Jasharaj: Jemi duke bërë të pamundurën të fillojmë dialogun me qeverinë

Jasharaj: Jemi duke bërë të pamundurën të fillojmë dialogun me qeverinë

12:53, 06/09/2022

​Përkundër kërkesës së përfaqësuesve të institucioneve, as sot nuk filloi procesi mësimor për vitin shkollor 2022/2023.

Greva në sektorin e arsimit dhe në administratën publike po vazhdon, derisa përfaqësuesit sindikalë kanë deklaruar se nuk do të heqin dorë deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë.

Ndërkohë, sipas të dhënave nga terreni, në disa shkolla ka filluar pjesërisht mësimi, derisa Këshilli i Prindërve ka paralajmëruar një plan veprimi nëse deri në fundjavë nuk ka lëvizje pozitive.

Greva në arsim dhe administratë publike është duke vazhduar edhe sot, me kërkesat e sindikalistëve për dialog social me Qeverinë. Pavarësisht thirrjeve për zhbllokim të situatës, përfaqësuesit e sindikatave deklarojnë se do të vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën se janë duke bërë të pamundurën që të arrijnë të ulen me Qeverinë Kurti për të filluar dialogun, derisa shpreson që për këtë do të ndikojë edhe presidentja Vjosa Osmani.

“Nuk kemi ende ndonjë sinjal, nuk kemi ndonjë ftesë tani për tani për një gjë të tillë. Por, na mbetet të jemi optimistë, sepse edhe pala tjetër duhet të jetë bashkëpunuese si ne. Në bazë të komunikimit që kemi me kolegët tanë nëpër komuna, greva po vazhdon edhe në administratë publike dhe uniteti është i shkëlqyer”, ka thënë Jasharaj,RTK.

Jasharaj, bëri të ditur se mund të kenë një takim tjetër me presidenten Vjosa Osmani, por nuk dha detaje se për cilën ditë bëhet fjalë.

Ndërkohë, Këshilli i Prindërve të Kosovës, ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, ku ka paralajmëruar se do të dalë me propozime konkrete për t’u kthyer nxënësit në shkollë. Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, tha për Radio Kosovën se një nga pikat e konkluzioneve është që fëmijët kanë të drejtë kushtetuese për edukim dhe arsimim dhe prindërit janë palë e rëndësishme e procesit mësimor, prandaj duhen dëgjuar e pranuar si palë kyçe.

1. Dialogu social duhet të aktivizohet dhe të mirëmbahet si mjet për afrimin ndërmjet të të gjitha palëve dhe për të tejkaluar krizën.

2. Kundërshtojmë dhe dënojmë çdo formë të dhunës të kujtdo qoftë. Trekëndëshi mësimdhënës, nxënës e prindër duhet të mirëmbahet me kujdesin dhe respektin më të lartë. 3. Arsimi në Kosovë është në pikën më të rëndë që nga paslufta dhe kërkon trajtim të veçantë prej qeverisjes dhe të gjitha palëve. 4. U bëjmë thirrje prindërve të përmbahen për momentin nga tensionimi i situatës dhe çdo pakënaqësi ta shprehin pa krijuar tension ndërmjet palëve. 5. Fëmijët kanë të drejtë kushtetuese për edukim dhe arsimim dhe prindërit janë palë e rëndësishme e procesit mësimor andaj, dhe duhen dëgjuar e pranuar si palë kyçe. 6. Nxënësit dhe prindërit duhet të organizohen për të mbrojtur të drejtën e tyre kushtetuese për kujdes, edukim e arsimim publik në çdo nivel. 7. Institucionet shtetërore obligohen të mbrojnë të drejtën kushtetuese të fëmijëve me çdo mjet ligjor. 8. I sugjerojmë Ministrisë së Arsimit të rishikojë kalendarin e vitit shkollor pasi po sjell huti dhe konfuzion te prindërit e fëmijët. 9. Kryesia e KP e Kosovës do të mblidhet fundjavën që vjen për të shqyrtuar situatën dhe për të dalë me propozime për t’u kthyer nxënësit në shkollë”, ka thënë Demi.

Lidhur me fillimin e pjesshëm të mësimit në disa shkolla të vendit, kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha se mund të ketë ndonjë shkollë apo mësimdhënës që ka luhatje të qëndrimeve të veta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco