VOA/ NATO shton masat e sigurisë në veri të Kosovës! Grupe serbësh sërish në protesta

VOA/ NATO shton masat e sigurisë në veri të Kosovës! Grupe serbësh sërish në protesta

10:59, 31/05/2023

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, shtuan masat e sigurisë para ndërtesave të komunave Zvecan, Zubin Potok e Leposaviq në veri të Kosovës, ndërsa grupe serbësh u mblodhën sërish me kërkesat për largimin kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave dhe të njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

NATO-ja vendosi të martën të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë për të përforcuar praninë e saj pas trazirave të së hënës kur grupe serbësh u përplasën me forcat e KFOR-it duke plagosur 30 ushtarë.

Tensionet në zonë u rritën pasi të premten e kaluar kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga serbët, hynë në ndërtesat komunale për të marrë detyrën.

Serbia e vuri ushtrinë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë dhe dërgoi më shumë trupa në kufirin me Kosovën.

Diplomacia perëndimore reagoi me forcë kundër dhunës së të hënës.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje të martën të gjitha palëve në Kosovë, të punojnë për të ulur tensionet në veri të vendit, ndërsa e cilësoi të papranueshme dhunën kundër trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe gazetarëve.

Në deklaratë ai tha ndërkaq se "vendimi i qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave, i acaroi thellë dhe pa nevojë tensionet", prandaj “kryeministri Kurti dhe qeveria e tij", shtoi ai "duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t'i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre”.

Image

Kjo është deklarata e dytë, që nga e premtja, që sekretari amerikan i shtetit fajëson qeverinë e Kosovës për acarimin e situatës.

Të martën ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha se qeveria e Kosovës nuk është bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në veri dhe ka krijuar një krizë të panevojshme, duke dëmtuar edhe marrëdhëniet me Uashingtonin.

“Shenja e parë e kësaj është vendimi i natës së kaluar i komandantit të Forcave amerikane në Evropë, Christopher Cavoli, për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet "Defender Europe 2023". Për Kosovën kjo stërvitje ka marrë fund”, tha ambasadori Hovenier, duke paralajmëruar edhe masa të tjera.

Kryeministri Kurti nuk komentoi sanksionet amerikane, por në një video mesazh në rrjetet sociale tha se ‘orëve të fundit, institucionet kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët”.

Në një intervistën me gazetën britanike The Guardian ai kritikoi qëndrimin e sekretarit Blinken i cili që të premten dënoi ashpër veprimet e qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”.

Opozita në Kosovë u shpreh e alarmuar me sanksionet amerikane dhe akuzoi qeverinë për mungesë bashkërendimi me Shtetet e Bashkuara.

Bashkimi Evropian tha ndërkaq se është vënë në përpjekje për të organizuar një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ulut tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri.

“Si hap i parë, pres nga autoritetet e Kosovës të pezullojnë operacionin policor në ndërtesat e komunave në veriun e Kosovës dhe protestuesit e dhunshëm të tërhiqen”, tha të martën shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Ai tha se vendet anëtare të BE-së janë informuar për zhvillimet dhe po diskutojnë masat e mundshme nëse palët refuzojnë të ndërmarrin hapa drejt shtensionimit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco