I ngujuar me fëmijë prej 20 vjetësh,  se 'urdhrat' e Lek Dukagjinit ende zbatohen në shek XXI

I ngujuar me fëmijë prej 20 vjetësh, se 'urdhrat' e Lek Dukagjinit ende zbatohen në shek XXI

10:49, 16/03/2024

Plagët e gjakmarrjes, një atavizëm mesjetar, vijojnë të mbeten të hapura në Shqipëri, veçanërisht në veri të vendit. Pavarësisht se shifrat tregojnë rënie, media ka raportuar mbi 500 raste në dy dekadat e fundit. Viktima të gjakmarrjes janë edhe gratë dhe fëmijët, edhe pse sipas Kanunit janë të paprekshëm. Ndërsa dënimet për këtë krim janë ashpërsuar dhe numri i familjeve të ngujuara është në rënie, shoqatat dhe OJQ-të paraqesin një realitet tjetër, shkruan Marsel Vocaj në investigimin më të fundit të Albanian Center for Quality Journalism  · 

Të gjesh sot një familje të ngujuar nga gjakmarrja në Shkodër nuk është e vështirë, por, të kesh një komunikim me ta, nuk është fort e lehtë. Përtej vështirësive, dilemave dhe problemeve, me të cilat përballet, B.N., i ngujuar prej 20 vitesh, zgjodhi të tregonte historinë e tij se si filloi gjakmarrja.

“…për një gabim adoleshenti ditën e Vitit të Ri 2001, familja ime ka më shumë se 20 vite që është në ngujim dhe, sado që jemi përpjekur t’ia shpjegojmë hasmit, që ai plumb i gjuajtur nga im vëlla u shkrep aksidentalisht, nuk kemi arritur ta gjejmë rrugën e pajtimit”.

B. N., nuk del nga shtëpia prej dy dekadash për shkak të hasmit. Ai thotë se do të dëshironte t’i thoshte vetëm dy fjalë: “Ai plumb, që ka vra babën tënd, mund të kishte vrarë edhe babën tim. Mos harro se jena rrit së bashku në një fshat”.

Rasti i B. N., është historia e dhjetëra personave, që jetojnë me dramën e ngujimit.

Në kronikat e lajmeve të 20 viteve të fundit regjistrohen më shumë se 500 raste të gjakmarrjes, ku, përveç burrave, janë të prekura edhe gratë, si dhe fëmijët, gjë që bie në kundërshtim me Kanunin. Prej më shumë se 5 vitesh ky fenomen nuk është më aq shqetësues sipas mediave, por edhe shumë organeve kompetente, si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit, Policia e Shtetit dhe Avokati i Popullit.

Nga kërkesa për informacion, që iu dërgua zyrës së Avokatit të Popullit, del se studimi i fundit mbi gjakmarrjen është kryer nga ky institucion në vitin 2017, ku nënvizohet se fenomeni nuk është më aq shqetësues sa më parë.

Ministria e Drejtësisë ka ashpërsuar ndëshkimin mbi gjakmarrjen me një dënim që fillon nga jo më pak se 30 vite heqje lirie deri në burgim të përjetshëm.

Nga statistikat e siguruara nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë shihet se fenomeni i gjakmarrjes dhe numri i familjeve të ngujuara në 10 vitet e fundit është ulur ndjeshëm, por shoqatat joqeveritare të gjakmarrjes, si Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, Drejtësi dhe Paqe dhe Jo Gjakmarrjes, Po jetës, kanë një rrëfim tjetër nga ai që shfaqin autoritetet.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, në 10 vitet e fundit ka patur 32 vepra penale të lidhura me gjakmarrjen, (me pasojë humbjen e jetës). Për këto vrasje nuk ka patur asnjë dënim maksimal sipas Ligjit për gjakmarrjen. Momentalisht ka më shumë se 150 persona të dënuar pas viteve ’90 nën akuzën “Vrasje me Paramendim për Gjakmarrje”.

Shoqatat e gjakmarrjes thonë se numri i familjeve të ngujuara nuk është aspak i ulët në raport me numrin e familjeve në Shqipëri. Shoqata Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar në bazë të studimeve të kryera thotë se në Shqipëri janë rreth 290 familje të rrezikuara nga ky fenomen.

Ndërsa shoqata Drejtësi dhe Paqe, që kryen studime çdo 10 vite në lidhje me këtë fenomen dhe në bazë të të dhënave që ka grumbulluar për periudhën kohore 2005-2015, thotë se numri i familjeve të ngujuara ka qenë 138, nga të cilat 80 vetëm në Bashkinë e Shkodrës. Në lidhje me hulumtimin që pritet të kryhet në janar të vitit 2025, kjo shoqatë parashikon që shifrat mund të jenë në rritje.

Të dhënat e grumbulluara nga Drejtoritë e Policive Vendore të veriut të Shqipërisë shfaqin tjetër rezultat. Në 10 vitet e fundit, sipas studimeve të kryera nga këto drejtori, ka patur më pak se 30 raste të lidhura me gjakmarrjen. Shkodra, vatra historike e gjakmarrjes, sipas Drejtorisë së Policisë Vendore, Shkodër ka patur vetëm 4 vrasje dhe një plagosje në 10 vitet e fundit. Shoqatat e gjakmarrjes të këtij qyteti thonë se vetëm në 2 vitet e fundit ka pasur me shumë se 3 viktima si pasojë e gjakmarrjes.

“Gjakmarrja është një ndër 12 kapitujt e Kanunit, – thotë studiuesi Luigji Milai, – por ata shpërfillen”.

“Gjakmarrja ka kufizime të mëdha, ka rregulla dhe nuk mund të bësh çfarë të duash. Kanuni është përdorur si rregullator. Në rastet kur janë kryer vrasje midis dy familjeve apo fiseve është munduar t’iu japë zgjidhje, por jo që të kryhen më shumë vrasje. Gjithmonë ka patur respekt të plotë për viktimën. Në rastet ku është dashur të merret gjaku, është kryer sipas rregullave. Kanunin nuk e respekton më kush, veç e thonë me gojë. Në rast se do të respektohej Kanuni, nuk do të vritej femra e as fëmija. Në vitin 2015 u vra Maria brenda rrethimit të shtëpisë, gjë që bie ndesh me dy rregullat kanunore, ku njëra është më e rëndë se tjetra.”, – thotë Milai.

“PAJTIMI”, SI BIZNES

Përveç faktit që Kanuni nuk respektohet për vlerat historike që ka, kryetari i shoqatës KPM (Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar), Gjin Marku, shprehet se nuk po abuzohet vetëm me Kanunin, por edhe me procesin e pajtimit gjithashtu.

“Nuk është aq e lehtë të pajtosh 2 familje; pastaj janë shumë pseudo-shoqata, të cilat përpiqen që të jenë ndërmjetëse, por futen me qëllimin e përfitimeve personale”.

Kanuni e ndalon rreptësisht ngucjen e femrës dhe sidomos vrasjen e saj. Në rast se ke vrarë një femër, me rregullat kanunore dikur ekzekutoheshin dy meshkuj.

Maria, një vajzë 17-vjeçare, u ekzekutua në vitin 2015 së bashku me gjyshin e saj brenda rrethimit të shtëpisë.

“Në mes të natës, në mes të ditës femrat kanë qenë shumë të lira, s’ka guxuar kush t’iu thotë një fjalë e jo më të preken ose të vriten ato”, – thotë Marku.

B. N., i cili ndodhet prej më shumë se 20 vitesh i ngujuar, thotë se e ka tentuar disa herë pajtimin me familjen tjetër. Rrugën e ndërmjetësimit e ka tentuar përmes “pleqve” (ndërmjetësuesit në Kanun), por është i zhgënjyer.

Në Kanun pleqtë duhet të ndërmjetësojnë pa qëllime përfitimi, por sot ky parim themelor i Kanunit ka humbur.

B. N., thotë se për të pajtimin pleqtë kërkonin shuma të konsiderueshme parash, që për të nuk ishte e mundur t’i siguronte.

“Nuk është kollaj t`i dërgosh pleqtë. Nuk është si në Kanun, që pleqtë dërgohen me ndershmëri dhe burrëri, sot kërkojnë pará. Shkojnë diku te 15 burra, të cilët, edhe në qoftë se do të kërkonin 1000 lekë të reja, gjë që nuk ndodh, pasi kërkojnë 10-fishin, është kosto tepër e lartë. Në krye të pleqve ishte N. SH., që më kërkoi 10 mijë euro vetëm për të filluar dhe, nëse pajtimi do të ndodhte, shuma që do të paguaja, do të ishte më e lartë. Më ka ardhur disa herë me gazetarë të shumtë në shtëpi. Para kamerave e shfaqte veten burrë zotëri dhe thoshte se çdo gjë e bënte veç për besën e Zotit dhe Kanunin dhe, kur iknin kamerat, vendoste kushtet”, – shprehet B. N., i drobitur.

Përtej ngujimit problem kryesor është dhe cilësia e jetesës së këtyre personave, në veçanti e fëmijëve dhe të ardhurat që marrin në formë asistence nga shteti.

Familja e B. N., përbëhet nga 8 persona dhe asistenca që marrin është vetëm 17.000 lekë në muaj.

Kur e pyeta për ndihmën nga shteti ndër vite, ai u përgjigj me gjysmë shaka: “Prej autoriteteve shtetërore e vetmja ndihmë që kemi marrë në lidhje me gjakmarrjen ka qenë rrahja dhe tortura, që na kanë dhënë, pasi vëllai kreu krimin. Kemi kaluar 2 net të gjata me babanë, unë dhe vëllezërit, nën torturat e Policisë së Shkodrës. Kjo ishte ndihma e tyre, e parë. Ndihma e tyre, e dytë është asistenca, që ata më japin. Marr 170 mijë lekë të vjetra, që sot nuk janë asgjë. Jam vetë i tetë në shtëpi”.

Elona Prroj, pastore në kishën Fjala e Krishtit dhe njëkohësisht drejtuese e fondacionit Jo gjakmarrjes, Po jetës, ka si qëllim të ndihmojë familjet e ngujuara.

Ministria e Arsimit në vitin 2013 ka prezantuar një udhëzim sipas të cilit familjeve të ngujuara me fëmijë duhet t’iu mundësohet një psikolog dhe një mësues në banesë. Zonja Prroj, e cila është prej kohësh në kontakt të vazhdueshëm me familjet e ngujuara, thotë se asnjëherë nuk i ka rastisur që të shohë mësues apo psikolog pranë këtyre familjeve.

“Unë them që mësuesi, mjeku, psikologu janë të nevojshëm për këto familje. Së pari, familjet e ngujuara kanë nevojë për bukë, gjë që fatkeqësisht mungon në shumë familje. Psikologu, mjeku, mësuesi konsiderohen luks, por janë absolutisht të domosdoshëm. Të ardhurat nga shteti janë të pakta. Ne kemi dy familje në projektet tona, që të dyja janë nëna me dy fëmijë të vegjël, që nuk mund të dalin të punojnë. Kur kam shkuar në shtëpinë e njërës prej tyre, më ka thënë: “Më doli pensioni i burrit të vdekur…” dhe pensioni ishte 5 mijë lekë. Me këtë asistencë as deri në fund të javës nuk shkon”, – thotë ajo.

Në janar të vitit 2022, në Lezhë, 17-vjeçar F. P., vrau vëllain e personit, i cili i kishte vrarë të atin në vitin 2009.

17-vjeçari ishte bullizuar shpesh nga banorët e zonës për mos-marrjen e gjakut të të atit dhe nga presioni psikologjik ai ka kryer krimin, për të cilin është dënuar me 8 vjet heqje lirie.

FORMULARËT, SI BIZNES I GJAKMARRJES

Në shumicën e rasteve familjet, që janë në gjak, synojnë largimin nga Shqipëria dhe rruga drejt Perëndimit iu sigurohet përmes një dokumenti të vulosur. Vulat më parë i zotëronin shoqatat e gjakmarrjes, ku në shumë raste janë raportuar edhe abuzime.

Formularët, sipas KPM (Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar), janë të kotë, sepse janë krijuar nga një shoqatë e pa-akredituar dhe ata nuk njihen nga organet shtetërore, por mjaft persona janë larguar përmes këtyre formularëve nga Shqipëria, ndonëse ndonjëherë personat, që kanë plotësuar formularin, nuk kanë qenë në gjak. Vendet e synuara për të kërkuar azil janë vendet nordike, si Norvegjia, Suedia, Danimarka, por edhe vendet e Europës Qendrore. Deri para pak vitesh vendi më i synuar ishte Gjermania, ku shqiptarët azilkërkues, që ishin në gjak, mbanin numrin e dytë më të lartë të emigrantëve pas Sirisë, që ishte në luftë.

Adem Isufi, pajtuesi i fundit i gjaqeve sipas zakoneve kanunore, kur pyetet, a bëhet pajtimi përsëri sipas zakoneve kanunore, përgjigjet shkurt: “Gjakmarrja si term është e njëjtë me atë të disa viteve më parë, por kanë ndryshuar mënyrat e pajtimit të gjakmarrjes. Në Kanun veç në tri raste je i lejuar për të vrarë. Në rastet e tjera duhet të ulesh e të flasësh për të gjetur rrugën e pajtimit. Në zakonet e vjetra është bërë dhe be-ja, që sot shumë rrallë e bën kush ose e bëjnë edhe rrejshëm”.

Shoqata atdhetare, Dukagjini, që pas komunizmit është aktive në Shkodër, me qëllim ruajtjen e vlerave, zakoneve dhe dokeve të vjetra shqiptare, sidomos të zonës së Dukagjinit, një ndër qëllimet kryesore të saj ka edhe ruajtjen e Kanunit si një “vepër arti”. Ata nuk janë dakord me “fuqinë” e Kanunit edhe në ditët e sotme. Mhill Shkëmbi, anëtar i shoqatës, thotë se mungesa e shtetit për periudha të ndryshme kohore i ka “detyruar” njerëzit që të kthehen te Kanuni.

“Sot kemi një shtet të mirëfilltë dhe ndikimi i Kanunit, sidomos në gjakmarrje, nuk duhet të jetë kaq prezent. Kanuni duhet të ruhet si Kushtetuta e parë shqiptare, por jo të përdoret edhe në vitin 2024”, – thotë Shkëmbi.

Kanuni, “Kushtetuta” e parë e Shqipërisë, por edhe ndër kushtetutat më të vjetra europiane, duhet të ruhet dhe të studiohet. Sa më e fortë kultura ligjore dhe institucionet, aq më pak ndikim do të kenë në jetën e përditshme hijet e Kanunit./ Albanian Center for Quality Journalism

  · 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco