Shoqëria civile në Kosovë: Mosmarrëveshjet të zgjidhen me dialog – Serbia ta ndalë retorikën luftë-nxitëse

Shoqëria civile në Kosovë: Mosmarrëveshjet të zgjidhen me dialog – Serbia ta ndalë retorikën luftë-nxitëse

10:44, 31/05/2023

Organizata joqeveritare “Youth Initiative for Human Rights Kosovo”, në të cilën bëjnë pjesë katër organizata: Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Integra, IKD dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ka kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

“Si organizata jo-qeveritare, kërkojmë që stabiliteti, paqja dhe siguria në veriun e Kosovës të jenë udhërrëfyesi kryesor për të gjitha palët e përfshira. Të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut, përderisa dhuna dhe veprimet e njëanshme duhet të ndërpriten menjëherë. Ne besojmë se promovimi dhe mbrojtja e paqes dhe të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, e sidomos për grupet e margjinalizuara në Kosovë, nuk kanë alternativë dhe duhet të jenë gjithmonë prioritet i çdo procesi vendimmarrës”, thuhet në komunikatën e YIHR-së.

Tutje në reagim thuhet se dhuna ndaj qytetarëve, autoriteteve publike, pjesëtarëve të forcave ndërkombëtare të sigurisë si dhe mediave është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, rendit dhe sigurisë në Kosovë, dhe “për më shumë e pengon procesin e paqes dhe pajtimit”.

“Nga puna jonë në terren me qytetarët e komunitetit serb dhe të gjitha komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë, po e vërejmë ndikimin negativ të veprimeve të papërgjegjshme të akterëve shtetëror si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, duke ndikuar drejtpërdrejt në marrëdhëniet më të gjera ndëretnike në Kosovë. Pasojat e veprimeve të ndërmarra në veri të Kosovës prekin të gjithë qytetarët e Kosovës, prandaj situata duhet të trajtohet në mënyrë paqësore, të kujdesshme dhe të qetë”, thuhet tutje në reagim.

Sipas YIHR-së mirëqenia e të gjithë qytetarëve duhet të jetë udhërrëfyesi dhe pikënisja e çdo vendimmarrjeje nga institucionet publike.

“Shoqëria civile dënon çdo provokim, kërcënim apo frikësim nga çdo palë që vetëm e përkeqëson situatën dhe nuk sjellë rezultate konkrete në përfaqësim dhe respektim më të madh të të drejtave të komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, ka shtuar tutje.

YIHR  i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve serb në Kosovë që të ndërpresin veprimet e njëanshme dhe të bëjnë kompromiset e duhura për të tejkaluar gjendjen e krijuar në veri të Kosovës në koordinim të plotë me komunitetin ndërkombëtar dhe palët e tjera, duke u fokusuar ne dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, kjo organizatë i ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të ndalojnë retorikën e tyre luftë-nxitëse në Kosovë dhe të tregohen konstruktiv në arritjen e një zgjidhjeje paqësore përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Paqja dhe siguria janë gjithmonë zgjidhja dhe institucionet në Kosovë duhet të punojnë menjëherë drejt uljes së tensionit në veri dhe arritjes së një zgjidhje e cila do të ndihmonte në integrimin më të madh të komunitetit serb në Kosovë”, thuhet në fund të komunikatës së YIHR-së.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco