Pak orë pasi Kurti tha se policia do jetë në veri, Blinken ia kërkon tërheqjen e tyre

Pak orë pasi Kurti tha se policia do jetë në veri, Blinken ia kërkon tërheqjen e tyre

09:20, 31/05/2023

Vetëm disa orë pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se policia nuk do të tërhiqet nga veriu për aq kohë sa ka grupe të dhunshme në rrugë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t`’i tërheqë forcat policore nga atje. 

Në një pjesë të reagimit të Blinken ka kërkuar drejtpërdrejt që Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale.

“Dhe t’i tërheqin forcat policore prej atje”, është kërkesa e Blinken.

E veç pak orë para reagimit të Blinken, kryeministri i Kosovës në një intervistë për CNN, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me situatën e krijuar në veri. 

Por, ai ka theksuar se nuk “nuk do ta dorëzoj Republikën demokratike te milicia fashite”.

 “Të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet që janë mbajtur më 23 prill. Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna. Kush tjetër duhet të jetë aty, nëse jo kryetarët. Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm e partnerë. Do të bëjmë më të mirën. Por, nuk do ta dorëzojë Republikën demokratike te milicia fashiste”, tha Kurti. 

Këto deklarata Kurti i bëri pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco