Takimi për të pagjeturit në Bruksel, Andin Hoti: Deklarata do të nënshkruhet

Takimi për të pagjeturit në Bruksel, Andin Hoti: Deklarata do të nënshkruhet

13:49, 02/05/2023

Kanë mbetur edhe pak orë deri në nisjen e takimit të radhës të nivelit të lartë në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Sot atje do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Në këtë takim, palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, ndërsa më pas do të bëhet prezantimi i draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Lidhur me deklaratën për personat e zhdukur, për Gazeta Blic ka folur kryesuesi i  Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

Ai thotë se do të aprovohet deklarata për persona të zhdukur nga Kurti dhe Vuçiq dhe më pas Brukseli do t’i ftojë palët teknike për hartim dhe harmonizim të detajeve tjera të kësaj deklarate.

“Sot pritet të aprovohet deklarata për persona të zhdukur, nga Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Kurti dhe nga Vuçiq. Pas aprovimit, Brukseli duhet të ftojë palët teknike për hartimin dhe harmonizimin e detajeve tjera që parashihen në deklaratë”, deklaron Hoti për Gazeta Blic.

Ndryshe, kujtojmë që sot i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak deklaroi se nuk e di përmbajtjen e draft statutit të Asociacionit, duke shtuar se ai duhet të jetë i pranueshëm nga të dyja palët dhe një model evropian.

Takimi Kurti-Vuçiq parashihet të mbahet nga ora 18:00.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco