Si rezoluta e OKB që përkujton masakrën e Srebrenicës të 1995 po ndez tensione

Si rezoluta e OKB që përkujton masakrën e Srebrenicës të 1995 po ndez tensione

11:15, 13/04/2024

I forti i Republika Srpska, Milorad Dodik, ka rritur retorikën separatiste në rajon.

Një projekt-rezolutë e OKB-së që e shpall 11 korrikun "Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës të 1995" do t'i paraqitet Asamblesë së OKB-së për shqyrtim më 17 prill dhe do të votohet nga 193 shtetet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në 2 maj..

E modeluar pjesërisht si një rezolutë e ngjashme për gjenocidin e Tutsive të Ruandës, dokumenti po zhvillohet nga një grup vendesh duke përfshirë Ruandën, Gjermaninë, Francën dhe SHBA-në.

Edhe pse detajet e plota të dokumentit të propozuar nuk janë ende të disponueshme, rezoluta ka shkaktuar reagime të ashpra serbe, si nga serbët e Bosnjës të Republikës Srpska, ashtu edhe nga autoritetet në Beograd.

Presidenti i entitetit serb të Republikës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, gjatë një vizite në Beograd tha se "Bosnja dhe Hercegovina mund të mos i mbahen" rezolutës së OKB-së.

Presidenti nacionalist-konservator serb, Aleksandar Vuçiç, ka kundërshtuar procedurën e miratimit të rezolutës, e cila do të votohet nga Asambleja e OKB-së dhe jo nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Sipas presidentit Vuçiç, Këshilli i Sigurimit është më i përshtatshëm politikisht kur bëhet fjalë për çështjet e Bosnjës:

"Është një detyrim që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të merret me çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës, sepse është ende një rajon i paqëndrueshëm. E them këtë sepse ata duan të zhvendosin votën nga Këshilli i Sigurimit për në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara", tha presidenti serb duke përfunduar se "ruajtja e paqes nuk është vetëm një çështje kulturore e kujtesës".

Ndryshe nga rezolutat që kalojnë nga Asambleja e Përgjithshme, një rezolutë e Këshillit të Sigurimit mund tëbllokohet me veto nga vetëm një anëtar. Serbia shpesh mbështetet tek Rusia si një forcë vetoje.

Në Paris

Më 8 dhe 9 prill, kreu i shtetit serb takoi homologun e tij francez, Emmanuel Macron në Elysee, ku nënshkroi disa kontrata me industrinë franceze të armëve.

Megjithatë, presidenti Vuçiq nuk mori mbështetjen nga Parisi që priste për pozicionin e tij.

Presidenti Macron tha "Më 11 korrik 1995 dhe në ditët që pasuan, një nga tragjeditë më të këqija në historinë moderne ndodhi në Srebrenicë, Bosnje dhe Hercegovinë. Franca nuk ka harruar më shumë se 8000 viktima, të rritur dhe fëmijë, të cilët u vranë. Me emocione të thella, përshëndes viktimat e mbijetuara të gjenocidit dhe familjet e tyre dhe shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta”.

Franca është ndër vendet që promovojnë Rezolutën për masakrën e Srebrenicës.

Image

Sipas rrjetit shtetëror të lajmeve të SHBA, Zëri i Amerikës, projekt-rezoluta dënon "çdo përpjekje për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe inkurajon çdo përpjekje për të sjellë autorët e kësaj masakre në gjykatat ndërkombëtare".

Retorika aktuale e Milorad Dodik hedh poshtë idenë se në korrik 1995 trupat serbe të Bosnjës, nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiç (i dënuar nga gjykata e Hagës si kriminel lufte) kryen gjenocid në Srebrenicë.

Përshtypja e komunitetit ndërkombëtar është se Dodik po përdor projekt-rezolutën e OKB-së si pretekst për të realizuar axhendën e tij separatiste.

Në vitin 2005 Dodik deklaroi: "Unë e di shumë mirë se çfarë ndodhi në Srebrenicë. Ishte gjenocid. Kjo u vërtetua nga gjykata në Hagë. Është një fakt juridik i padiskutueshëm".

Tani, kreu i Republika Srpska, Dodik, kërcënoi se do të shpallte "masa të posaçme" zyrtarisht të paspecifikuara më 5 maj nëse UNGA do të miratojë rezolutën e Srebrenicës.

Nuk është hera e parë që “i forti” i Banja Lukës deklaron se nuk është dakord që Republika Srpksa të jetë pjesë e Republikës së Bosnje-Hercegovinës.

Çoroditja diplomatike e Beogradit

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, në përgjigje tha se "as Serbia dhe as Republika Srpska nuk përmenden këtu (në rezolutë) por thuhet se është krim kundër muslimanëve boshnjakë, prandaj dikush e ka kryer".

Dodik ka më shumë se dy vjet që është në konflikt me institucionet boshnjake dhe Përfaqësuesin e Lartë të Komunitetit Ndërkombëtar.

Ai ka kundërshtuar reformën zgjedhore të propozuar nga Përfaqësuesi i Lartë, diplomati gjerman Christian Schmidt, duke thënë se Serbia nuk e njeh as autoritetin e tij dhe as atë të Gjykatës Kushtetuese të Sarajevës.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç nuk pati asnjë reagim negativ ndaj fjalëve të Milorad Dodik, pavarësisht se ai tha se zyrtarisht mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje-Hercegovinës.

Christian Schmidt, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën, dha një paralajmërim në një intervistë për Euronews Serbia javën e kaluar:

"Askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje Hercegovinës. Meqë ra fjala, presidenti Vuçiç nuk e bën kurrë. Ai përfaqëson shtetin nënshkrues të Dejtonit. Kjo nuk duhet të vihet kurrë në dyshim, kjo është baza e një zhvillimi paqësor atje.".

Paralajmërimi i SHBA

Ambasada amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë ka reaguar të premten ndaj qasjes separatiste të Milorad Dodik.

"Çdo përpjekje për t'u shkëputur nga entiteti ose ndonjë nën-njësi tjetër nënshtetërore është një veprim kundër Dejtonit që nuk do të tolerohet. Kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës nuk i jep të drejtën entitetit apo ndonjë njësie tjetër nënshtetërore të shkëputet. “, shkruan ambasada në Twitter./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco