha, por e madhe është edhe forca jonë dhe e gjerë është mbështetja e qytetarëve tanë të cilët janë të bashkuar më shumë se kurrë për punën tonë të drejtë. Prandaj edhe nuk ka arsye pse të mos i arrijmë synimet tona”, tha Kurti.
 
Ai tutje tha se mbështetja qytetare është burim i pashtershëm shprese për të.
 
“Mbështetja e madhe qytetare është burim i pashtershëm shprese dhe energjie për mua si Kryeministër. Është motori që më shtynë mua dhe qeverisë drejt ndërtimit të shtetit që duam dhe meritojmë. Orët e ditës e ditët e javës mundohem t’i shtoj e zgjas për t’ua kthyer me punë besimin dhe mbështetjen e dhënë ndaj qeverisë”, tha Kurti.
 
Kujtojmë se në sondazhin e fundit të realizuar nga kompania UBO Consulting të publikuar nga gazeta online Reporteri.net Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë me 49.5 për qind. PDK-ja ka rënë pak me 17.1 për qind ndërsa LDK-ja ka rënie pak më të madhe me 16 për qind, duke u renditur si forca e tretë politike në Kosovë.
 
Sipas kësaj matje të opinionit publik, AAK-së s’po i kryen punë as koalicioni me NISMA-n sepse vazhdojnë të jenë në rrezik të pragut, duke llogaritur margjinen e gabimit të Omnibusit të fundit të kryer gjatë muajit mars të këtij viti. Koalicioni i këtyre partive ka 6.9 për qind, sipas këtij sondazhi.
 
Partia me dy kryetarë, Lista “Guxo” vazhdon të jetë e pavërejtshme edhe në këtë sondazh, me 0.6 për qind.
 
Lista Serbe, sipas këtij sondazhi, del të ketë 5.6 për qind.
 
4.3 për qind e të anketuarve në këtë sondazh, kanë zgjedhur tjetër opsion kur janë pyetur për partinë politike për të cilën do të votonin.
 
Sondazhi i kryer në kuadër të omnibusit të rregullt, është realizuar para urdhrit të Qeverisë për tokat e manastirit të Deçanit dhe para se PDK-ja ta shpallte Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.
 
Në zgjedhjet e fundit nacionale më 14 Shkurt 2021, LVV-ja e kishte marrë 50.28%. Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind. LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco