Të vërtetat e vizitës së Kurtit e Osmanit në Amerikë

Të vërtetat e vizitës së Kurtit e Osmanit në Amerikë

11:20, 27/07/2022

Ma në fund Albin Kurti shkoi në SHBA dhe takoi personalitetin më të rëndësishëm të Departamentit të Shtetit Amerikan, Sekretarit Antony Blinken.  

Ky takim nuk ka ikur pa reagime nga njohësit e zhvillimeve në vend dhe opozita.

Ish-ambasadorja e Kosovë në Itali, Alma Lama, tha se më e rëndësishme se projekti i MCC-së, është vizita e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas saj, ata duhet të fokusohen në marrëveshjen lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

“Më e rëndësishme se projekti i MCC-së, është qasja e tyre ndaj dialogut, premtimeve apo strategjisë për të arritur një marrëveshje lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Por rëndësi më të madhe në këtë rast ka vizita e presidentes, Vjosa Osmani dhe e kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e qartë që ata janë thirrur”, tha Lama.

“Çfarë mjerimi, ni popull i tanë u gëzu për ni vizitë. Madje edhe opozita”, kështu aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci e ka përshkruar vizitën e dy krerëve të shtetit, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qeveria e Kurtit, e cila ka marrë detyrën në mars të vitit të kaluar, është kritikuar vazhdimisht nga opozita në Kosovë për, siç është thënë, përkeqësim të marrëdhënieve me SHBA-në.

Më të zëshme kanë qenë kritikat kur Qeveria ka refuzuar të kyçet në Gazsjellësin Trans-Adriatik - që parashihej të bëhej me mbështetje të SHBA-së - me arsyetimin se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është i shtrenjtë.

Qeveria është kritikuar edhe për moszbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila ka për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje është nënshkruar në shtator të vitit 2020 nga udhëheqësit e atëhershëm të dy vendeve dhe në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Kritikat e kësaj partie për Qeverinë kanë qenë të vazhdueshme, sidomos për moszbatimin e supozuar të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Në një seancë të Kuvendit të Kosovës, më 12 prill, ish- kryeministri Abdullah Hoti, i cili ka qenë nënshkrues i Marrëveshjes së Uashingtonit, ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në janë lënduar dhe se nuk janë në nivelin që kanë qenë dhe që duhet të jenë.

“Mendoj se është absurde që këtu në Kuvend, në vazhdimësi, është cilësuar si e dëmshme një marrëveshje që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Hoti, tani deputet i LDK-së, duke aluduar në deklaratat e Kurtit.

Në po të njëjtën seancë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njëkohësisht udhëheqës i kësaj partie, ka thënë se Qeveria aktuale është “kundër SHBA-së” në mënyrë të vazhdueshme.

“Është duke abuzuar me durimin, me pasionin e aleatëve kryesorë të sigurisë”, ka thënë Haradinaj.

Përkundër kritikave, Kurti, në disa raste, ka thënë se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i palëkundshëm.

“Është diçka përtej brezit tonë, ka nisur më herët dhe do të vazhdojë pas nesh”, ka thënë Kurti në një intervistë për një televizion në Kosovë, në fund të vitit të kaluar.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rrahman Paçarizi, thotë se kryeministri Kurti ka shprehur vullnetin e tij “për të rehabilituar marrëdhëniet me SHBA-në” gjatë vizitës që ka bërë atje në muajin maj. Por atëbotë, shton Paçarizi, ai ka mbetur pa realizuar ndonjë takim me udhëheqësit më të lartë të SHBA-së.

“Zoti Kurti dëshpërueshëm e demonstroi këtë gjatë qëndrimit të tij të fundit në SHBA, duke pritur që të realizonte një takim, i cili do t’ia hiqte atë ‘njollën’ e antiamerikanit. Unë mendoj që tash po e shohim - për fat të mirë të Kosovës - një kryeministër të Kosovës, pra, Albin Kurtin, ashtu siç edhe duhet të jetë... i cili lufton, përpiqet t’i kultivojë marrëdhëniet tradicionalisht të mira të Kosovës me SHBA-në”, thotë Paçarizi.

Qeveria e Kurtit, e cila ka marrë detyrën në mars të vitit të kaluar, është kritikuar vazhdimisht nga opozita në Kosovë për, siç është thënë, përkeqësim të marrëdhënieve me SHBA-në.

Edhe gazetari, Vehbi Kajtazi ka folur për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai është shprehur se nuk niset asnjëherë të thotë ose të bëj diçka duke e marrë për bazë se çfarë thojnë militantët.

“Mua nuk ma ndjen se çfarë thonë militantët,” u shpreh Kajtazi.

Sipas analistit, kjo vizitë apo rikthim në Amerikë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani është shumë me rëndësi për Kosovën.

“Mbrëmë kam parë shumë raportime lidhur me këtë vizitë, ku kjo shkon përtej një buxheti që e ndajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën, pra bëhet fjalë për 200 milionë investim në energji,” ka thënë Kajtazi.

E për gazetarin, vetëm fakti që kryeministri dhe presidentja e vendit e takojnë sekretarin amerikan të shtetit, është më e vlefshme se vetë nënshkrimi i një marrëvshjeje për nje investim në Kosovë.

Sipas Kajtazit, kritikat e vazhdueshme që bëhen për Kurtin gjithandej, dhe prej shumë njerëzve po bëhen të pabazuara apo të sforcuara dhe argumentet po zbehen duke dashur të japin kritikë për Kurtin.

“Kurti ka të meta në qeverinë e tij, qeveria e tij nuk është më e mira, zhvillimi ekonomik në vend është si mos më keq, ndërhyrja në demokraci e kësaj qeverie, është e rëndë dhe flagrante në mënyrë të veçantë ppërpjekjet për të diktuar lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes,” shtoi Kajtazi.

Në rastin konkret kjo vizitë sipas Kajtazit duhet të na bëjë të lumtur, ku fakti që e takon sekretarin e shtetit është rezultat.

“Vizita që ka qenë më herët ka qenë kot, kjo është tjetër nivel,” ka thënë Kajtazi në emisionin“Debat Plus”.

Ndërkaq, Kajtazi shtoi se është mirë që është edhe presidentja Vjosa Osmani, atje sepse raporti i presidentes me ShBA është tjetër e raporti i kryeministrit me ShBA është tjetër.

Shtetet e Bashkuara janë ndër aleatet më të ngushta të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Duke iu referuar Kosovës më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, ka thënë se pavarësia dhe sovraniteti i saj janë të pakthyeshme dhe se duhet të ketë këmbëngulje për të ndërtuar institucione demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Blinken ka thënë, po ashtu, se shpreson që Kosova të zërë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco