"Shtetndërtimi në Kosovë”, Kurti ligjëron në “Queens University”

09:53, 29/02/2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi mbrëmë “Queens University” në Belfast, ku ligjëroi dhe mori pjesë në diskutimin e zhvilluar me temë “Shtetndërtimi në Kosovë: Sfidat dhe Mundësitë”.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se “Statusi aktual i Belfast-it si ekonomia e dytë me rritjen më të shpejtë në Mbretërinë e Bashkuar, pas Londrës, përfaqëson një largim të rëndësishëm nga e kaluara e tij. Në një mënyrë të ngjashme, kam gjetur se çdo mysafir që kam pritur – pavarësisht nëse kanë raportuar apo vizituar Kosovën gjatë luftës apo pas saj – ka qenë i mahnitur nga transformimi i jashtëzakonshëm nëpër të cilin ka kaluar vendi. Prishtina, ashtu si Belfasti, qëndron si një qytet i gjallë dhe i lulëzuar mes këtij evolucioni të jashtëzakonshëm. Dhe Prishtina, ashtu si Belfasti, po bëhet shpejt një qytet i drejtuar kah teknologjia”.

Ai shtoi se si Irlanda Veriore ashtu edhe Kosova gjatë kësaj kohe po shënojnë momente të rëndësishme 25-vjeçare: Irlanda Veriore ka festuar së fundmi 25-vjetorin e Marrëveshjes të së Premtes së Mirë, ndërsa Kosova këtë qershor do të përkujtojë 25-vjetorin e çlirimit. 25 vjet është e rëndësishme sepse ofron perspektivë duke ruajtur një ndjenjë të rëndësisë dhe angazhimit me çështjet e vazhdueshme.

Më tej, kryeministri foli rreth historikut të shtetndërtimit të Kosovës, dhe sfidat me të cilat është përballur shteti por edhe qytetarët që pas pavarësisë. “Epoka në të cilën po hyjmë nuk ka të bëjë vetëm me krijimin e institucioneve; ka të bëjë gjithashtu me ndërtimin e institucioneve që ofrojnë mbështetje të fuqishme sociale për njerëzit. Bëhet fjalë për krijimin e një kornize ku individët të ndjehen të shërbyer dhe të mbrojtur nga shteti,” u shpreh kryeministri.

Përmendi dhe progresin demokratik që ka njohur Republika e Kosovës në tre vitet e fundit dhe indikatorët pozitivë të dëshmuar dhe nga matjet e rangimet ndërkombëtare. “Për qeverinë time, të jesh besnik ndaj parimeve social-demokratike do të thotë më shumë sesa promovim i drejtësisë dhe barazisë brenda kufijve tanë, por edhe përtej tyre. Republika e Kosovës kërkon jo vetëm të njihet nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe të jetë një kontribues aktiv në adresimin e sfidave madhore me të cilat ballafaqohet bota aktualisht,” tha kryeministri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco