3 nga 5 të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares janë të mitur: A mund të shkojnë në burg?

3 nga 5 të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares janë të mitur: A mund të shkojnë në burg?

10:35, 31/08/2022

Dhunimi i një vajze 11-vjeçare në Prishtinë, nga pesë persona, për shtatë orë, pa dyshim është ndër aktet më makabre që ka ndodhur në Republikën e Kosovës.

Si rezultat, ky nxiti një debat tejet të madh publik, ku nuk munguan reagimet e ashpra, duke kërkuar edhe ashpërsimin e ligjeve ose kthimin e disa normave shoqërore tashmë të tejkaluara, përfshirë dënimin me vdekje.

Meqenëse Republika e Kosovës është shtet që ndërton jetën e vet sociale, duke u bazuar mbi norma, ligje e konventa të avancuara ndërkombëtare e që nuk i shpëtojnë syrit kritik nga kompetentët, edhe në raste të rënda si ky, Kodi Penal i Kosovës parasheh dënimet meritore për kryesit.

Deri në 15 vite burgim, mund të dënohet një dhunues, i cili kryen këtë vepër penale me të gjitha rrethanat rënduese të parapara me kod.

Në rastin konkret, çështja është paksa më e komplikuar, pasi në mesin e 5 personave të dyshuar, 3 nga ta janë të mitur. Pra nën moshën 18-vjeçare.

A mund te përfundojnë prapa grilave, dhunuesit e mitur? Përgjigjja është, po. Mund të shkojnë në burg edhe të miturit.

Kodi i Drejtësisë për të Mitur, i cili u miratua në vitin 2018 në Kuvendin e Kosovës, përmban detaje të krejt procedurës, të drejtave e dënimeve që mund t’u jepen të miturve.

Kur mund të shkojë prapa grilave një i mitur?

“Gjykata mund të shqiptojë dënimin me burgim ndaj kryerësit të mitur i cili në kohën e kryerjes së veprës penale i ka mbushë gjashtëmbëdhjetë (16) vjet dhe ka kryer vepër penale të dënueshme me mbi pesë (5) vite burgim, në rastet kur shqiptimi i masës edukative nuk do të ishte adekuate për shkak të peshës së veprës penale, pasojave të saj dhe shkallës së përgjegjësisë penale.

Pra, në rastin konkret, vepra penale e dhunimit është e dënueshme, me mbi 5 vite burgim. Nëse të miturit e dyshuar do të gjenden fajtorë, sipas këtij kodi, ata i pret burgu.

Sa vite burgim mund t’i shqiptohen një të mituri?

Në kod parashihet maksimumi i burgimit për të mitur, i cili është dhjetë (10) vjet për vepra të rënda penale të dënueshme me burgim të përjetshëm, ose kur i mituri ka kryer së paku dy (2) vepra penale në bashkim, ku secila është e dënueshme me burgim prej më shumë se dhjetë (10) vjet.

Pra, një i mitur mund të shkojë deri në 10 vjet në burg.

Varësisht nga aktakuza që do të ngrisë prokuroria, e vërtetësisë së saj para gjykatës, do të mësojmë nëse në këtë rast plotësohen kushtet ligjore, për ta shqiptuar një dënim të tillë.

Çka ndodh kur një i mitur kryen veprën penale së bashku me një të rritur?

“Kur i mituri ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale me një të rritur, procedura gjyqësore ndaj të miturit ndahet dhe zbatohet sipas dispozitave të kodit për të mitur.

Pra, tjetër procedurë për të rriturin, tjetër për të miturin. Por edhe këtu mund të ketë përjashtime.

“Përjashtimisht, procedura ndaj të miturit mund të bashkohet me procedurën ndaj të rriturit dhe zbatohet në pajtim me dispozitat e përgjithshme të Kodit të Procedurës Penale, vetëm nëse bashkimi i procedurës është i nevojshëm për sqarim gjithëpërfshirës të rastit.

Procedurat tjera ligjore, kur në vepër penale përfshihen të miturit

Pas arrestimit të një të mituri, ai nuk mund të mbahet më shumë se 24 orë në mbajtje. Pra, brenda 24 orëve gjykata duhet të vendosë, nëse të dyshuarin do ta dërgojë në paraburgim apo do ta lirojë.

Prandaj, në rastin konkret, sot u caktua masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve që u arrestuan dje.

Edhe instituti i paraburgimit është më i butë në raport me të miturit, aty parashihen afate strikte, për periudhën e qëndrimit në paraburgim.

“I mituri mund të mbahet në paraburgim me aktvendim të gjyqtarit për të mitur për një periudhë deri në tridhjetë (30) ditë nga dita kur ai është arrestuar. Në procedurën përgatitore paraburgimi i të miturit mund të zgjatet deri në gjashtëdhjetë (60) ditë, ndërsa pas ngritjes së propozimit përkatës të prokurorit paraburgimi ndaj të miturit mund të vazhdohet në periudhë shtesë deri në nëntëdhjetë (90) ditë.”

Përgjegjësia e ngarkimit me akuzë, në këto raste i takon prokurorit për të mitur.

“Prokurori i shtetit për të mitur është ekspert në çështjet penale ku është i përfshirë i mituri, fëmija dhe madhori i ri, ndjekjen e kryerësve madhorë për veprat e kryera ndaj të miturve dhe i cili është kompetent për ushtrimin e përgjegjësive të parapara në këtë Kod.”

Kurse përgjegjësia e dhënies së dënimit meritor i takon, gjyqtarit për të mitur.

“Gjyqtari i cili është ekspert në çështjet penale ku është përfshirë i mituri, fëmija dhe madhori i ri, i cili është kompetent për ushtrimin e përgjegjësive në këtë Kod. Gjyqtari për të mitur është i caktuar në fazën e procedurës përgatitore dhe si kryetar i trupit dhe i kolegjit në të gjitha fazat e procedurës penale.

Në rastet kur gjykohet me trup gjykues, i njëjti përbëhet nga 3 gjyqtarë. E kryetar i këtij trupi, patjetër duhet të jetë gjyqtari për të mitur, i cili edhe e udhëheq shqyrtimin gjyqësor.

Ky trup formohet në rastet kur vepra penale është e ndëshkueshme me më shumë se 10 vite burgim.

“Në shkallën e parë trupi gjykues për të mitur i përbërë nga tre (3) gjyqtarë prej të cilëve kryetari i trupit gjykues është gjyqtar për të mitur, gjykon për veprat penale për të cilat është i paraparë dënimi me burgim mbi dhjetë (10) vite ose dënimi më i rëndë.”

Dënimet të cilat mund t’i shqiptojë gjyqtari, ndaj të miturve, janë këto: gjoba, urdhri për punë në dobi të përgjithshme dhe burgimi për të mitur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco