Një orë para fillimit të seancës për vrasjen e Ivanoviqit, dëshmitari anonim refuzon të dëshmojë

Një orë para fillimit të seancës për vrasjen e Ivanoviqit, dëshmitari anonim refuzon të dëshmojë

17:41, 21/07/2022

Në gjykimin ndaj Marko Roshiq, Nedeljko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, të akuzuar se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, dëshmitari anonim “D” një orë para se të fillojë seanca e së enjtes ka refuzuar që të dëshmojë në gjykatore.

Lidhur me këtë prokurori special Burim Çerkini, deklaroi se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka marrë të gjitha veprimet dhe përgatitjen për sigurimin dhe angazhimin e këtij dëshmitari për seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mirëpo sot në mëngjes, ka ndodh diçka e paparashikuar ku pas gjithë atyre përgatitjeve që janë bërë edhe ditën e djeshme edhe në ditët paraprake dëshmitari D sot në mëngjes nuk e di arsyen por që nuk don që të dëshmoëj në këtë proces”, ka thënë tutje prokurori Çerkini.

Sipas prokurorit, gjatë bisedave paraprake deri në ditën e sotme gjithçka ka qenë në rregull, ndërsa shtoi se nuk është në dijeni se çka ka ndodhur me të njëjtin në 12-24 orët e fundit që dëshmitari të merr këtë vendim për të mos dëshmuar.

Për një gjë të tillë, ai tha se rrjedhimisht si prokurori pa i ditur arsyet se pse i njëjti nuk dëshiron të dëshmojë dhe pasi t’i vlerësojë ato arsyeje është e pamundur që në këtë seancë të dëgjohet dëshmitari.

“Ne nuk kemi marrë hapa që kundër vullnetit të tij siç e ceka pa i ditur arsyet që ta angazhojmë apo ta detyrojmë në njëfarë forme që ai ta jep dëshminë”, tha prokurori Çerkini.

Ndërsa, për hir të procedurës dhe korrektësisë ndaj palëve tjera ai tha se këtë fakt e kanë kuptuar sot në mëngjes dhe se po ta dinin një gjë të tillë më herët do ta njoftonin gjykatën.“Ne këtë fakt e kemi marrë vesh sot në mëngjes, se po ta dinim vetëm ditën e djeshme ne me siguri do ta njoftonim gjykatën dhe nuk do të ishim mbledhur sot, kështu që siç është për juve e ditur sot edhe për mua ka qenë e njohur kjo rrethanë para një ore”, deklaroi prokurori.

I njëjti tha se do të kontaktojnë me dëshmitarin në fjalë dhe t’i kuptojnë arsyet e mos dëshmimit e që ato arsyeje do t’ia bëjnë të ditur trupit gjykues e që në të ardhmen të vendosin për mënyrën e procedimit.Për dëshmitarin anonim “D”, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj deklaroi se do ta pres prokurorin nëse i njëjti merr ndonjë informacion se pse dëshmitari nuk vjen dhe sipas tij në qoftë se nuk ka ndonjë arsyeje për seancën e radhës do të lëshojë urdhër për ta sjellë me dhunë.

Sipas gjykatësit Kurtaj, nëse ai nuk pranon të dëshmojë, gjykata ta zbatojë ligjin duke i shterur të gjitha mekanizmat e saj që ia lejon ligji.

Ndërsa, lidhur me dëshmitarin tjetër anonim “A1”, gjykatësi Kurtaj tha se të gjithë kanë qenë prezent në sallë të gjykimi kur i njëjti për shkak të sigurisë së tij dhe të familjes ka refuzuar të dëshmojë.

E lidhur me këtë, gjykatësi Kurtaj ka njoftuar palët që trupi gjykues së bashku me prokurorin për të verifikuar një gjë të tillë ka mbajtur një seancë për të cilën ka përpiluar një procesverbal në detaje për çdo gjë që ka thënë dëshmitari.

E për këtë dëshmitar anonim A1, prokuroi Çerkini tha se prokuroria i ka dilemat e saj të cilat janë duke u analizuar në detaje dhe në një kohë shumë të shkurtër dhe të arsyeshme pasi që të përfundon ky proces rreth dëshmitarit A1 do të marrin një vendim se a do të vazhdojnë apo do të tërhiqen nga ky dëshmitar.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Rade Basara, avokati Tomë Gashi i ka propozuar që gjykata t’i pajisë me procesverbalin e seancës së mbajtur për t’u njoftuar lidhur me përmbajtjen e saj.

Një propozim të tillë, e ka refuzuar gjykatësi Kurtaj me arsyetimin se pasi që të pranojë një përgjigje nga prokurori special të njëjtin do ta shpërndajë me të gjitha palët në procedurë.

Po ashtu, gjykatësi Kurtaj ka njoftuar palët se për dëshmitaren Milena Popoviq, sekretaria e gjykatës ka komunikuar me të njëjtën disa herë përmes e-maileve, të cilën tha se e kanë njoftuar për ftesë disa herë, por e njëjta po ashtu përmes e-malit ka potencuar arsyet të ndryshme për të cilat ajo ka thënë se nuk mund të vijë.Ndërsa, për dëshmitaren Rada Trajkoviq, gjykatësi Kurtaj tha se nuk kanë fletëkthesë nga Posta por për të njëjtën ai tha se do të drejtohet Ministrisë së Drejtësisë që ta merr me shumë urgjencë dhe të dërgojë ftesë përmes zyrës ndërlidhëse.

Seanca e radhës do të vazhdojë nesër (22 korrik), ku pritet të dëgjohet dëshmitari anomin “B1”.Refuzohet propozimi për ndërrimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka refuzuar propozimin për ndërrimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tre të akuzuarve Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara dhe Marko Roshiq, të akuzuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.Të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Propozimin për ndërrimin e masës së arrestit shtëpiak me ndonjë masë tjetër alternative, e ka dhënë në seancn e së enjtes, mbrojtësi i të akuzuarit Roshiq, avokati Mahmut Halimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit Halimi, gjatë kësaj periudhe kohore të cilën ai tha se mund ta quajë edhe si periudhë të verifikimit të sjelljes se të pandehurve në masën e arrestit shtëpiak, sipas tij janë krijuar kushtet ideale dhe shumë të besueshme që klientit të tij t’i hiqet masa e arrestit shtëpiak dhe ajo të ndryshohet me masa të tjera alternative me të lehta.

Ai tha se për këta dy muaj që i mbrojturi i tij gjendet në arrest shtëpiak, asnjëherë të vetme nuk është shtruar çështja e rrezikut eventual qoftë e largimit të tij apo ndonjë veprimi që do të binte ndesh me aktvendimin të cilin gjykata e ka marrë.Avokati Halimi, po ashtu deklaroi se duhet të kemi parasysh edhe aspektin human.

“Jam i bindur se edhe ju do ta ndani mendimin e njëjtë me mua se asnjëherë nuk do të cenohet interesi i kësaj procedure me ndodhjen e klientit tim në liri, ju mund të shqiptoni një mase më të butë qoftë në stacionin policor në mënyrën siç e caktoni ju, por besoj se të gjitha kushtet kanë pushuar dhe çdo rrezik eventual që kemi mujt me supozua tani është dëshmuar se nuk ekziston”, tha avokati Halimi.

Këtë propozim të avokatit Halimi e kanë mbështetur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq, avokati Faruk Korenica dhe mbrojtësi i të akuzuarit Basara, avokati Tomë Gashi.

Por, propozimi u kundërshtua nga prokurori special Burim Çerkini dhe më pas të njëjtin e refuzoi kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj.Gjykatesi Kurtaj deklaroi se më vonë nëse gjykata e vlerëson se kanë pushuar rrethanat për të cilat është vendosur masa e arrestit shtëpiak, gjykata do të ndërrojë të njëjtën edhe sipas detyrës zyrtare.

Seanca fillestare ishte mbajtur me 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për tu deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Më pas, me 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

I pandehuri Nedeljko Spasojeviq, thuhet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarit e panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që fillimisht i njëjti u ka mundësuar të dyshuarve që të lëviznin me veturën zyrtare të policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në drejtim të ndjerit Ivanoviq, e që për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës.

Tutje, thuhet se përveç kësaj i pandehuri Spasojeviq, në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, me dashje dhe dijeni ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që ka lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty, ku edhe kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Ivanoviq.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Spasojeviq, Basara, Bojiç, Veselinoviç, dhe Radoiçiç, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe”, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndejrti Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa Fe”, ngjyrë e zezë. Kjo veture thuhet se pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllain e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “Grey” që është pronë e të pandehurit Milan Radoiçiç.Aktakuza thotë se i pandehuri Rade Basa, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë- Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr ngga Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i selektojnë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiçiç, kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste të mos zbardhen dhe të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Për të pandehurën Silvana Arsoviq, thuhet se si anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes të Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyret e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyçur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Ivanoviq.

E njëjta thuhet se me datën 16 janar 2018, në ora 08:16, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, i ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyret e partisë SDP, e cila ka qenë duku punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.Me këtë të pandehurit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga nenin 283, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRPK-së lidhur me veprat penale vrasje e rëndë sipas nenit 179, paragrafi 1.9 të KPRK-së dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 442, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Tutje, aktakuza thotë se i akuzuari Dragisha Markoviq, me datën 16 janar 2019, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën, e cila përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që derisa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Ivanoviq.Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

Në vijim thuhet se Dragisha Markoviq dhe Zharko Javanoviq, në datën 16 janar 2018, në cilësi të personave zyrtare, kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes së Ivanoviq, kanë dal në vendin e ngjarjes, nuk e kanë siguruar mirë vendin e ngjarjes duke lënë persona të tjerë që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njëjtit me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato, ashtu që fillimisht i pandehuri Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës, e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes, e të cilën më pas i pandehuri Jovanoviq e merr, e fut në xhep dhe së bashku me Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Me këtë akuzohet se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje.

Ndërsa, Jovanoviq, gjithashtu akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi të njëjtit me datën 10 shkurt 2018, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, e kalibrit 7.62 mm, dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje. /BetimipërDrejtësi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco