Mungesa e barnave esenciale po detyron pacientët t'i blejnë vetë ato

Mungesa e barnave esenciale po detyron pacientët t'i blejnë vetë ato

13:00, 01/02/2023 Nga A.Z

Që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind. Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato, shkruan Syri.net Kosova.

Ministria e Shëndetësisë për vitin 2023 ka ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë, ku vetëm për mbulimin e Listës së barnave esenciale janë ndarë 60 milionë euro.

Përkundër kësaj shifre, mungesa vazhdon edhe sot e tutje.

Lista e barnave esenciale tash e disa vite është thelb i debateve, ku së fundmi ish kryetari i Odës Farmaceutike të Kosovës ka vendosur në piedestal këtë temë.

Jakupi përmes një shkrimi në Facebook ka folur më shumë rreth listës së barnave esenciale, ku sipas tij, kjo është nevoje minimale e barnave bazike kryesore të sistemit shëndetësor, efikase, të sigurta, dhe kost-efektive.

‘Lista e Barnave Esenciale paraqet një listë të nevojave minimale të barnave bazike kryesore të sistemit shëndetësor, efikase, të sigurta, kost-efektive. Kushtet e përzgjedhjes së barnave – prioritizimi është bazuar në rëndësisë aktuale të shëndetit publik si dhe kosto efektivitetin sipas metodologjisë së OBSH.

Lista plotësuese apo komplementare e barnave esenciale paraqet listën e cila përfshin barna të cilat konsiderohen se i plotësojnë kriteret për të qenë esenciale, mirëpo në bazë të prioritizimit kanë mbetur në këtë kategori duke u bazuar në buxhetin aktual të dedikuar për këtë qëllim. Furnizimi me këto produkte mund të bëhet nëse do të ketë ndryshime –shtim të buxhetit apo nëse barnat bazike mund të sigurohen me çmime më të lira dhe në atë rast, pjesa e liruar e buxhetit mund të dedikohet për ndonjë nga këto barna’, ka shkruar ai.

Jakupi pret që këtë vit Lista e re e Barnave Esenciale të jetë edhe më e avancuar, pasi pikënisjen sipas tij e ka të tillë dhe me qëllimin kryesor për t'u përgjigjur sa më shumë pacientëve me barna të sigurta, cilësore dhe kost-efikase.

‘Mungesa e barnave është për shkak të keqplanifikimit, keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve’

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në një bisedë për Syri.net Kosova ka thënë se mungesa e barnave është për shkak të keqplanifikimit, keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve.

Tutje, Haxhiu thotë se me rritje të buxhetit po rriten keqpërdorimit që kjo po dërgon spitalet në mungesë të furnizimeve me barna.

‘Mungesa e barnave është për shkak te keqplanifikimit, keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve.

1.3 milion euro të barnave në vitin 2022 kanë shkuar në suficit derisa  ka pas mungesë të barnave nga lista esenciale dhe për pajisje tjera medicinale. Pacientët janë detyruar të blejnë edhe penjtë për operacione. Derisa ka mungesë të raportit të pranimit të mallit në SHSKUK nuk mund të ketë furnizim te mirë te barnave, sepse ka keqpërdorime.

Me rritjen e buxhetit po rriten edhe keqpërdorimet dhe po vazhdon të ketë mungesa ne furnizime me barna esenciale që këtë vit mungesa ishte më e madhja në 10 vitet e fundit’, ka thënë Bekim Haxhiu.

‘Të gjitha barnat që janë në listën esenciale, shteti e ka obligim t'i sigurojë’

Kryetari i PRAK-ut, Besim Kodra, ka thënë se shëndetësia në Kosovë ka shumë problem si në organizim, me ç’rast të gjitha këto sipas tij e bëjnë të paqartë edhe planifikimin dhe menaxhimin e barnave nga listat esenciale.

Kodra pohon se vazhdimisht pacientët janë të obliguar të blejnë barnat vetë, obligimi ky sipas tij që duhet ta kryejë shteti.

‘Shëndetësia në Kosovë ka shumë probleme, si në organizim ashtu edhe në menaxhim. Nuk ka listë të shërbimeve që ofrohen nëpër institucione shëndetësore, nuk ka protokoll klinike etj.

Të gjitha këto, e bëjnë të paqartë edhe planifikimin dhe menaxhimin e barnave nga listat esenciale. Si rrjedhojë, shumë shpesh institucionet mbesin pa barna dhe pacientët duhet ti blejnë vet ato. Të gjitha barnat që janë në listën esenciale, shteti e ka obligim t'i siguroj. Nëse rast të dështimit për të përmbushur një detyrim të tillë, atëherë duhet ti kompensoj për shumën që ata kanë paguar’, ka thënë Kodra.

Komiteti kyç për Listës së produkteve mjekësore dhe materialeve shpenzuesve ka nisur punën për përditësimin e listës së barnave esenciale në fillim të tetorit të vitit 2022.

Për herë të fundit, përditësimi i listës së barnave esenciale ka ndodhur në vitin 2019, gjatë mandatit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, MSH-ja nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco