600 mijë euro për byzylykët që do t'i identifikojnë dhunuesit

600 mijë euro për byzylykët që do t'i identifikojnë dhunuesit

15:28, 02/05/2023 Nga Ç.D

Ani pse Kosova ka Ligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave të dyshuar apo të akuzuar për vepra penale qysh nga viti 2015, i njëjti nuk  i ka penguar këta të fundit që t’u afrohen viktimave, madje as në raste kur ato kanë pasur urdhër mbrojtës nga gjykata, transmeton Syri.net Kosova.

Raste të ngjashme kanë ndodhur kogja shpesh në vend, derisa institucionet përgjegjëse, si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, prokuroritë, gjykatat dhe Shërbimi Korrektues, “kanë dështuar” në zbatimin e tij, ka konstatuar një raport i Komisionit Parlamentar për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, në korrik të vitit 2022.

Raporti ka nxjerrë në pah se asnjë nga këto institucione nuk kishte bërë kërkesë në Ministrinë e Financave e as nuk ka ndarë mjete për të blerë byzylykë dhe pajisje të tjera të nevojshme për zbatimin e ligjit.

Megjithatë kjo situatë më nuk qëndron e njëjtë, shkruan Syri.net Kosova.

Qeveria tashmë ka ndarë 600 mijë euro për mbikëqyrjen e hallkave elektronike që do t’i vendosen dhunuesve, derisa akuzat për moszbatimin e këtij ligji ia hedhin qeverive të kaluara.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një deklarim të sajin u shpreh se nuk ka pasur përpjekje për zbatimin e ligjit të hyrë në fuqi në vitin 2015, shkruan Syri.net Kosova.

 “Më 1 korrik 2015, ka hyrë në fuqi Ligji për Mbikëqyrjen Elektronike.  Pavarësisht hyrjes në fuqi, asnjëherë nuk ka pasur përpjekje për zbatimin e tij”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Ajo  tha se me zbatimin e ligjit viktimat do të jenë më të mbrojtura.

“Viktimat e dhunës do të jenë më të mbrojtura dhe më të sigurta kurse dhunuesit do të jenë të monitoruar për të parandaluar përsëritjen e njëjtë të veprës së dhunuesit ndaj viktimës ose rastet me fatalitet”.

Monitorimi elektronik, sipas shumë hulumtimeve, vlerësohet si një mënyrë efektive e trajtimit të rasteve penale në përgjithësi, e në veçanti në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Por mungesa e një kontrolli të tillë deri më tani sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala ka ndikuar mjaftëshumë për tu shtuar veprat kriminale.

Shala nëpërmjet një prononcimi për Syri.net Kosova, thotë se kjo do të ndihmojë tek  personat recidivist dhe në përgjithësi tek siguria e përgjithshme.

“Në lidhje me avancimin e sigurisë se përgjithshme por më theks të veçantë të personat recidivist një kontroll mbikëqyrje e tillë do të ndihmoj në aspektin preventive. Një mungese deri me tani i një sistemi të tillë ka ndikuar që të kemi shtim të veprimeve kriminale ku ekziston një vendim gjyqësor për personin në fjalë.” deklaroi ai.

Ai shton se ky sistem duhet të përcjellët edhe me disa ndryshime.

“Do të duhet që ky sistem të përcjellët edhe me disa ndryshime normative për të krijuar edhe një qendër operative të kontrollit”, nënvizoi Shala.

Kujtojmë se qëllimi i këtij ligji është të ndihmojë në reduktimin e kriminalitetit në Kosovë, duke përdorur teknologjinë për të ndjekur dhe mbikëqyrur personat e dënuar.

Personat e dënuar që janë nën mbikëqyrjen elektronike duhet të ndjekin disa rregulla dhe kufizime. Këto rregulla përcaktohen në ligjin për mbikëqyrjen elektronike të dënimin në Kosovë dhe janë të nevojshme për të siguruar që mbikëqyrja elektronike të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të përputhshme.

Disa nga rregullat dhe kufizimet që personat e dënuar duhet të ndjekin gjatë mbikëqyrjes elektronike janë:

1. Të vishen me pajisjet elektronike dhe të mbajnë ato në mënyrë të përshtatshme.

2. Të ndjekin orarin dhe rregullat e caktuara për lëvizjen, duke shmangur zona të caktuara dhe duke raportuar menjëherë nëse kanë ndonjë ndryshim në planin e tyre.

3. Të mos bëjnë kontakt me personat që janë të ndaluar nga mbikëqyrja gjatë kohës që janë nën mbikëqyrjen elektronike.

4. Të mos bëjnë veprime të caktuara, si p.sh. të bisedojnë me persona të caktuar, të hyjnë në zona të caktuara, etj.

5. Të mos ndryshojnë ose dëmtojnë pajisjet e mbikëqyrjes.

6. Të jenë në dispozicion për të ndjekur urdhrat e autoriteteve të mbikëqyrjes elektronike.

Këto rregulla dhe kufizime janë të rëndësishme për të siguruar që mbikëqyrja elektronike të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të përputhshme.







 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco