Adri Nurellari: Aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE në këtë formë, akt arrogant

Adri Nurellari: Aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE në këtë formë, akt arrogant

13:11, 14/12/2022

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari ka thënë se vendimi për të aplikuar sot për të marrë statusin e kandidatit për anëtar në BE është një akt i papërgjegjshëm dhe arrogant.

Përmes një shkrimi në Facebook, Nurellari thotë se problemi më i madh është se qeveritarët aktualë nuk mësojnë nga dështimi, pasi siç thotë ai të njëjtën gjë bënë edhe më 12 maj të këtij viti, duke aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës, pa përgatitur terrenin me partnerët.

“Për rrjedhojë aplikimi i Kosovës për Keshill të Evropës ka ngelur në sirtar dhe njësoj ka për të ngelur në sirtar edhe aplikmi për BE nëse nuk ndërmerren hapa konkret në procesin e dialogut”, shkruan mes tjerash ai.

Statusi i plotë:

Vendimi për të aplikuar sot për të marrë statusin e kandidatit për anëtar në BE është një akt arrogant e i papërgjegjshëm që i bën karshillik partnerëve të Bashkimit Evropian të cilët pafund herë e kanë ripërsëritur se arritja e një marrëveshje është rruga e vetme që zhbllokon integrimin Euro-Atlantik të Kosovës. Kjo gjë u ritheksua edhe në deklaratën e Tiranës të samitit BE-Ballkan Perëndimor, ku thuhet se BE pret progres konkret nga të dy Palët drejt një marrëveshjeje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe kërkojnë që “ mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt Dialogut”.

Por problemi më i madh është që qeveritarët aktualë nuk mësojnë as nga pësimi, sepse të njëjtën aventurë bënë edhe në 12 maj të këtij viti duke aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës pa përgatitur paraprakisht terrenin me partnerët. Menjëherë pas aplikimit erdhi shuplaka e Francës, ambasadori i së cilës deklaroi se“Kandidatura për në Këshillin e Evropës është një vendim i njëanshëm dhe ne nuk i mbështesim ato vendime dhe e konsiderojmë dialogun një prioritet. Për rrjedhojë aplikimi i Kosovës për Keshill të Evropës ka ngelur në sirtar dhe njësoj ka për të ngelur në sirtar edhe aplikmi për BE nëse nuk ndërmerren hapa konkret në procesin e dialogut.

Mirëpo Kurti dhe qeveritarët e tij bëjnë veshin shurdhër ndaj qëndrimit të prerë zyrtar të BE-së dhe ndërmarrin këtë shfaqje populiste për të krijuar idenë se kinse mjafton kërkesa dhe procesi është kryer. Për atë punë Turqia e ka bërë aplikimin për anëtarësim formalisht që në vitin 1987. I vetmi shpjegim është që do medoemos të futet në histori si kryeministri që ka bërë aplikimin formal, pavarësisht se Kosova është goxha larg kushteve e rrethanave për ta siguruar këtë status.

Për këdo që ka njëfarë bon sensi është e pakuptueshme pse zgjidhet aplikimi sot në kushtet e jashtëzakonshme të veriut të Kosovës, ku sjellja e kryeneçe dhe aventurore e kryeministrit Kurti për targat ka sjellë nxitur një reaksoin të rrezikshëm zinxhir.

Madje mund të konsiderohet si papërgjegjshmëri tallëse që sot po kërkojmë të hyjmë në BE kur kontrolli ynë shtetëror nuk hyn dot në veri, ku kufijtë janë mbyllur, shkollat janë mbyllur, rrugët janë bllokuar prej barrikadave dhe institucionet shtetërore vendore janë disfunksionale si pasojë e bojkotit të funksionarëve me përkatësi serbe.

Me sa duket Kurti po ndjek modelin e ish-kryeministrit Berisha I cili gjithashtu bëri me kokëfortësi aplikimin për statusin kandidat pavaërësisht se nuk ishin pjekur kushtet. Pra përkundrejt rekomandimeve të partnerëve, ish-kryeministri Berisha parashtroi më 28 prill 2009, aplikimin zyrta për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mirëpo statusi kandidat u arrit vetëm nga kryeministri Rama në qershor 2014, pas rotacionit politik të vitit 2013.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco