Kurti në Bratislavë: S'mund të dal mbi ligjin për situatën në veri

Kurti në Bratislavë: S'mund të dal mbi ligjin për situatën në veri

13:28, 31/05/2023

Në forumin ‘Globalsec’ në Bratislavë, kryeministri Albin Kurti shpjegoi situatën aktuale në veri të Kosovës. Ai tha se kryetarët e rinj të komunat në veri janë kryetarë me ‘k’ të vogël për shkak të daljes së qytetarëve në numër të ulët në zgjedhje.

Kurti deklaroi se konsideron NATO-n të pazëvendësueshme për sigurinë e Kosovës dhe se me KFOR-in janë në kontakt të rregullt.

Por ai tha se jo çdoherë pajtohem për çdo gjë. “Por ndërtesat komunale i përkasin republikës. E kuptoj se nuk duhet të ketë shumë policë, brenda apo jashtë, por nuk duhet të ketë turma të dhunshme”, tha ai, duke shpjeguar se ata sulmojnë ushtarët, policët e gazetarët.

Kurti deklaroi se drejtësia duhet të jetë në zinxhir dhe se pajtohet se duhet komunikim e koordinim dhe kjo bëhet.

“Por sa i përket komunave nuk mund të rri në zyrën time në Qeveri  e tu them kryetarëve mos shkoni në zyra”, u shpreh Kurti, duke shtuar se e kupton se ata nuk mund të qëndrojnë më shumë sesa mandati i tyre, janë më shumë teknikë, administratorë, dhe janë udhëzuar të kryejnë detyrat pa trimfalizëm.

“Nuk është sukses, por është situatë fatkeqe. Megjithatë, ministri i Financave duhet të bashkëpunojë me kryetarët sepse asnjë nga komunat në Kosovë nuk është e vetë qëndrueshme sepse të ardhurat e tyre janë të dobëta”.

Kryeministri deklaroi se kryetarët serbë në veri kanë dhënë dorëheqje për ta bërë sistemin jofunksional.

“Mua më duhet një legjitimitet minimal me ligjshmëri e me proces demokratik edhe pse dalje të ulët në zgjedhje e legjitimitet të dobët”.

I pyetur nëse për të mirën e situatës, a mund të punojnë kryetarët e këtyre komunave në ndërtesa të tjera, kryeministri Kurti tha se pozita e tij e fuqisë vjen nga zyra e Kryeministrit e republikës demokratike të Kosovës.

“Ajo që po bëj tani është detyrë e imja. Ka struktura paralele në pjesën veriore të Kosovës. Po të urdhëroja kryetarët që të dalin nga zyrat e tyre ku janë, do të ishte sikur unë po angazhohem të krijoj një strukturë paralele ndaj strukturave paralele”, shpjegoi kryeministri Kurti në këtë forum.

Ai tha se këtë nuk mund ta bëjë. Ai u shpreh se një nga definicionet e mira të demokracisë është se ligji duhet të jetë mbi politikën.

“Çfarë mund të bëjmë brenda ligjit dhe ende të bëjmë politikë është që në një pikë të caktuar të ketë zgjedhje të parakohshme, por këtë nuk mund ta themi që këta kryetarë nuk janë kryetarë”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ai rikujtoi e vetë  bashkësia ndërkombëtare me konsensus të përgjithshëm ka pranuar procesin zgjedhor dhe rezultatin e tij.

“Ka pranuar kryetarët që kanë bërë betimin e si tash po i konteston kryetarët për të hyrë në objekte që janë publike. Nëse bashkësia ndërkombëtare do të thoshte mos bëj zgjedhje se nuk ka rrethana, apo keni bërë zgjedhje e nuk është proces i duhur, apo keni rezultat e mos bëni betimin, atëherë do të flisnim për politikë”.

Por sipas Kurtit, tani në këto rrethana, politikisht po bën atë që po bën, jo nga fuqia por mungesa e fuqisë sepse nuk ka fuqi të bëjë diçka tjetër.

Ai tha se po ndërmerr veprime juridike në kuadër të ligjit.

I pyetur për rrezikun e izolimit ndërkombëtar të  tij dhe Kosovës, si nga SHBA apo mundësia e pezullimit të liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti deklaroi se- “jam i brengosur gati gjithë kohës, por nuk frikësohem”. “Është përshkrim i punës që të mos frikësohem, por të brengosëm”.

Sa i përket mesazheve të forta të SHBA-së, kryeministri tha se është duke u përpjekur shumë që të gjejë një rrugëdalje.

“Rrugëdalja nuk duhet të jetë rrugë e lakuar por një hekurudhë. Së pari të dalim nga kriza në veri, sundim i së drejtës. Turma ose kthehet në Serbi ose burgoset në Kosovë. E pastaj të ulim praninë e policisë në objektet komunale dhe normalizohet situata”.

Ndërkaq rruga e dytë ai tha se është zbatimi i shpejtë i pakushtëzuar, i drejtpërdrejtë të marrëveshjes së dakorduar.

“Legjitimiteti i palëve, Kosova -Serbia, BE e SHBA, po gërryhet sepse kemi një tekst por nuk kemi zbatim të tij”, tha Kurti, duke rikujtuar se edhe ai vetë i kishte kritikuar paraardhësit e  tij që mes  nënshkrimit të marrëveshjeve dhe realizimit, sikur ishin dy planetë larg.

Kurti tha se tani po i kthehen sërish palët sindromit të vjetër ku bëhen marrëveshje dhe nuk zbatohen. “Këtu kam një listë të gjatë se si Beogradi e ka shkelur zbatimin e marrëveshjes”.

Ai tha se duhet dialog i intensifikuar e jo të ketë takime në dialog, një herë në dy muaj.

Kryeministri tha se është shumë i gatshëm për takime me palën serbe, sepse i pëlqen njohja de-fakto, duke përfshirë edhe Vetëmenaxhimin e bashkësisë serbe.

“Dua t’i mbroj serbët sepse jam dhe kryeministër i tyre. Kam vuajtur shumë dhe nuk dua që edhe të tjerët të vuajnë”.

Kurti tha se e di se çfarë do të thotë të ndjehet i pa përfaqësuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco