Serbia nuk e ndal agresionin diplomatik ndaj Kosovës, BE e heshtur

Serbia nuk e ndal agresionin diplomatik ndaj Kosovës, BE e heshtur

20:43, 21/07/2022

Serbia po vazhdon ofensivën diplomatike ndaj Kosovës. Liderët politik të këtij shteti kanë falënderuar Egjiptin që ka bllokuar njohjen e Kosovës dhe se nuk e përkrah vendin më të ri në Evropë që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Bazuar në këto zhvillime, politikani Nenad Çanak, thotë se Serbia po tenton të nxis tensione brenda Kosovës.

Që të dy presidentet, Aleksandër Vuçiq dhe presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi duken në disponim të mirë.

Ata nënshkruan një sërë marrëveshjesh që parashohin bashkëpunim më të thellë ekonomik mes dyja vendeve.

Por edhe në këtë situatë udhëheqësit politik serb shfrytëzuan rastin që ta sulmojnë Kosovën.

Kryekuvendari serb, Ivica Daçiq falënderoi Egjiptin, që sipas tij e ka bllokuar njohjen e Kosovës e gjithashtu nuk e përkrah atë që të anëtarësohet nëpër organizata ndërkombëtare.

Politikani serb, Nenad Çanak, thotë se Serbia me këto veprime po synon të krijojë tensione në Kosovë.

Sipas tij po hidhet benzinë në zjarr.

“Çështja e pavarësisë së Kosovës është e mbyllur. Këto veprime po i ndërmerr Serbia nuk mund ta zhbëjnë shtetësinë e Kosovës, kjo është shumë e qartë. Kasta politike nacionaliste serbe po e shfrytëzon Kosovën për t’i mbuluar problemet e brendshme të Serbisë. Serbia po tenton që përmes kësaj lufte diplomatike të krijoj tension brenda Kosovës. Ata po shpresojnë që Kosova të reagojë në mënyrë jo racionale ndaj komunitetit serb në Kosovë, e më pas ta shfrytëzojnë këtë mundësi për propagandë. Po hidhet benzinë në zjarr”, tha ai.  

E në këto raste po kërkohet një reagim më serioz nga diplomacia kosovare.

Pavarësisht insistimit të televizionit, nga Bashkimi Evropian kanë refuzuar të kthejnë një përgjigje lidhur veprimet agresive të diplomacisë serbe që bien ndesh me procesin e dialogut i cili kërkon normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë çështje e heshtur ka qëndruar edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco