Deputetët e VV-së 'aktivizohen' në Facebook kundër Asociacionit

Deputetët e VV-së 'aktivizohen' në Facebook kundër Asociacionit

14:28, 31/01/2023 Nga Sh.A

Në Ambasadën amerikane në Kosovë sot kanë shkuar përfaqësues të institucioneve, partive opozitare dhe shoqërisë civile për të diskutuar rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Mirëpo, disa deputetë të VV-së janë rreshtuar me reagime në rrjetin social Facebook duke kundërshtuar Asociacionin, shkruan Syri.net Kosova

Njëri nga deputetët, Adnan Rrustemi, ka reaguar ashpër.

“Në Kushtetutën e Kosovës termi ‘shqiptar’ apo ‘shqip’ përdoret vetëm DY HERË. Në nenin 3 kur thuhet se Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, dhe, në nenin 5 kur përmenden gjuhët zyrtare: Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe. Termi ‘serb’ apo ‘serbe’ përdoret PESËMBËDHJETË HERË… Tash edhe Asociacioni…?!”, deklaroi Rrustemi në ‘Facebook’.

Reagim për “Zajednicën” nga Facebook-u bëri edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Fatmire Kollçaku, duke e shprehur kundërshtimin përmes "shprehjeve poetike".

“Me biletë për një drejtim të gabuar, nuk ka vajtje – ardhje. #përnjështetfunksional”, ka shkruar ajo.

Deputeti tjetër i VV-së, Armend Muja, ka reaguar po ashtu, duke shkruar se “Zajednica” është kërkesë të Serbisë dhe nuk është për serbët e Kosovës.

“Asociacioni, në çdo format të tij, do të thotë territorializim i të drejtave dhe instrumentalizim i serbëve në Kosovë. Ai është kërkesë dhe synim i Serbisë. Nuk është për serbët e Kosovës. Është kundër Kosovës. Nuk i avancon të drejtat e serbëve. Avancon ndikimin e Serbisë në Kosovë. Nuk i integron serbët. I ndanë dhe i izolon ata. Bashkëjetesa, jo izolimi, është vlerë perëndimore. Kështu na është thënë në dy dekadat e fundit. Kështu vazhdojmë të besojmë edhe sot”, shkroi ai në Facebook.

Deputetja tjetër, Tinka Kurti, nga Facebook ka pasë një reagim interesant.

“Me kërku Asociacion është si me kërku shpërblim për barrikaduesit. Kjo është t’ua dhurosh Asociacionin barrikadave. Fjalëpërfjalshëm në duar jo të sigurta. Asnjë armë nuk është dorëzuar. Duhet demilitarizim. Mandej kthim i shqiptarëve në veri. Ky duhej të ishte rendi i gjërave deri tash”, thuhet në opinionin e saj të shpërndarë në ‘Facebook’.

Ndryshe, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë të ditur pas takimit konsultativ se SHBA-ja vazhdon të avokojë pro zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të dalë nga dialogu me Serbinë.

“Sot mbajtëm një seancë dëgjimore në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizën e tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha angazhimeve të dialogut”, deklaroi ai. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco