Joseph dhe Vukoviç: Lëvizjet e gabuara të Perëndimit po japin rezultate – Serbia është faktor destabilizues

Joseph dhe Vukoviç: Lëvizjet e gabuara të Perëndimit po japin rezultate – Serbia është faktor destabilizues

16:19, 12/02/2023

Edward Joseph dhe Sinisha Vukoviç, ligjërues në John Hopkins University dhe njohës të çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor, kanë ndarë pikëpamjet e tyre për situatën në rajon në dritën e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Joseph dhe Vukoviç besojnë se Serbia është faktor destabilizues në rajon për shkak të lidhjeve të saj të ngushta me Rusinë, por se konsiderojnë se marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës do të ndërpriten në momentin kur s’do të kenë më fuqi që të bllokojnë Kosovën.

“Bota ndryshoi më 24 shkurt të vitit të kaluar, por Ballkani jo. Kjo sepse Serbia nuk ka ndryshuar dhe nuk dëshiron të ndryshojë. Për mendimin tim, kjo është arsyeja pse Serbia ka fuqinë të destabilizojë tre nga katër fqinjët e saj dhe pse Putini dhe Rusia mund të përhapin ndikimin e tyre në këtë zonë”, tha Joseph.

Megjithatë, siç vlerësoi Joseph, edhe nëse arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja e me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo mund të çojë në një lidhje edhe më të fortë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.

Ndërkaq, sipas Vukoviç-it, kjo që po ndodh aktualisht në Ballkan është rezultat i një sërë veprimesh dhe lëvizjesh të gabuara të Perëndimit apo siç e quajti ai “eksperiment me elitat politike oportuniste”.

“Rusia po fiton në Ballkan kur bëhet fjalë për fuqinë e butë, që është paradoksale, sepse pikërisht këtë e përdorte Perëndimi gjatë Luftës së Ftohtë. Dobësia e fuqisë së butë të Perëndimit konsiston pikërisht në zgjedhjen e dobët të partnerëve në rajon dhe eksperimentimin me elitat politike oportuniste”, tha Vukoviç.

Ai tha se Ukraina mund të mësojë nga Ballkani Perëndimor, ashtu siç Ballkani Perëndimor mund të mësojë shumë nga Ukraina, dhe gjëja më e rëndësishme, siç vlerësoi ai, është që Perëndimi të mësojë nga të dyja.

“Në Ukrainë që nga viti 2014, dhe madje edhe më herët, ndërsa ukrainasit treguan synimet ruse për t’u zgjeruar në territorin e tyre, BE-ja i injoroi këto sinjale. Qëndrimi është që BE-ja të mos bëjë të njëjtin gabim dhe të jetë e verbër ndaj sinjaleve që vijnë nga Ballkani Perëndimor”, vuri në dukje ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco